E Diel, 1 Nëntor 2026

Fushata në PD, ngrihen grupet lokale të punës në qarqe

Partia Demokratike po vazhdon përgatitjet brenda saj për procesin zgjedhor, që do të ketë partia më e madhe në vend. Anëtari i kryesisë dhe deputeti i PD-së, Aleksandër Biberaj, ishte dje i pranishëm në Qarkun e Kukësin, ku zhvilloi takime me anëtarësinë e PD-së në këtë zonë. Në takimet e zhvilluara, krerët e PD-së të Qarkut të Kukësit vunë theksin se ky proces zgjedhjesh në PD, duhet të jetë një proces që të rifreskojë radhët e Partisë Demokratike. “Këto zgjedhje duhet të shndërrohen në një moment të rëndësishëm për rivitalizimin dhe ripërtëritjen e PD-së, si dhe në një moment analize për qeverisjen rajonale dhe atë lokale”, - tha deputeti Biberaj në takimin me anëtarësinë e PD-së. Qarku i Kukësit zyrtarizoi edhe hapjen e procesin zgjedhor në dy rrethe, Tropojë dhe Has, ku u miratuan edhe 26 grupe pune që do të ndjekin fushatën e zgjedhjeve për çdo njësi të qeverisjes vendore. Grupet e punës do të drejtohen nga anëtarë të kryesisë së degëve respektive të PD-së, si dhe nga të zgjedhurit lokalë. Përveç anëtarëve të kryesive, në grupet e punës do të ketë edhe përfaqësues të Forumit Rinor dhe të Forumit të Gruas, si dhe intelektualë të zonës.

Zgjedhjet

Statuti i ndryshuar i Partisë Demokratike parashikon që kryesia e nëndegës, kryetari dhe organet e tjera do të zgjidhen çdo katër vjet me votim të fshehtë, dhe me kandidatura alternative në kuvendin e nëndegës. Numri i kandidatëve që i nënshtrohet votimit duhet të jetë të paktën dy herë më i madh se numri i vendeve në kryesi. Organet e nëndegës së PD-së zgjidhen në kuvendin e nëndegës me votën e gjithë anëtarëve të PD-së, sipas parimit “një anëtar, një votë”. Sekretari i nëndegës publikon numrin dhe emrat e anëtarëve me të drejtë vote më 31 dhjetor të vitit paraardhës të zgjedhjeve në parti, të cilët kanë të drejtë të zgjedhin dhe të zgjidhen në organet e nëndegës së PD-së si kryetar i nëndegës, anëtar kryesie i nëndegës, anëtar i Kuvendit Kombëtar të Partisë, anëtar i Komisionit Disiplinor të Degës. Procedurat për përcaktimin dhe miratimin e kandidaturave, kriteret që duhet të plotësojnë të zgjedhurit e degëve përcaktohen në rregulloren e brendshme dhe aktet e tjera të kryesisë së Partisë Demokratike. Kuvendi i Nëndegës së PD-së zgjedh Kryesinë, kryetarin e Nëndegës, Komisionin Disiplinor të Nëndegës, anëtarët e Kuvendit Kombëtar të PD dhe vendos për çështje të rëndësishme të saj dhe për mocione të paraqitura në përputhje me statutin. Parashikohet që kur Kuvendi është i mbledhur, të drejtën për të adresuar propozime dhe kërkesa për mocion për çështje të veçanta e kanë kryesia e PD-së, kryesia e nëndegës, kryetari i nëndegës, pesëmbëdhjetë për qind e anëtarëve të pranishëm të kuvendit apo aktivit me të drejtë vote. Kërkesat për propozim kandidaturash dhe mocionet e shkarkimit të organeve të nëndegës duhet të jenë miratuar paraprakisht në kryesinë e PDSH-së.

Mandatet

Ajo që është risi në statut është fakti se kryetarët që kërkojnë mandatin e dytë duhet të sigurojnë të paktën dy të tretat e votave. Sipas kryesisë së PD-së, kjo është bërë për faktin që partia të ketë mundësi reale për hapjen e saj, ku elementët e rinj të mos dekurajohen. “Kryetari i nëndegës që është zgjedhur dy herët e fundit radhazi në këtë funksion nuk mund të kandidojë për herë të tretë. Për të fituar mandatin e dytë radhazi duhet që kandidati të marrë më se 2/3 e votave të vlefshme. Përjashtim nga ky rregull bëjnë kryetarët e nëndegëve kur kandidojnë për herë të dytë dhe kur rezultatet elektorale më të fundit të degës kanë pasur rritje të dukshme. Kriteret për vlerësimin e rezultateve dhe vendimin për të lejuar konkurrimin për herë të dytë pa detyrimin për të marrë më se 2/3 e votave i përcakton Kryesia e PDSH”, - thuhet në statutin e PD-së. Kandidaturat për kryetarin e nëndegës, që propozohen nga seksionet, grup-seksionet, kryesia e nëndegës, kryesia e PDSH, dhe 15% e anëtarëve të kuvendit të nëndegës, anëtarësia, sipas procedurave të vendosura me akte nënstatutore, shqyrtohen nga kryesia e PDSH-së. Kuvendi i nëndegës voton kandidaturat e miratuara nga kryesia e PD-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›