E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: I vendosur në betejën kundër së keqes

Deklarata

Vetëm në orët e pasdites kreu i qeverisë së Kosovës ka dalë para mediave për të folur për atë që i ndodhi familjes së tij. Me një lluk jo zyrtar dhe me tronditjen njerëzore që i lexohej në fytyrë, ai ka kërkuar nga partitë politike dhe nga populli i Kosovës që të jenë të bashkuar në rrugën e nisur për të ndërtuar shtetin e ri. Më poshtë deklarata e plotë e Kryeministrit Thaçi, mbajtur dje në zyrën e tij në Prishtinë.

“Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës, mbrëmë është sulmuar familja ime. Si çdo prind dhe bashkëshort, jam i lumtur që familja ime është shëndosh dhe e sigurt. Menjëherë mbrëmë, dhe gjatë tërë ditës së sotme, kam marrë shumë mesazhe solidariteti prej institucioneve dhe qytetarëve të vendit, si dhe prej shumë institucioneve dhe miqve ndërkombëtarë. Shumë prej tyre kanë ardhur të më takojnë edhe personalisht. Në emër timin dhe të familjes i falënderoj të gjithë për respektin dhe solidaritetin që treguan.

Dëshiroj që përmes këtij komunikimi me ju, t’ju siguroj se askush, nuk do të ketë fuqi të cenojë pavarësinë, rendin demokratik, sundimin e ligjit, lirinë dhe sigurinë e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Prandaj, kërkoj prej të gjithë qytetarëve që të vazhdojnë të qetë të japin kontributin e tyre për fuqizimin e shtetit tonë të ri – ta ruajmë unitetin qytetar dhe politik. Vetëm të bashkuar mund të kemi sukses. Kërkoj prej të gjitha forcave politike që bashkërisht të fokusohemi në prioritetet tona shtetformuese. Brenda pak ditësh vendi ynë do të bëhet edhe me Kushtetutë. Vlerat themelore të këtij akti më të lartë juridik janë liria, siguria dhe prona e qytetarëve. Askush nuk do të mund t’i cenojë dhe kërcënojë këto vlera. Askush dhe as ky sulm nuk do të mund të ndalë punën tonë që Kosova të bëhet një shtet krenar brenda Bashkësisë Evropiane dhe NATO-s. Që ta bëjmë këtë realitet, na duhet punë edhe më e madhe në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kjo bart me vete edhe rreziqe. Por, ju siguroj se do të vazhdoj këtë betejë kundër së keqes, edhe me më shumë vendosmëri, për të mirën e vendit dhe gjithë qytetarëve. Unë, si Kryeministër i qeverisë së Republikës së Kosovës, për asnjë ditë dhe për asnjë moment, nuk do të ndalem në obligimet e mia si qytetar dhe Kryeministër, që çdo familje e Kosovës, çdo qytetar i saj të ndihet i sigurt në pronën, shtëpinë dhe atdheun e vet”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›