E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spiunët, Berisha: Shpresoj në kompromisin e opozitës



Mazhoranca beson se opozita do të japë konsensusin e saj për votimin e ligjit të ish-sigurimsave të Shtetit. Duke këmbëngulur për një ligj konsensual, Kryeministri Berisha shtroi nevojën për mirëkuptim dhe përpjekje nga të dyja palët. Gjatë analizës 7-mujore të qeverisë së tij, Berisha deklaroi se "ne do të bëjmë përpjekje me opozitën që t'i japim zgjidhje këtij problemi dhe është në interesin më të mirë të saj që t'i jepet një zgjidhje. Ne e shtymë miratimin e ligjit me shpresën e vetme që të gjejmë konsensus me opozitën dhe jemi të hapur ta bëjmë këtë. Por nëse ne pranojmë që të mos bëjmë verifikimin bëhemi qesharakë". Projektligji "Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë shtetërore", i paraqitur fillimisht në Komisionin e Ligjeve në tre variante të ndryshme, propozime të tre grupeve parlamentare PD, PS dhe PDK, ende nuk është prezantuar në seancë parlamentare si një draft integral. Kryeministri Sali Berisha u shpreh optimist gjatë një konference për shtyp, dy ditë më parë për gjetjen e konsensusit me opozitën lidhur me miratimin e ligjit "Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë", i njohur ndryshe si “hapja e dosjeve për ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit gjatë periudhës së komunizmit”. Debati për këtë çështje, i lënë në mes në fund të sesionit parlamentar të pranverës, pritet të rihapet me fillimin e punimeve të Kuvendit në shtator. Kreu i qeverisë u shpreh i vendosur për ta çuar këtë proces deri në fund. Gjatë analizës 7-mujore të punës së qeverisë z. Berisha e konsideroi çështjen si "një problem që do zgjidhje dhe jo mbyllje", ndërkohë që kritikoi qëndrimet e deritanishme jokonsensuale të opozitës. Kjo e fundit, në kontestimin që i bën projektligjit, kërkon që personat të cilët i janë nënshtruar njëherë verifikimit, përmes ligjeve të mëparshme, nuk duhet të verifikohen përsëri. Ndërkohë për demokratët në rast se një person është kontrolluar dhe ka dalë "i pastër", nuk ka përse të mos kontrollohet përsëri. Ndërsa çështja e dytë, për të cilën palët nuk bien dakord, lidhet me faktin nëse duhet të ndërpritet ose jo mandati i personave që rezultojnë të implikuar, pas hapjes së dosjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›