E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungesë strategjie apo kryeneçësi e Edi Ramës?!

Agim Neza

Futja e opozitës në Parlament ishte një reflektim pozitiv i PS-së dhe liderit të saj Edi Rama, duke marrë parasysh jo vetëm interesimin e faktorit të brendshëm, por edhe atë ndërkombëtar dhe në veçanti pjesëmarrjen e Ambasadorëve të huaj në seancën parlamentare, që dukej se kishte më shumë rendësi për “thyerjen e bojkotit” të PS-së, sesa për betimin e deputetëve. Buzëqeshja e Ambasadorëve të huaj dhe gëzimi i tyre, me shpresën se u zgjidh ngërçi politik, do të ishte i përkohshëm. Kjo për faktin se “ultimatumi” i liderit të PS-së ishte të depozitohen dy projekt-vendime, pastaj të bojkotonin seancën parlamentare, si dhe Ambasadorët e huaj të pranishëm në Parlament. Deputetët e PS-së, të paktën për kortezi të prisnin sa të iknin Ambasadorët e huaj nga llozha e Parlamentit! Këtij largimi nuk mund t’i rezistonin as “të pestët” (Blushi, Harasani, Bello, Malaj, Islami), alternativa e të cilëve për të hyrë në Parlament, në ato momente kishte triumfuar, ashtu siç kishte triumfuar edhe platforma e kandidatit për Kryetar Partie, zotit Maqo Lakrori.
Natyrshëm, menjëherë do të dëgjonim në ekranet televizive Blushin, Harasanin, që nuk ishin dakord përsëri me një veprim të tillë, për faktin se opozita pas gjashtë muajsh është në të njëjtin “stacion”. Në të njëjtën linjë zanore si kundërshtar i “politikës së pingpongut” të Edi Ramës, duket së është edhe kandidati për deputet i PS-së dhe juristi me përvojë Ylli Manjani, i cili hapjen e kutive e trajton në këndvështrimin ligjor, kur thekson se: “Kjo do të bënte që të krijohej një precedent i rrezikshëm, pasi do të kishim zgjedhje pa fund. Pasi të mbyllte procesin KQZ-ja, do të hapeshin kutitë e kështu me radhë do të zgjaste në pafundësi procesi zgjedhor...” Mesa duket, i konsideruar si kundërshtar i Kryetarit të PS-së, z. Manjani nuk ka pasur as mundësinë për të parë dy projektligjet. Jam i sigurt se Manjani me eksperiencën e tij si jurist, objektivitetin e tij dhe me “kokëfortësinë” e tij, siç kanë thënë e thonë në ambientet e PS-së, z. Manjani do të kishte gjetur edhe mangësi juridike apo pasaktësi të qëllimshme në këto projektligje, për të justifikuar vazhdimin e bojkotit.
Nuk dua të merrem me aspektin juridik të drafteve të dy projektligjeve, sepse PS dhe PD kanë juristë me shumë eksperiencë. Por në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit, në Nenin 2 pika 6/a thuhet: “Në rastet kur kërkohet ngritja e komisionit hetimor për hetimin e çështjeve, që lidhen me zgjedhjet e përgjithshme ose ato të qeverisjes vendore, ky komision nuk mund të ngrihet nëse kanë kaluar 6 muaj nga dita kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të përgjithshme të Kuvendit......” .
Partia Socialiste propozon “...... në çdo rast, veprimtaria e këtyre komisioneve do të pushojë ditën kur do të duhen edhe 24 muaj për përfundimin e mandateve reciprokë të Kuvendit....”
