Topalli, austriakëve: Shqipëria, vendi ku mund të investosh për çdo gjë
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, ishte e pranishme në Forumin Ekonomik të Vjenës, nga ku apeloi që biznesi austriak të shkojë në Shqipërinë me vëmendje për të investuar. Në fjalës e saj, Topalli u shpreh se Shqipëria ka mundësi ideale për çdo investitor. Sipas Topallit, në Shqipëri ka një barrë fiskale nga më të ulëtat në botë si dhe një natyrë që mund të zgjedhës me lehtësi mundësi e investimit. “Vetëm tre vjet më parë, Shqipëria ishte vendi i taksave ndër më të larta në Evropë. Sot si rezultat i reformës fiskale, Shqipëria është një nga vendet me barrën fiskale më të ulët në kontinent. Është një vend gjithmonë e më tërheqës ndaj investimeve dhe turizmit, një vend ku po zbatohet taksa e sheshtë prej 10 %. Rezultati i këtyre reformave identifikohet me rritjen prej 70% të investimeve të huaja direkte dhe nga ana tjetër vetëm vitin e kaluar kursimet e shqiptarëve janë rritur me 19%. Papunësia ka pësuar rënie, sistemi financiar bankar është tërësisht i privatizuar dhe i konsoliduar. Pra, ekonomia shqiptare po përjeton një periudhë optimiste”, - tha Topalli. Kryetarja e Kuvendit theksoi më tej se reformat e ndërmarra nga qeveria kanë dhënë një impakt pozitiv. “Midis dy alternativave, asaj të të menduarit për momentin apo për të ardhmen, ne zgjodhëm të ardhmen, zgjodhëm reformat, zgjodhëm ndryshimin dhe jam e bindur se vetëm në këtë mënyrë mund të sigurojmë një prosperitet dhe perspektivë integruese për vendin tonë. Ne po përballemi me sfidat dhe po ju përgjigjemi me kurajë atyre, me bindjen se po ndërtojmë një të ardhme euroatlantike, të cilën qytetarët e këtij vendi e meritojnë plotësisht”, - theksoi Topalli në fjalën e saj. Forumi Ekonomik i Vjenës çeli dje punimet, me pjesëmarrjen e Kryeministrit Sali Berisha, kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, anëtarë të kabinetit qeveritar, si dhe përfaqësues të forumeve të rëndësishme ekonomike ndërkombëtare dhe biznesmenë.