E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Nuk do të heqim dorë nga energjia bërthamore

Kryeministri Sali Berisha u shpreh ditën e djeshme se shqiptarët nuk duhet të humbasin mundësinë, si dhe duhet të përfitojnë nga energjia e lirë dhe e pastër, siç është energjia bërthamore. Gjatë Forumit Ekonomik të Vjenës, që u zhvillua dje në Tiranë, Kryeministri Berisha paraqiti përpara investitorëve më të mëdhenj të Austrisë, ambiciet e Shqipërisë në zhvillimin ekonomik. Sipas Berishës, një zhvillim ekonomik i shpejtë nuk mund të vijë në rast se mungon energjia dhe në këtë kontekst, Shqipëria ka mundësi të arta për të përfituar, ndaj dhe vëmendja nga ambicia për të zotëruar energji nukleare, nuk është e pamundur. “Nuk mund t’ua heqim mundësinë shqiptarëve që të përfitojnë nga ky burim i pastër energjie, siç është ajo bërthamore”, - tha Berisha. Në fjalën e tij, ai përmendi të gjitha mundësitë që Shqipëria paraqet për të investuar. Kryeministri nënrenditi mundësitë më kryesore, si nga energjia, infrastruktura, turizmi etj.

Forumi

Përpara disa investitorëve tepër të ftohtë austriakë, Berisha tha se në Shqipëri do të ketë mundësi ideale për të investuar veçanërisht në fushën e turizmit. Ai tha se qeveria ka bërë gati masterplain për zonat bregdetare, çka i hap rrugën menjëherë ideve dhe mundësive për të zhvilluar biznesin turistik. “Për sa u përket mjedisit ka pasur përmirësime të mëdha. Kjo për sa u përket industrive që nuk ekzistojnë më. Për sa i përket shkarkimit në atmosferë të gazrave, Shqipëria nuk është ndër ato vende që shkakton të tilla. Siguroj se bregdeti shqiptar është në masën 90 për qind i përshtatshëm. Ne kemi masterplan. Do kemi program shumë miqësor për turistët në Shqipëri. Shumë i rëndësishëm është dhe bashkëpunimi mes shteteve, siç kemi me Malin e Zi”, - tha Berisha. Mes të tjerave në fjalën e tij, Berisha nënvizoi të gjitha reformat e qeverisë, të cilat sipas tij, përkthehen në lehtësi për të investuar në terrenin e vështirë shqiptar. “Shqipëria është një vend i vogël, por ofron mundësi të mëdha për kompani ndërkombëtare. Shqipëria po ndryshon, do keni suportin e qeverisë. Ju ftoj të investoni në vendin tonë, veçanërisht në pasuritë e nëntokës. Shqipëria ka pasuri të çmueshme minerare. Kemi krom dhe të tjera minerale”, - shtoi më tej në fjalën e tij Kryeministri Berisha.

Mjedisi

Gjatë fjalës së tij, Berisha siguroi investitorët se në vend do të përdoren standarde tepër të forta për të mbrojtur mjedisit. “Ka mbetje të shkarkimit të gazrave nga e kaluara, sidomos nga zona industriale në Elbasan. Ne kemi vendosur për të ngritur atje një park industrial dhe gjithçka, e cila ka mbetur nga e shkuara dhe nuk është në përdorim. Ne kemi vendosur standarde shumë rigoroze dhe shumë të qarta. Unë jam shumë i qartë që kërkesa më e qartë është ajo e ambientit. Ka interes shumë të madh për prodhimin e çimentos në Shqipëri, sepse kodrat që rrethojnë Tiranën janë të përshtatshme për prodhimin e çimentos. Ne do procedojmë në përputhje të plotë me standardet e mjedisit”, - tha në fjalën e tij Berisha. Në Forumin Ekonomik të Vjenës ligjëruan edhe shumë figura të tjera të njohura në botën e biznesit dhe politikës së Austrisë. Ata vlerësua mundësitë që ofron vendi për të investuar në shumë fusha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›