Berisha: Ish-zyrtarët socialistë, në 20 borde
Berisha, thirrje qytetarëve: Mos jepni ryshfet
“Të mos bëhemi bashkëfajtorë me ryshfetin”
Kryeministri Sali Berisha u bën thirrje qytetarëve shqiptarë që të mos japin asnjë qindarkë ryshfet, pasi nesër do të jenë të humbur. Shefi i qeverisë akuzoi dje mjekë, gjykatës, prokurorë dhe zyrtarë të tjerë të shtetit për përfshirje në korrupsion, teksa apeloi para qytetarëve të Elbasanit: “Mos jepni ryshfet, se vërtet mund të japësh sot një qindarkë për të fituar të drejtën tënde, por nesër do të humbasësh shumë më tepër nga sa jep sot”. “Prandaj, - tha ai - të mos e bëni këtë, sepse nuk fitohet duke marrë paratë dhe duke sharë e bërtitur”. Duke marrë në analizë luftën antikorrupsion, Kryeministri përmendi faktin se vendi trashëgoi një nivel të lartë korrupsioni për shkak të qeverisjes së mbrapshtë 8-vjeçare të socialistëve. Ndaj dhe Kryeministri Sali Berisha iu kundërpërgjigj dje opozitarëve të Edi Ramës se kur ishin në pushtet, përfitonin miliarda lekë abuzime përmes anëtarësimit në 20 borde. Që nga qyteti i Elbasanit, ku z. Berisha u ndal për turin “Shqipëria në NATO”, kritikoi ish-pushtetarët e majtë për përfshirjen e tyre në korrupsion përmes anëtarësimit në shumë borde. Para elbasanllinjve të shumtë, Berisha bëri publike momentet e vështira në të cilat PD-ja erdhi në pushtet për shkak të kapjes së shtetit nga krimi dhe korrupsioni. ‘Ne, - u shpreh ai - erdhëm në pushtet kur administrata si një lubi mbi paratë tuaja shpërdoronte shuma përrallore në udhëtime, pritje e përcjellje, telefona etj. Ne, - vijoi Kryeministri - erdhëm në pushtet, kur mijëra borde në Shqipëri funksiononin fund e krye mbi bazën e konfliktit të interesit. Mblidheshin dhe caktonin në stratosferë rrogën e drejtorit dhe rroga e tyre ishte mbi përqindjen e rrogës së drejtorit. Miliarda lekë abuzime dhe zyrtarët më të favorizuar anëtarësoheshin në 10, 15 apo 21 borde. Kjo ishte situatata dhe nuk duhet ta harroj”, - theksoi z. Berisha. Por sipas tij, sot realiteti është ndryshe. Ai mori në analizë të gjitha rezultatet e luftës kundër korrupsionit, duke përmendur faktin se interesi i qytetarëve është që paratë e tyre të shkojnë kryesisht për rrugë, shkolla, spitale, për mirëqenie. Berisha garantoi se nuk do të kursehet asnjë zyrtar që kryen aktin e turpshëm dhe kriminal të korrupsionit. Ai informoi se janë 80 zyrtarë të korruptuar të prangosur dhe se fatin e tyre do ta ketë kushdo që vë dorë në xhepin e qytetarëve shqiptarë. “Mos harroni se ai që të kërkon ryshfetin, ai është një faqezi. Po të jetë mjek, është një bluzëzi dhe jo bluzë-bardhë, po qe gjykatës është më i zi se krimineli që dënon dhe po qe prokuror, është më i zi se krimineli që ndjek, po qe zyrtar është një faqezi që nuk duhet të jetë aty ku është”, - u shpreh z. Berisha. Kryeministri i vendit foli dhe për infrastrukturën në mbarë vendin dhe objektivat e qeverisë në këtë drejtim. Ai premtoi se ne do t’i japim Shqipërisë një nga rrjetet e rrugëve më moderne që ekzistojnë. Por kreu i qeverisë preku dhe çështjen e rritjes së pagave dhe pensioneve, duke thënë se nuk gjen ndonjë vend që ka bërë rritjen më të madhe të pensioneve sesa qeveria që ai drejton. “Këtu në Elbasan premtova se nuk do të ketë pension në qytet nën 100 dollarë dhe vij ballëhapur te ju, sepse sot nuk ka pension në qytet nën 110 dollarë me kursin e atëhershëm dhe jo të tanishmin. Ju premtova juve se do të dyfishoj pensionin minimal dhe këtë vit ai dyfishohet tërësisht. Ishte 34 mijë lekë dhe bëhet 68 mijë lekë”, - tha z. Berisha. Kryeministri solli në vëmendjen e opinionit se janë këto reforma që mundësuan dhe marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. Berisha iu drejtua qytetarëve të Elbasanit: “Atëherë bashkërisht duhet të zgjidhim problemet e mëdha që na mbeten. Ne kemi një problem të madh, ryshfeti. Ne duhet të bëjmë zgjidhjen tonë: komb i NATO-s dhe i BE-së apo i ryshfetit dhe të shkuarës?”. Ndaj, Berisha u bëri thirrje atyre që të bashkohen me qeverinë për t’i thënë jo ryshfetit. “Të mos bëhemi bashkëfajtorë me një akt që na përlyen të gjithëve ne mënyrën më të pamerituar”.
Berisha: Do blejmë energji për 24 orë drita edhe në 2009-ën
Qeveria është e vendosur të blejë energji për plotësimin e nevojave të qytetarëve në çdo rast që në tregun rajonal do të ketë energji. Këtë siguri dha dje Kryeministri Sali Berisha gjatë inaugurimit të përfundimit të punimeve në nënstacionin elektrik të Elbasanit. Ky është një investim prej 900 milionë lekësh apo mbi 6 milionë euro. Duke iu përgjigjur interesit të medias lidhur me furnizimin pa ndërprerje me energji, Kryeministri Berisha tha se qeveria është e vendosur të blejë energji për plotësimin e nevojave të qytetarëve. “Deri tani ka pasur 24 orë drita. Ky vit ka qenë një vit me drita 24 orë, rezervat janë të mira, por mund të ishin edhe më të mira. Drita do të ketë 24 orë në çdo rast që në tregun rajonal të gjejmë energji për të blerë. Deri në plotësimin me burimet tona do të duhet disa kohë, sepse do të hyjë në prodhim TEC-i i Vlorës, HEC-i i Kalivaçit, mund të ndërmarrim ndonjë iniciativë tjetër, por me këto çmime stratosferike të naftës sektorit privat edhe mund t`ia ofrosh, por sektori publik është e vështirë”, - tha z. Berisha. “Megjithatë, - shtoi ai - Shqipëria po merr 24 orë drita. Nuk them, - shtoi ai - se është zgjidhja përfundimtare, por është e sigurt se është parapërfundimtare”.