E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Jo gjobë për ata që nuk votojnë



Detyrim votimi, por jo sanksione ligjore

Meçani: Media e opozitës trilloi fund e krye

Qeveria nuk do të ndëshkojë me gjobë shtetasit që refuzojnë të votojnë. Edhe në rast se politika e djathtë dhe e majtë vendos për votim të detyrueshëm të shtetasve shqiptarë, ata që do refuzojnë nuk do të gjobiten. Këtë e bëri dje të ditur Kryeministri Sali Berisha përmes zëdhënëses znj. Juela Meçani, e cila përgënjeshtroi disa media, të cilat anançuan lajmin se do të dënohen ata që nuk votojnë. Zëdhënësja Meçani bëri të ditur se "në shtypin e ditës, disa të përditshme të kontrolluara nga opozita dolën me titujt, sipas të cilëve, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z. Sali Berisha, ka thënë gjatë konferencës për shtyp, ku bëri bilancin e 7-mujorit të qeverisjes, se do të dënohen apo do të gjobiten ata që nuk votojnë". "Një deklaratë e tillë, - vijoi Meçani, - nuk është bërë nga Kryeministri Berisha në asnjë rast, e vetmja deklaratë e bërë nga Kryeministri Berisha dje ka qenë mbi pajisjen e qytetarëve shqiptarë me letërnjoftimet elektronike". Ajo shtoi se "çdo variant i këtyre të përditshmeve mbi deklaratat e Kryeministrit Berisha është një trillim fund e krye". Sipas Meçanit, "edhe pse në disa vende demokratike përdoret dhe zbatohet votimi i detyruar, Kryeministri Berisha as nuk e ka deklaruar dhe as nuk do të deklarojë diçka të tillë". Para dy ditësh kreu i qeverisë foli për një kompromis mes pozitës dhe opozitës për përmirësimet që do i bëhen Kodit të ri Elektoral, që ka të bëjë me procesin e ardhshëm zgjedhor të qershorit 2009. Nisur nga fakti se sa herë që zhvillohen zgjedhje në vend, një masë e gjerë qytetarësh nuk shkojnë për të votuar, ky problem mund të rregullohet vetëm me përmirësimet që do i bëhen Kodit të ri Elektoral. Por gjithnjë nëse opozita jep konsensusin e saj. “Një problem për procesin zgjedhor janë personat që nuk shkojnë në votime dhe për këtë mund të përcaktohen sanksione ligjore. Ka një grup njerëzish që nuk votojnë, por unë mendoj se së bashku me opozitën mund të përcaktojmë një sanksion ligjor për këtë rast, kurse për ata që duan të votojnë i siguroj se do t’i kenë gati dokumentet e kartave të identitetit”, - u shpreh z. Berisha. Kreu i qeverisë shpreson në gjetjen e frymës së bashkëpunimit me opozitën për ato që janë interes i përbashkët i të dyja palëve. Berisha siguroi se mazhoranca nuk ka më shumë interes se opozita për Kodin e ri Elektoral. Gjithnjë e më shumë qytetarët po refuzojnë të shkojnë në votime, një fenomen ky gjithnjë e më i përsëritshëm në vendim tonë. Nisur nga ky fakt, mazhoranca i propozon opozitës votimin e detyrueshëm të shtetasve shqiptarë, por pa e ndëshkuar me gjobë në rast se refuzon sërish procesin e votimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›