Berisha: “Jam i gatshëm për tryezë me Ramën, pres ftesën e Topit”
Autori i Lajmit: Redaksia
“Jam i gatshëm të ulem që sot në tryezë me Ramën, por po pres ftesën e presidentit Topi”. Kështu ka deklaruar kryeministri Sali Berisha në një prononcim për mediat në ceremoninë e përurimit të zyrës së fondacionit "Konrad Adenauer" në Tiranë. Sipas tij, ai do të ulet në këtë tryezë vetëm nëse nuk do të vihen kushte nga opozita. Berisha tha gjithashtu se pranon si negociator këdo që garanton zgjidhje duke shtuar se është i gatshëm që të bashkëpunojë që takimi mes tij dhe Ramës të mos dështojë. Ai shtoi gjithashtu se vazhdon komunikimi i përhershëm me kundërshtarët e tij politikë.
Negociatat
“Unë mendoj se serioziteti i procesit kërkon qëndrim serioz, por unë vetëm jam i gatshëm, që për çdo variant, qoftë për kafe, qoftë jo për kafe, qoftë me zotin Rama, qoftë me zotin Topi. Unë nuk kam absolutisht asnjë paragjykim për asgjë, por natyrisht, të mendohet se i shërbehet çështjes, pa një përgatitje, kjo nuk qëndron. Unë personalisht, me gjithë eksperiencën time politike, më duket se përgatitjet janë të nevojshme”, - tha dje Berisha lidhur me takimin e mundshëm me kreun e PS-së. I pyetur nëse takimi me ambasadorët Lohan dhe Montobio kishte si temë diskutimi edhe takimin e mundshëm të kryeministrit Berisha dhe kreut të PS-së, Rama, si dhe për komisionin hetimor për zgjedhjet, kryeministri Berisha e mohoi këtë gjë. Më tej lidhur me komisionin hetimor ai ka sqaruar se nuk do të paraqitet duke sqaruar se po pritet një iniciativë e Partisë Socialiste në mënyrë që ajo të marrë dhe kreun e komisionit ashtu siç e kërkon. “Ka një rezolutë, kërkesat e së cilës ne i votojmë pikë për pikë, pa asnjë lloj hezitimi. Unë prapë e ftoj zotin Rama që të shqyrtojë rezolutën dhe të mos rrimë të bëjmë deklarata dhe të ulemi dhe të zbatojmë. Rezoluta është një dokument me të vërtetë shumë i mirë dhe ulja për ta zbatuar, është interesi më i mirë i Shqipërisë dhe i secilës forcë politike. Le të ulemi të zbatojmë rezolutën dhe kjo është ftesa ime për zotin Rama”, - tha ai. Berisha ka ritheksuar se nuk ka asnjë lloj problemi të ulet në një tryezë të kryesuar nga Bamir Topi, edhe pse ai ka qenë ish-vartësi i tij. “Ish-vartësin tim, kur unë kam bërë përpjekjet për ta zgjedhur president, nuk e kam zgjedhur për ta bërë vartësin tim. Ai është Presidenti i Republikës. Ka vetëm një njeri, i cili nuk e di nëse do ta marrë përsipër apo jo këtë gjë, por nëse ai e merr përsipër këtë, mendoj se nuk do të na ftojë me lugë në brez, por do të ulemi të punojmë. Hiqeni nga mendja se mund të ketë nga ana ime ndonjë lloj paragjykimi, për asgjë. Edhe një herë thirrja ime për zotin Rama është të ulemi, rezoluta është shumë e mirë, është me të vërtetë në interesin e Shqipërisë. Kushdo që e lexon rezolutën, kushdo që lexon shqetësimet dhe preokupimet që shprehu ajo sallë, kupton se ai është një apel, shumë i ndershëm, miqësor për të proceduar”, - theksoi kreu i Qeverisë. I pyetur nëse do të shkonte në tryezë nëse do të kishte ftesë nga Topi, Berisha tha se ishte i gatshëm menjëherë. “Që sot. Do t’i lë të gjitha. Unë kategorikisht nuk refuzoj. E vetmja gjë që e them edhe një herë e dobishme, është që të firmosim një sukses, besoj se kjo është normale apo jo”, - tha ai. Kreu i Qeverisë nuk mohoi ndërkohë komunikimin e vazhdueshëm me kundërshtarët e tij.
Rezoluta
Më tej Berisha ka komentuar dhe vizitën e delegacionit të KE-së, i cili pritet të mbërrijë në vendin tonë më 22 shkurt. “Këshilli i Evropës ka miratuar një rezolutë shumë serioze, shumë solide në të cilën Këshilli i Evropës shprehet në respekt total ndaj institucioneve të këtij vendi. E dyta, Këshilli i Evropës kërkon në mënyrë të qartë dhe eksplicite njohjen e rezultatit të këtyre zgjedhjeve; e treta, Këshilli i Evropës kërkon nga qeveria shqiptare të ngrejë komision hetimor parlamentar në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, i kërkon opozitës të hyjë në Parlament për të marrë pjesë në punimet e këtij komisioni. Këshilli i Evropës jep sugjerime për shumë çështje. Prandaj them që është më mirë që këtë çështje ta marrim ne në dorë dhe ta çojmë përpara, sesa t’ua lëmë juve si objekt hamendjesh dhe thashethemesh të pafundme”, - tha ai.
Ky lajm është publikuar: 04/02/2010