Berisha: Jemi të parët në botë për referencë tek ligji, mosndërhyrje të qeverisë e zhvillim ekonomiko- social
Në këtë mbledhje qeverie, kryeministri Sali Berisha iu referua Treguesit Global të Kompetivitetit, përgatitur nga Forumi Ekonomik Botëror. Sipas të dhënave të paraqitura nga Berisha, vendi ynë është ndër dhjetë të parët në botë. Nëse këtë fjalim do e dëgjonte sërish ish- ambasadori Uidhers, do kishte treguar barsoletën e komunizmit, për një fëmijë që nis e qan e thotë dua të shkoj në Shqipëri.
Berisha tha se Shqipëria është e teta në botë për treguesin e të drejtës ligjore, në vendin e nëntë për ndërhyrjen më të pakët të shtetit në ekonomi e në tërësi dhe në vendin e nëntë për mbrojtjen e biznesit.
Shqipëria renditet në 20 vendet e para të botës për disa sëmundje si tuberkulozi, SIDA e sëmundje të tjera. Shqipëria është në vendin e tetë në botë për treguesin e të drejtës ligjore, referencës që i bëhet ligjit në këtë vend në vendimet që merren. Shqipëria renditet e nënta në botë për barrën e rregullimeve shtetërore. Pra, ne jemi në 10 vendet me barrën më të vogël të ndërhyrjes shtetërore në ekonomi e në tërësi. Shqipëria është e nënta në botë përsa i përket fillimit dhe mbrojtjes së biznesit. Në raportin qeveri- shoqëri, qeveri- ekonomi nuk ka asgjë më shpresëdhënëse se ky tregues. Ne jemi jo vetëm qeveri e vogël, por përpjekjet tona për të zhdukur burokracinë janë thellësisht rezultative. Këto përpjekje na rendisin në dhjetëshen e parë në botë, tha Berisha.
Kryeministri tha se Shqipëria është po ashtu ndër vendet e para për harmonizimin e produktivitetit me prosperitetin.
Produktiviteti është dhe nuk është prosperitet. Është në detyrën e reformave dhe të qeverisë që produktivitetin ta shndërrojë në prosperitet. Ku e gjen vendin Shqipëria në përpjekjen për të harmonizuar pagat me produktivitetin? Në vendin e 17-të në botë. Para shtatë vjetësh Shqipëria ishte e fundit fare, sepse pagat ishin në nivelet më të ulëta. Ne jemi nga më të paktat qeveri që ka rritur me 3 përqind të GDP-së faturën sociale. Ne kemi përmirësuar marrëdhëniet punëdhënës- punonjës. Renditemi në vendin e 21-të në botë. Mos të harrojmë se grupi i OECD përbëhet nga 28 vende, çka do thotë se kemi lënë pas një numër të madh vendesh të zhvilluara, tha Berisha.
Rekord ka vendosur Shqipëria edhe për përdorim celularësh.
Për përdorimin e celularit renditemi të 18-t në botë. Shqipëria është si një park me zogj kur dëgjon zilet e celularëve, tha Berisha.
Duke u ndalur tek sistemi arsimor, edhe pse Shqipëria ka një renditje shumë të mirë, Berisha tha se të dhënat janë të tre viteve më parë, duke supozuar kështu se nëse do merren të dhënat aktuale, renditja do jetë spektakolare. Berisha tha se vendi ka shumë poetë popullorë, por tani i duhen matematicienë popullorë.
Sistemi arsimor në tërësi, jemi në vendin e 45-të. Treguesit megjithatë janë të tre viteve më parë. Do bëjmë përpjekje të madhe në matematikë se ne e kemi dhunti leximin, për të mos thënë edhe poezinë. Problemi është se na duhen matematicienë popullorë, tha Berisha.
Megjithëse treguesit e Forumit Ekonomik Botëror ishin shumë të mira, Berisha tha se treguesit e PNUD për gjendjen sociale në vend janë edhe më të mira për shkak se kjo qeveri ka zemrën e dhimbsur.
Te treguesit socialë të PNUD jemi edhe 10 vende më mirë. Aty zemra e dhimbsur ka peshën më të madhe dhe ne jemi të dalluar për politikat njerëzore, tha Berisha.
Kryeministri Sali Berisha më pas u la porosi ministrave të tij që të mos bëjnë krahasime me vende të tjera në botë përveç vendeve të OECD-së ku përfshihen vendet më të pasura.
Mos u krahasoni më me vendet e tjera, por vetëm me vendet e OECD, që përfshijnë vendet më të pasura në botë, tha Berisha.
Në fund kryeministri ka pranuar se qeveria është problemi dhe se ai ka qeverisur dhe në opozitë. Pasi e tha këtë fjali, vijoi të theksojë se media e kontrolluar do ia përdorë atë shprehje.
Qeveria është problemi, thotë Renald Regan. Që nga vitet 90 gjer më sot mbaj të stamposur në mendje këtë thënie që më ka ndihmuar të qeveris në qeveri e në opozitë. Nesër shtypi i kontrolluar do thotë se Berisha pranoi që qeveria është problemi dhe se ai ka qeverisur kur ka qenë dhe në opozitë, tha Berisha.
Kryeministri foli edhe për masterat që do hapen me vendim qeverie. Plot 15 mijë të tillë në një vit.