Berisha: “Të ndërtohet HEC-i i Skavicës”
Autori i Lajmit: Redaksia
Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e djeshme të Qeverisë ka kërkuar ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës. “Ne duhet ta ndërtojmë Skavicën. Kaskada është një pasuri e madhe dhe Skavica është kurora e kaskadës, nëna e të gjitha digave nën të. Parimi i këtij projekti do të jetë përmbytja më e vogël, prodhimi më i madh. Ndërtimi i saj ul në mënyrë shumë të ndjeshme edhe mundësitë e përmbytjeve të mëdha në zonën e Nënshkodrës dhe Shkodrës”, - tha Berisha. Sipas tij, Qeveria ka faktuar se në Shqipëri ekzistojnë mundësitë e ndërtimit të veprave botërore. Kryeministri Berisha tha se për ndërtimin e këtij hidrocentrali, ideja e të cilit ekziston prej gati 30 vjetësh në vend, u afruan kompanitë, ndër më të mëdhatë në Evropë në fushën energjetike, por që, për shkak të krizës së thellë financiare botërore, ato të mos i qëndrojnë këtij projekti. Në këtë kontekst, qeveria, tha Kryeministri, po sheh mundësinë e marrjes përsipër të realizimit të këtij projekti madhor, parimi i të cilit do të jetë përmbytja më e vogël, prodhimi më i madh. “Ne jemi para dy alternativave. E para është të shkojmë sërish të tender. Por ka edhe një alternativë tjetër, që të jem i sinqertë e ju, më është dukur gjithnjë më mira dhe ajo është që qeveria shqiptare të marrë përsipër ndërtimin e kësaj vepre të mrekullueshme energjetike”,- u shpreh Kryeministri, duke shtuar se krahas infrastrukturës rrugore në njërën anë, një projekt gjigant si Skavica, me një kosto minimale gjysmë miliardi euro, nuk ishte i mundshëm, por situata është më premtuese që qeveria të konsiderojë vetë ndërtimin e kësaj vepre gjigante”, - pohoi ai. Kryeministri tha se Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dhe KESH-i do të përgatisë hapjen e tenderit për projektin dhe realizimi i tij mund të fillojë gjatë këtij mandati dhe do të jetë vepra kryesore publike që ndërtohet në Shqipëri në mandatin tjetër. “Qeveria ka faktuar se në Shqipëri ekzistojnë mundësitë e ndërtimit të veprave botërore. Pas rrugëve, Skavica është vepra më e domosdoshme që brenda portofolit tonë mund të ndërtojmë”, - deklaroi kreu i Ekzekutivit.
Ky lajm është publikuar: 04/02/2010