E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lamert-Topalli: “Bojkoti i Parlamentit, ide e gabuar”

Autori i Lajmit: Redaksia

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, me Kryetarin e Bundestagut Gjerman, Norbert Lamert, përuruan dje hapjen e Fondacionit “Konrad Adenauer", në Tiranë. Fondacioni politik, i Unionit Kristiandemokrat të Gjermanisë, aktualisht forcë në pushtet, mban emrin e Kancelarit të Parë gjerman Konrad Adenauer, rikthehet Shqipëri pas periudhës 1992-1996. Kryetari i Bundestagut Gjerman, Lamert, duke vlerësuar hapjen e kësaj përfaqësie shumë të rëndësishme për jetën politike dhe zhvillimet demokratike shqiptare, tha se Shqipëria mbetet vendi i një rëndësie tejet të veçantë për Gjermaninë. Lamert, duke theksuar rëndësinë qenësore që ka Parlamenti për funksionimin e një demokracie, tha se bojkoti i Parlamentit nuk është një ide e mirë. “Dhe sigurisht që kjo ide e bojkotimit nuk përmirëson cilësinë e vet, edhe nëse bazohet në precedentë të mëparshëm. Roli i parlamenteve është i një rëndësie jashtëzakonisht të madhe për sistemet demokratike, Një parlament është platforma më e rëndësishme dhe forumi më i rëndësishëm demokratik që mund të ekzistojë në një sistem demokratik “- tha zoti Lamert. Kryetarja e Kuvendit shprehu kënaqësinë e veçantë të rihapjes së Fondacionit “Konrad Adenauer në Shqipëri pas një periudhe intensive në vitet ‘92-’96, duke e cilësuar rikthimin e tij, një simbolikë shumë të fortë për Shqipërinë dhe shqiptarët. “Ne ndihemi shumë të nderuar me hapjen e kësaj zyre të këtij fondacioni, sot është këtu Presidenti i Bundestagut gjerman, Norbert Lamert, një mik i Shqipërisë dhe një mbështetës i fortë i proceseve integruese të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Edhe një herë unë dua të falënderoj për këtë mbështetje që personalisht zoti Lamert, Bundestagu gjerman dhe Gjermania i ka dhënë Shqipërisë në proceset integruese, si në votimin e marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit dhe votimit që i kanë bërë Protokollit të Anëtarësimit, duke bërë të mundur që sot Shqipëria të jetë anëtare e NATO-s”, - tha Topalli. Më tej ajo e konsideroi vizitën e Lamert, si një moment të rëndësishëm të inkurajimit për të çuar përpara marrëdhëniet tona, tashmë intensive ndërparlamentare, por që do të bëhen edhe më të forta. Natyrisht, e kam fjalën edhe për marrëdhëniet ekonomike dhe të niveleve të tjera.

Ky lajm është publikuar: 04/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›