E Diel, 1 Nëntor 2026

“Bizneset me 50 të punësuar, do përfitojnë ulje të taksave vendore deri në 30 për qind”

20-12-2011 / Gazeta 55

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha konsulton projekt-buxhetin e vitit 2012, me banorët e Njësisë Bashkiake nr. 2
 
Kryebashkiaku Lulzim Basha, premtoi dje në bashkëbisedimin me banorët e njesisë bashkiake nr. 2  në kryeqytet, se, “bizneset e reja që kanë punësuar 50 persona nga lista e të papunëve dhe ata që punojnë në sektorin e ndërtimit, do të mund të kenë ulje me 30 për qind të taksave vendore”.
Sipas Bashës, kjo nismë do të propozohet në mbledhjen e Këshillit bashkiak që do të mbahet në fund të dhjetorit. Kryebashkiaku informoi qytetarët se në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, janë përfshirë një sërë ndryshimesh në infrastrukturë si ndërtimi i bulevardit “Petro Nini Luarasi” dhe ndërhyrjet në 2 rrugët e kësaj njësie, me kërkesë këto të qytetarëve.
Synimi i Bashës për vitin e ardhshëm buxhetor, mbetet trefishimi i investimeve për vitin 2012, për të realizuar të gjitha ndërhyrjet në infrastrukturë dhe realizimin e projekteve të punësimit
 
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha është konsultuar dje për projekt – buxhetin 2012, me banorët e Njësisë Bashkiake numër 2. Basha i njohu banorët me projektet që mbështet ky projekt-buxhet, në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, përmirësimin e cilësisë së jetës dhe prioritetin kryesor, punësimin. Për të nisur punësimin, por edhe zhvillimin ekonomik të Tiranës z. Basha bëri të ditur, se në mbledhjen e Këshillit Bashkiak do të propozohen lehtësira fiskale për bizneset dhe kompanitë që hapin vende të reja pune.
“Në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak, përveç buxhetit do i propozoj Këshillit Bashkiak edhe eliminimin e të gjithë taksave dhe tarifave vendore, për të gjithë bizneset e reja që punësojnë 50 apo më shumë qytetarë të Tiranës, nga lista e të papunëve në zyrën e punës në Tiranë, uljen me 30 për qind të taksës së ndikimit në infrastrukturë, për të gjithë sipërmarrjet që punësojnë mbi 75 qytetarë të Tiranës dhe që i punësojnë ata rishtasi, siç mund të evidentohet nga lista e të papunëve në zyrën e punës në Bashkinë e Tiranës”, tha kryebashkiaku Basha.
Në projekt – buxhet janë parashikuar  100 ha rikualifikime urbane,  ndërtimi i rreth  65.000 m2  rrugë,  prej të cilave 33.000 m2 do të jenë  rrugë tërësisht të reja. Po ashtu parashikohet rikonstruksioni i rreth 153.000 m2  rrugë ekzistuese dhe 79.000 m2 trotuare. Vetëm në Njësinë Bashkiake numër 2 parashikohet ndërtimi dhe rikonstruksioni i 5 arterieve kryesore.
“Në Njësinë Bashkiake nr. 2, ne kemi ndjekur një metodologji e cila na ka sjellë së bashku me përfaqësuesit e kësaj njësie bashkiake, në propozimet për ndërtim dhe rikonstruksion të pesë arterieve kryesore të kësaj njësie bashkiake dhe kjo është rruga ‘Petro Nini Luarasi’, rruga ‘Arben Broci’, rruga ‘Bajram Allaraj’ si dhe rikonstruksioni i rrugës 28 Nëntori dhe projekti i rikualifikimit urban për sheshin tek Pazari i Ri dhe sheshin ‘Avni Rustemi’”, theksoi Basha.
Banorët e Njësisë Bashkiake numër 2 i kanë kërkuar gjatë konsultimit, Kryetarit të Bashkisë të parashikojë në investimet e këtij viti edhe rrugën “Gramoz Pashko”.
Basha bëri të ditur se buxheti i akorduar për këtë njësi do të rishikohet, me qëllim konsiderimin e kësaj kërkese të banorëve.
 
