Mima: Do të ulim më tej taksat kombëtare
Zëvendësministri i Financave, Florian Mima, u shpreh ditën e djeshme se qeveria po përgatit një plan tjetër për uljen e taksave kombëtare. Mima, i pranishëm në punimet e Forumit Ekonomik të Vjenës, theksoi se po punohet që së shpejt të ketë një plan të ri që taksat të ulen më tej. “Me mbështetjen direkt të Kryeministrit Sali Berisha po punohet fort për reduktimin e një sërë taksash kombëtare”, - tha Mima. Zëvendësministri i Financave paraqiti për investitorët e pranishëm në këtë forum të gjitha masat e marra nga qeveria për lehtësimin e barrës fiskale për biznesin dhe veçanërisht për nxitjen e biznesit të huaj për të investuar në Shqipëri, në të gjitha fushat ku ata do të dëshironin. Në fjalën e tij, Mima nuk bëri ende të ditur gjë rreth këtij plani, si dhe nuk bëri të ditur se cila taksa kombëtare pritet që të ulen më tej. Gjithsesi Mima theksoi në fjalën e tij se Shqipëria është një vend ideal për çdo biznes, për shkak të barrës fiskale të ulët që ka vendi.