Gjana: Nuk heqin tapinë, vetëm qira
BLEDAR HOTI
Ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana ka dalë dje përpara mediave për të sqaruar momentet se ku do të fokusohet dikasteri i tij në hartimin e ligjit të ri të proklamuar disa ditë më parë nga Pryeministri Sali Berisha, për tokat e lëna djerrë. Sipas tij, nuk do të ketë heqje të pronësisë së tokës, por vetëm marrje me qira të saj. “Lënia e tokave djerrë na detyroi të zgjedhim mes tre alternativave më të favorshmen. Qeveria nuk ka ndërmarrë as heqje të titullit të pronësisë e as aplikimin e taksave të larta për ata që nuk e punojnë tokën. Më oportune është të përdoret praktika e tretë, e cila nuk e heq të drejtën e pronësisë, pronari mbetet përsëri pronar”, deklaroi ministri. Gjana theksoi
“por ata pronarë që për një arsye apo për një tjetër e lënë sipërfaqen e pronës së tyre të papunuar, dhe kur ka grupe interesi, kur ka fermerë fqinj, kur ka individë të interesuar që ato t’i vënë në qarkullim ekonomik, këto sipërfaqe me ligj i merr në administrim, jo me ndryshim të pronësisë, njësia e pushtetit lokal, e cila i lë me qiradhënie për një kohë të caktuar”.
Se cila do të jetë mënyra se si do të ndërtohen marrëdhëniet, mes kësaj prone private të një individi, të një fermeri dhe raporti që do krijohet me komunën përkatëse do të jenë detaje që do të përcaktojë ligji. Sipas ministrit, kostoja e punës nuk është arsyeja se pse shqiptarët lënë 10 % të tokës bujqësore pa punuar në të gjithë vendin, duke reaguar kështu edhe ndaj akuzave të opozitës. “Së pari nuk është e vërtetë që toka bujqësore, siç deklaroi SHPK e Shalësit është e pambjellë për efekt të kostove. Kostot nuk janë më të larta në Tepelenë, se sa në minoritet, nuk janë më pak të larta në Përmet, në Mokër, nuk janë më të ulëta në Puke dhe në Mirdite”, tha Gjana. Toka bujqësore nuk punohet në disa zona; në zonat minoritare; në zonat ku emigrimi është i lartë, si dhe në zonat për rreth autostradave, për shkak se pronarët që kanë titujt e pronësisë synojnë t’i shesin ato për aktivitet tjetër ekonomik, nga ku mendojnë se edhe fitimi është më i madh. Ministri shtoi se nuk është vetëm Shqipëria, e cila e ka problemin e mos përdorimit të tokës bujqësore. Gjana tha se janë tre praktika, të cilat zbatohen në vendet përreth dhe ato të Bashkimit Evropian. Sipas tij, “është praktika e heqjes së titullit të pronësisë, praktika e vendosjes së një takse të lartë për mospërdorimin jo vetëm të tokës bujqësore, por edhe trojeve në zonat urbane, si dhe praktika e tretë është marrja nën administrim nga njësitë e qeverisjes vendore”. Në këtë mënyrë, Ministri Gjana shpjegoi se do të negociohet edhe me pronarët që kanë titujt e pronësisë për të gjetur zgjedhjet e mundshme për përdorimin e çdo m2 tokë bujqësore. Gjana nënvizoi se drafti, i cili do të hartohet nga ekspertë të këtij dikasteri, do të ketë si bazë alternativën, e cila e vë sipërfaqen e tokës së papunuar nën administrimin e njësive të qeverisjes vendore për një kohë të caktuar dhe kundrejt një qiraje, e cila do të vilet nga vetë këto njësi.