Qeveria e Shqipërisë do mbështesë fuqishëm Kosovën

Pas takimit me kancelaren Angela Merkel, Hashim Thaçi pritet në një takim nga kryeministri Sali Berisha
Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim, Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ndodhet në Tiranë për një vizitë private. Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë e veçantë që shteti më i ri i Europës, Republika e Kosovës, është shndërruar e po shndërrohet çdo ditë e më shumë në një faktor real të paqes, stabilitetit e promovimit të bashkëpunimit e miqësisë në rajon.
Kryeministri Thaçi e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe i përcolli përshëndetjet më të përzemërta të të gjithë drejtuesve të institucioneve më të larta në Kosovë, miqve e dashamirësve të shumtë të Kryeministrit Berisha atje dhe të mbarë popullit të Kosovës, si dhe urimet më të mira për suksese të mëtejshme në rrugëtimin e rëndësishëm që Shqipëria përpara në realizimin e projekteve të saj madhore.
Pas takimit, Kryeministri Berisha shtroi një darkë për nder të Kryeministri Hashim Thaçi, e cila kaloi në një atmosferë shumë të ngrohtë e vëllazërore.