E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë , Berisha: Jo park energjetik, por industrial

Kryeministri Sali Berisha u premton vlonjatëve se nuk do ta kthejë qytetin e tyre në një park energjetik. Por ai siguroi se në Vlorën turistike do të ndërtohet parku më i madh industrial. Gjatë një vizite të zhvilluar dje në qytetin bregdetar, Berisha pohoi se nuk mund t’i thotë jo investitorëve që janë të interesuar për një park industrial në Vlorë. Sipas tij, në Vlorë parashikohen projekte gjigante. Ai inspektoi punimet për ndërtimin e termocentralit të ri në Vlorë, një investim 92 milionë euro, financim i Bankës Botërore, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bankës Evropiane të Investimeve. Ndërtimi i TEC-it pritet të përfundojë në maj të vitit 2009. Berisha vlerësoi se për pozicionin që ka ky TEC përbën një vepër shumë të rëndësishme energjetike për përmirësimin e parametrave të furnizimit me energji elektrike të kësaj zone, por edhe të vendit në tërësi, pasi siç theksoi Kryeministri, 90 megavat në një kohë kur energjia është e kërkuar nuk është pak, por një sasi shumë e rëndësishme energjie për të furnizuar vendin. Berisha bëri të ditur se nuk do të ketë objekt tjetër energjetik në Vlorë, duke nënvizuar se ofertat e tjera janë spostuar në Porto-Romano. “Edhe njëherë dua të theksoj dhe të garantoj qytetarët e Vlorës se ky është objekti i vetëm energjetik që ndërtohet në këtë qytet. Ofertat e tjera nga ato që janë spostuar në Seman deri tek e fundit e kompanisë ENEL të gjitha i kemi spostuar në Porto Romano, prandaj Vlora nuk do të ketë tjetër përveç këtij termocentrali, që e ka jetik dhe të domosdoshëm”, - u shpreh z. Berisha. I gjithë emetimi i këtij TEC-i është i barabartë me dëmin që shkaktojnë në mjedis 800 makina “Mercedez”, pasi është i standardeve më të larta. Por sipas Kryeministrit, Vlora do të ketë afër edhe parkun industrial në bazë të një projekti të paraqitur nga Bashkia e Vlorës dhe biznesmenë të këtij qyteti. Po ashtu do të ketë një port ndër më të mëdhenjtë e Mesdheut, pasi korridori që po ndërtohet, Durrës-Prishtinë-Merdar e më tutje, e bën Vlorën dhe ujërat e Shqipërisë më të favorshmet për transport. “Avantazhi i Vlorës është se i ka ujërat më të thella sesa pjesët e tjera të bregut të Adriatikut. Ky port do të shndërrohet në një mega-gjenerator të zhvillimit të shpejtë dhe të madh të Vlorës”, - deklaroi Kryeministri Sali Berisha.

“Nuk jam në fushatë elektorale”

Kryeministri Sali Berisha deklaron nga Vlora se udhëtimi “Shqipëria në NATO” nuk ka asgjë të ngjashme me një fushatë elektorale. Kjo, pasi sipas tij, do të përmbushë të gjitha zotimet e dhëna gjatë këtij mandate qeverisës. “Unë nuk jam në fushatë elektorale, por shqiptarët që më besojnë mua duhet ta kenë të qartë se premtimet e mia të tjerët mund t’i lënë rrugës, por unë do t’u dal zot një për një”, - nënvizoi Kryeministri Berisha. Gjatë vizitës në Vlorë, Kryeministri Berisha përuroi përfundimin e punimeve për rregullimin e shëtitores në Orikum, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 24 milionë lekë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›