E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma, rritje fondesh për sistemin e Drejtësisë

Reforma në Drejtësi ka parashikuar edhe një detaj të rëndësishëm, anën financiare. Për të garantuar një mirëfunksionim të sistemit të drejtësisë në tërësi, është parë e domosdoshme një mbështetje e posaçme financiare e këtij sistemi, sipas një plani veprimi të shtirë në një hark kohor shumëvjeçar, duke u nisur nga përcaktimi i një niveli financiar si një përqindje e caktuar e PPB-së. Kjo pikë do të mbështetet nga çdo qeveri që do të jetë në pushtet. Mbështetja financiare në mënyrë të posaçme do të adresojë nevojat që ka sistemi për përgjegjësitë penale, rihapjen e spitalit psikiatrik për të sëmurët mendorë që kanë kryer vepra penale, që në mënyrë të paligjshme mbahen në spitalet e burgjeve. Do të mbështeten financiarisht zyrat e përmbarimit gjyqësor me të gjitha mjetet e mundshme që jep ligji për një ekzekutim të shpejtë të vendimit të gjykatave. Zgjidhja alternative e mosmarrëveshjeve ndikon direkt në përmirësimin e zbatueshmërisë së të drejtës së individit për një gjykim të drejtë dhe në një kohë të arsyeshme, në përdorimin më efektiv të burimeve njerëzore, dhe në uljen e ngarkesës së punës e të kostos se proceseve gjyqësore. Si e tillë është menduar një formë që duhet inkurajuar nga ana e organeve publike e private. Një shtrirje dhe aplikim i suksesshëm i formave të zgjidhjes alternative të konflikteve do të këtë një ndikim pozitiv në dhënien e drejtësisë në përgjithësi. Do të synohet krijimi i lehtësirave apo inkurajimit të subjekteve që ofrojnë shërbimet e arbitrimit dhe pajtimit. Në veçanti, inkurajimi i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë për ngritjen pranë tyre të ndërmjetësimit dhe arbitrazhit tregtar. Krijimi i një sistemi certifikimi të cilësisë profesionale të ndërmjetësve dhe arbitrave, si dhe të organizatave që ofrojnë shërbime të tilla, krahas ofrimit të mundësive për trajnim nga Shkolla e Magjistraturës. Deputetët kanë arsyetuar se rrënjët dhe mangësitë e sistemit të drejtësisë shqiptare duhen kërkuar edhe tek mungesat serioze që shfaq arsimi juridik, i cili pavarësisht masivitetit të vënë re gjatë tranzicionit, nuk po i përgjigjet kohës. Do të përcaktohen kritere strikte akademike dhe një kontroll i vazhdueshëm mbi fakultetet e drejtësisë mbi njohuritë që jetën në shkolla. Përcaktimi i kurrikulave në bazë të një programi tepër specifik për punonjësit e sistemit të drejtësisë. Kjo synon që të krijojë një bazë për punonjësit e sistemit të drejtësisë më të arsimuar dhe të përgjegjshëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›