E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: “Pranojmë komisionin, por me kutitë”

Autori i Lajmit: Redaksia
Partia Socialiste shpreh gatishmërinë për të pranuar komisionin hetimor që Partia Demokratike mund të ngrejë sot, por pohoi se nuk tërhiqet nga ideja e saj për hapjen e kutive të votimit. Deputeti socialist Sajmir Tahiri ka pohuar se komisioni hetimor parlamentar ka mjetet dhe instrumentet e duhura hetimore dhe është tërësisht në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Tahiri shtoi se asnjë institucion tjetër nuk ka në veprimtarinë e tij kushtetuese hetimin e zgjedhjeve, hetimin e zbatimit të ligjit zgjedhor apo hartimin e rekomandimeve dhe nismave ligjore për të përmirësuar këtë situatë duke parandaluar përsëritjen e manipulimeve në të ardhmen. “Të hetosh manipulimin e zgjedhjeve, të hetosh nëpërmjet provave të padiskutueshme nëse manipulimi zgjedhor vjen si pasojë e një sipërmarrjeje të organizuar apo fenomen spontan, të hetosh se si mund të përmirësohet kjo gjendje është një tagër absolut dhe prerogativë e padiskutueshme e Kuvendit nëpërmjet një komisioni parlamentar”,- u shpreh Tahiri. Për socialistët çdo skemë tjetër e mazhorancës për të anashkaluar hetimin e plotë e të vërtetë të zgjedhjeve të 28 Qershorit nga ana e opozitës do të minojë përfundimisht tryezën e dialogut mes palëve, moment ky që, sipas deputetit Tahiri, do të përcaktonte largimin përfundimtar të kryeministrit Berisha. “Duhet theksuar se çdo iniciativë e njëanshme e mazhorancës për të hetuar vetë ajo zgjedhjet do të jetë antikushtetuese dhe do ta minojë njëherë e mirë e tryezën e dialogut mes palëve”, - theksoi Tahiri. Ai shtoi se Partia Socialiste nuk do të ndërpresë bojkotin deri në momentin kur mazhoranca do të lejojë hetimin e plotë të zgjedhjeve dhe në këtë situatë, tha ai, asnjë deputet nuk do të humbë mandatin e tij dhe nuk do të tërhiqet as përballë presionit të shumicës dhe as deklaratave të grupit të 3 deputetëve të kryesuar nga Blushi.

Ky lajm është publikuar: 04/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›