E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: “Jam i lumtur te Arminia”



Besart Berisha ndihet plotësisht i lehtësuar. Më në fund telenovela e transferimit të tij përfundoi me sukses. Pikërisht, disa ditë para fillimit të sezonit të Bundesligës 2, sulmuesi kosovar është i disponueshëm për t’u aktivizuar me klubin e tij të ri. “Arminia është për mua hapi i duhur. Diçka më e mirë nuk mund të ndodhte”, - tha 24-vjeçari Berisha për gazetën gjermane “Noje Vestfalishe”. Arminia dëshiron të rikthehet shumë shpejt në Bundesligë, dhe këtë e dëshiron edhe Besarti. Të jetë në “große Bühne” (skenën e madhe), të cilën Berisha e ka provuar për herë të parë, më 12 gusht 2006, pikërisht në një ndeshje kundër Arminia Bielefeldit, skuadrës aktuale të tij. Dymbëdhjetë minuta luajti Berisha në atë takim, të përfunduar 1-1. Thuajse fiks pas tre vjetësh, ditën e hënë, më 10 gusht, Berisha mund të bëjë debutimin e tij me fanellën e Bielefeldit. Shansi, që trajneri Tomas Gerstner të hedhë në fushë sulmuesin e fuqishëm kundër Hansa Rostokut, është i madh. Përveç Gerstnerit gjithashtu edhe drejtori sportiv, Detlev Damajer, vlerëson kualitetin sportiv dhe njerëzëro të Berishës. “Besarti na dëshmoi, se ai dëshironte patjetër të vinte te ne”, - tha Damajer. Lamtumira nga Bërnli në Angli do të thotë më pak para në xhepa Besartit. “Është vërtet një shumë e madhe, por unë dëshiroja të luaja”, - tregon Berisha për gazetën “Noje Vestfalishe”. Për këtë vendim të Besartit, Damajer nuk habitet aspak, dhe për këtë arsye ai e dëshironte me shumë Berishën, se sa ish-lojtarin e tij të preferuar Mikael Eneramo. Futbolli dhe familja janë shumë përcaktuese në jetën e Besart Berishës. Në moshën shtatëvjeçare ai mbërriti në Berlin si emigrant për t’i shpëtuar luftës civile në Kosovë, së bashku me prindërit e tij dhe vëllain e tij dy vjet më të madh, Besimin.
Babai i tij nuk mori lejë punë, ndërkohë që familja ishte në kërkim të vize qëndrimi, kështu që shpresat e vetme mbetën të karriera futbollistike e Besartit. Si golashënuesi më i mirë i të Rinjve A në Bundesligën 2004, ai transferua nga TB Berlin te Hamburgu. Këtu nisi dhe odiseja e tij duke u huazuar te Aalborgu e Horsensi (Danimarkë), sërish te Hamburgu, për t’u transferuar më pas te Bërnli (Angli), e sërish i huazuar te Trondheim (Norvegji) dhe edhe një herë tjetër te Horsens, ku ju desh të rigjente forcat e veten pas dëmtimit të gjatë të ndodhur gjatë ndeshjes miqësore ndërkombëtare Shqipëri-Maltë. Berisha e ka rigjetur sërish optimizmin e tij dhe këtë dëshiron ta dëshmojë, qysh në ndeshjen e parë të tij me fanellën e Arminias, klub për të cilin në të kaluarën ka luajtur edhe Fatmir Vata, Ervin Skela e Klodian Duro, por që tashmë ka dhe një lojtar tjetër shqiptar, Berat Sadikun. Besart Berisha nuk është thirrur për ndeshjen miqësore ndërkombëtare të Shqipërisë kundër Qipros (12 gusht), kjo dhe për faktin se ndeshje e klubit të tij, Arminias, është vetëm dy ditë më parë, më 10 gusht.

3 vjet
Sulmuesi Besart Berisha, i cili u transferua nga Bërnli në Angli, nënshkroi një kontratë 3-vjeçare me Arminia Bielefeld.

5 shqiptarë
Fanellën e Arminia Bielefeld e kanë veshur pesë shqiptarë: Fatmir Vata, Ervin Skela, Klodian Duro, Berat Sadiku dhe Besart Berisha.

6 ekipe
Berisha ka luajtur deri tani me 6 skuadra: TB Berlin, Aalborg, Horsens, Hamburgu, Bërnli, Trondheim dhe Arminia Bielefeld.

Fiorentina, ofertë 9.5 mln euro për Xhemailin

Fiorentina është duke menduar seriozisht për mesfushorin shqiptar Blerim Xhemaili, duke e vendosur atë në majën e listës së dëshirave. Lajmi jepet nga faqja zvicerane 4-4-2.com. Për 23-vjeçarin e Torinos është e interesuar fuqishëm edhe Palermo përmes presidentit të saj, Mauricio Zamparini, por Fiorentina ka përgatitur një ofertë të majme financiare: 9.5 milionë euro. Fiorentina merr pjesë në Ligën e Kampioneve dhe në turin e katërt të kompeticionit evropian do të përballet me Sportingun e Lisbonës.

Mediat italiane: Taçi kërkon aksione te Milani

Pas rrëzimit të opsionit të blerjes së Bolonjës (80 për qind të aksioneve), biznesmeni shqiptar, Rezart Taçi, dëshiron të bëhet aksionist te Milani. Lajmi jepet nga uebsajti italian Affaritaliani.it, që thekson se ideja e shqiptare mund të konkretizohet me lehtësi, nisur edhe nga fakti se Taçi ka marrëdhënie të shkëlqyera me Silvio Berluskonin. “Ishte pikërisht Taçi, - shkruan portali nga vendi fqinjë, - ai që organizoi dy miqësore të Milanit në Shqipëri, duke paguar 4 milionë euro. Në vijim të kësaj, ishte në Milanon për t’u takuar me Adriano Galianin. Të dy janë parë duke ngrënë darkë në restorantin prestigjioz edhe në shoqërinë e Aldo Spinelit, presidentit të Livornos. Më pas, presidenti italiani Berluskoni priti në pallatin qeveritar “Kixhi”. Sipas medias italiane, Berluskoni e Galiani duhet t’i japin “OK-in e tyre Taçit për të blerë një kuotë sinjifikative aksionesh të Milanit.

8 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›