E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pollo: “Përjashtohen nga regjistrimi emigrantët”

Autori i Lajmit: Redaksia

Ministri i Shtetit, Genc Pollo, deklaron se regjistrimi i popullsisë mbi baza etnike dhe fetare nuk do të përfshijë shqiptarët që ndodhen jashtë atdheut për arsye emigracioni.
“Ky projekt i qeverisë është për rreth 3.2 milionë shqiptarë që jetojnë në Shqipëri”,- tha Pollo. “Ashtu siç mbeten 700 mijë shqiptarë, dhe vetëm një pjesë e vogël prej tyre vjen për të votuar kur zgjidhet Kuvendi, po ashtu ata 700 mijë në masën 99% apo 99.5% gjithashtu do të mbeten në Greqi dhe nuk do të çajnë kokën të vijnë vetëm për ti thënë anketuesit të INSTAT që jam edhe unë. Çfarë ka gabim nëse Repoba niset për të regjistruar 3.2 milionë shqiptarë që janë banorë në Shqipëri dhe jo 200 mijë shqiptarë që janë në Nju-Jork dhe në pjesën tjetër të Shteteve të Bashkuara? Repoba regjistron çdo shqiptar që në momentin që bëhet regjistrimi ndodhet fizikisht në Shqipëri”, - tha Pollo.
Sipas Pollos, ata që kundërshtojnë përfshirjen e deklarimit të përkatësisë fetare dhe etnike në formularin e regjistrimit, kanë komplekse inferioriteti. ”Është një frikë e pasupozuar dhe e bazuar tek paragjykimet, tek supozimet dhe tek komplekset dhe më vjen keq ta them, por dhe tek komplekset e inferioritetit”,- tha Pollo. Për sa i përket situatës politike në vend, ministri i shtetit, Genc Pollo, thotë se kutitë nuk do të hapen. Madje, sipas tij ndërhyrja e Këshillit të Evropës me një rezolutë ishte e panevojshme, pasi klasa politike duhet të zgjidhë vetë situatën. “Për mua, nuk është fort e pëlqyeshme që institucione të huaja, sado të respektuara, të merren me zgjidhjen e një problemi të brendshëm shqiptar. Është një stad që nga 96 në 2005 duhet ta kishim kapërcyer”,- tha Pollo.

Ky lajm është publikuar: 04/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›