Investimet në infrastrukturën arsimore zënë një vend të veçantë në buxhet, ku është parashikuar sipas Bashës:
  - Ndërtimi i 4 shkollave të reja 9-vjeçare
- Ndërtimi i 2 shkollave të reja të mesme
- Ndërtimi i 3 kopshteve  dhe rikonstruksioni i 11 të rejave
- Ndërtimi i  2 çerdheve të reja  dhe rikonstruksioni i 5 të tjerave
- Do të vijojë ofrimi i bonuseve financiare për nxënësit e shkëlqyer
- Do të ofrohen shkolla verore për fëmijët
 
Vëmendje të veçantë, Bashkia i ka kushtuar – tha Basha edhe mbështetjes me fonde të politikave të saj sociale, ku parashikohet:
- Ngritja e 6 qendrave të reja sociale
- Përmirësimi dhe zgjerimi i shërbimeve në qendrat ekzistuese
- Bonusi i Qerasë për familjet në nevojë
- Programi i Integrimit të të Pastrehëve
- Në 2012, do të filloje funksionimi i banesave sociale
- Janë parashikuar lehtësira fiskale për katerigoritë në nevojë, pensionistët dhe
veteranët
- Studime dhe projektime për ndërtimin e banesave të reja sociale, nëpërmjet          
- Partneritetit Publik – Privat
 
 Njësia bashkiake nr. 7, Basha njeh qytetarët me objektivat e bashkisë për vitin e ardhshëm
 
“Transparencë të parave të taksapaguesve shqiptarë”
 
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha gjatë pasdites së djeshme ka vijuar konsultimet për projektbuxhetin me banorë të njësisë bashkiake numër 7.
Lulzim Basha nënvizoi rëndësinë që ka ky konsultim i buxhetin si në rritjen e transparencës para qytetarëve por edhe të adresimit të sa më të mirë të problematikës me të cilën ndeshen qytetarët e Tiranës. Projekt – buxheti prej rreth 70 milionë dollarësh parashikon trefishim investimesh. Kryetari i Bashkisë, Basha bëri të ditur se buxheti mbështet përpjekjen e Bashkisë për të kanalizuar më shumë fonde tek investimet dhe më pak shpenzime për administratën.
“Për herë të parë Këshillit Bashkiak do t’i paraqitet jo thjeshtë shuma, katër apo pesë programe që paraqet bashkia apo Kryetari i Bashkisë, por projektet e detajuara që ne do të financojmë gjatë vitit që vjen. Kjo është transparencë e rëndësishme sepse ju ofron të gjithëve duke nisur nga qytetarët mundësinë për të parë se ku shkojnë parat e taksapaguesve dhe si po  përdoren ato.. Në tërësi buxheti që është 70 milionë dollarë parashikon një trefishim të investimeve në krahasim me vitin më të mirë të investimeve publike të Bashkisë së Tiranës si dhe mbështetje të mjaftueshme financiare për të gjitha zërat e tjerë në veçanti për infrastrukturën sociale dhe mbështetjen sociale. Buxheti mbështet përpjekjen tonë për të kanalizuar më shumë fonde tek investimet dhe më pak shpenzime për administratën”, tha Basha.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha bëri të ditur edhe projektet konkrete në njësinë bashkiake numër 7 që mbështet nga projekt buxheti ndër të cilat rrugë çerdhe, kopshte, shkolla Qendra sociale etj.
“Për njësinë bashkiake nr. 7 në projekt-buxhetin 2012 planifikohen disa investime kapitale siç është rikostruksioni i rrugës ‘Mic Sokoli’, rikostruksioni i rrugës ‘Preng Jakova’, rikostruksioni i rrugës dytësore rikostruksioni i kopshti 17 në rrugën ‘Myslym Shyri’, çerdhja 47 në ‘Myslym Shyri’, çerdhja nr 35 në rrugën ‘Frederik Shikora’, dhe një projekt që do ta konsideroja të rëndësishëm për këtë njësi bashkiake, që është rikualifikimi urban i bllokut te Dogana. Riukualifikim urnban  do të thotë nderhyrje te gjithanshme nga nëntoka deri tek trotuaret, ndriçimi, gjelbërimi, duke përfshirë shtrimin e rrugëve e gjithçka tjetër si dhe infrastrukturë sociale, ku ka shkollë të bëhet i saj dhe ku nuk ka, ndërtimi i një të reje”, theksoi kryebashkiaku, Lulzim Basha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›