E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mburrjet e Berishës për tabelat e Forumit Ekonomik Botëror, thjesht gallatë!

Ka disa ditë që World Economic Forum ka nxjerrë indeksin e vet të kompetitivitetit, ku Shqipëria rezulton të jetë jo keq (në vend të 88-ë nga 139 vende), e nuk kuptohet pse Berisha është kujtuar kaq vonë për të rrahur gjoksin. Me sa duket, këshilltarët e vet e kanë mendjen të bëjnë punë të tjera, e nuk kanë arritur ta marrin në dorë në momentin e duhur këtë trofe. Po çfarë thotë ky raport vjetor i këtij forumi për Shqipërinë? Thotë se Shqipëria është më kompetitive se sa vjet (ka ngjitur nja dhjetë shkallë). Po pse? Sepse sipas forumit Shqipëria ka institucione të mira, funksionale e të pavarura, ka një tregues të mirë të eficiencës së tregut të mallrave e të tregut të punës, nuk është se jepen shumë ryshfete e nuk është se bëhen shumë pagesa të paligjshme, nuk është se shpërdorohen shpenzimet qeveritare, ka transparencë në bërjen e politikave nga ana e qeverisë, biznesi nuk ka paguar kosto të mëdha që vijnë prej pranisë e presionit të rrjeteve kriminale, duhen vetëm pesë ditë për të hapur një biznes të ri, ka marrëdhënie të mira mes punëdhënësve e punëmarrësve, ka praktika të mira e korrekte në punësimin e pushimin nga puna të njerëzve, etj, etj. Kujtoni se po bëjmë shaka? Jo, jo, mund të shihni linkun:http://reports.weforum.org/global-competitiveness-2011-2012/.

Si shpjegohet, atëherë që ky forum kaq i rëndësishëm këput broçkulla të tilla? Është shumë e thjeshtë puna. Ka vetëm një burim të dhënash lidhur me Shqipërinë. Ky burim është vetë qeveria shqiptare. Institucione të tjera, si Banka e Shqipërisë, apo Instituti i Statistikave, do duhej të kishin të dhëna të tyre tw pavarura, por të gjithë e dimë se këto janë tërësisht nën sqetullat e kryeministrit (të dhënat i jep në fillim Berisha, e më pas dalin këto institucione për ti konfimuar si të vërteta). Mund të merreshin për bazë dhe të dhëna të instituteve të ndryshme jo qeveritare, por këto të fundit, ose nuk janë serioze, ose nuk kanë akses tek Forumi Ekonomik Botëror. Dhe kështu, i bie që Berisha shpik të dhëna, i dërgon nëpër institucione ndërkombëtare që merren me klasifikime e indeksime, më pas bazohet mbi raportet e këtyre të fundit për të na shitur dëngla ne shqiptarëve. Gallatë, apo jo?

Respublica.al

http://respublica.al/artikuj/2011/9/14/mburrjet-e-berishes-dhe-tabelat-e-forumit-ekonomik-boteror

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›