Pra çdo gjë është e qartë, afatet për krijimin e Komisionit Hetimor kanë kaluar, atëherë lind pyetja: Pse PS-ja preferoi të kalonte afati ligjor gjashtë mujor për ngritjen e Komisionit? Asnjeri nuk e pengoi PS-në të futet në Parlament dhe të kërkonte ngritjen e Komisionit Hetimor dhe shtesat përkatëse që kërkon sot. A nuk duket qesharake për çdo shqiptar dhe të huaj se si PS-ja pas gjashtë muajsh bojkot të Kuvendit, kërkon që “veprimtaria e këtyre komisioneve do të pushojë ditën kur do të duhen edhe 24 muaj për përfundimin e mandateve”? Nëse deputetët merren dy vjet me hetime, ata do të ngjasojnë më shumë si “hetues” sesa deputet!. Mesa duket për të trajtuar sa më shpejt dhe me seriozitet kërkesën e PS-së, Kryetarja e Parlamentit znj. Jozefina Topalli i ka dërguar një letër Kryetarit të PS-së zotit Rama. Në këtë letër, Kryetarja e Kuvendit informon Kreun e Socialistëve dhe grupin e deputetëve firmëtarë për ngritjen e komisionit se Konferenca e Kryetarëve të grupeve parlamentare do të mblidhet të martën, brenda afatit që parashikon ligji për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore. Për shkak të bojkotit gati 6 mujor të Parlamentit, socialistet ende nuk kanë caktuar përfaqësuesit e tyre në kryesimin e Kuvendit, komisionet apo delegacionet parlamentare dhe as Kryetarin e Grupit të tyre parlamentar. Për këtë arsye, në letrën e saj, Jozefina Topalli, duke informuar kreun socialist për mbledhjen e Konferencës së Kryetareve të grupeve, i shkruan z. Edi Rama se do të dëshironte pjesëmarrjen në mbledhje të Kryetarit të Grupit parlamentar socialist. Në këtë situatë vërtet “topi” (nënkupto dy projekt-vendimet e PS-së) “është në fushën e Berishës”, siç thotë Kryetari i Asamblesë dhe figura më autoritare gjatë gjithë këtyre viteve në PS, z.Gramoz Ruçi, por maxhoranca është “pa kundërshtar në fushë”. Megjithëse zëra brenda PS-së thonë se z. Ruçi me termin “topi” nënkuptonte Presidentin e vendit z. Bamir Topi? Kjo për faktin se z. Ruçi nuk mund të konsideroi Parlamentin “fushë futbolli”. Unë personalisht mendoj se z. Ruçi nënkuptonte “topin e futbollit”! Duke vazhduar me humorin e “lojës” dhe të “topit”, ka dy alternativa, njëra është se ekipi që nuk paraqitet “në fushë” humbet ndeshjen, pra ekipi që paraqitet në ndeshje, fiton ndeshjen afafe, pra merr tri pikët!. Varianti tjetër; me këtë lloj “skeme”, opozita duhet të jetë e përgatitur se maxhorancës nuk i mbetët gjë tjetër veçse me “topin që ka në fushë”, të “shënojë gola me portën bosh”! Pra nëse opozita nuk do të marrë pjesë në Mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve dhe nuk do të jetë e pranishme në Parlament ditët dhe javët e ardhshme, atëherë gjasat janë se do të kemi më shumë prononcime ndërkombëtarësh, prononcime në distancë të maxhorancës dhe opozitës dhe ajo që do të mungojë do të jetë zgjidhja e ngërçit politik.
Loja me hyrjen dhe daljen nga Parlamenti të PS-së të ngjason me vajtjen për gjueti peshku me peshkarexhë, ku peshkatari “hedh rrjetën për të kapur peshk” (nënkupto dorëzimin e dy projekt-vendimeve të PS-së) dhe ikën për të mos pasur idenë se kur do të kthehesh, madje as për të parë nëse ke “kapur ndonjë cironkë”! Veprimet e opozitës në këto gjashtë muaj ngjasojnë me këngën e kënduar nga grupi “ëestside Family” & Edi Rama, “Zhurmë... zhurmë... shumë.. shumë... zhurmë...”, që nënkupton se “suksesi i madh” ishte se si rezultat i bojkotit në Shqipëri vërshuan një “tabor” përfaqësuesish të Këshillit të Evropës, që duket se po na “qajnë” më shumë hallin Ne, sesa Ne vetes tonë për anëtarësimin në BE dhe lëvizjen e shqiptarëve pa viza. Ajo që të bie në sy është se Edi Rama ka arritur të forcojë pozitat e tij në Parti dhe dominon mendimin te grupi i tij parlamentar prej 60 deputetësh. Nuk mund të thuash se Edi Rama është pa vizion, por për mendimin tim nuk ka asnjë strategji bindëse për të arritur atje ku dëshiron Ai.
Konkretisht; Edi Rama është kontradiktor me vetveten, kur thotë se Ai(Rama) kërkon hapjen e kutive të votimit, por nuk kërkon të përmbysë rezultatin përfundimtar dhe as shfuqizimin e zgjedhjeve. Pra logjika e thjeshtë është se lideri i PS-së, Edi Rama, është i sigurt se ka manipulim në kutitë e votimit, përderisa insiston që ato të hapen. Për çdo shqiptar, qoftë ky i pavarur, i djathtë, e aq më tepër i majtë, iu lind pyetja: - Si mundet që Edi Rama të legjitimojë zgjedhjet, Parlamentin, Qeverinë, nëse në kutitë që po kërkon të hap do të zbulohet manipulimi i votës?. Që në këtë moment, Edi Rama jo vetëm që është duke humbur çdo ditë mbështetjen e elektoratit të tij, por edhe në kuadrin ligjor është kryekëput kundër kauzës që Ai bluan në trurin e tij dhe bëhet i pabesueshëm edhe për ndërkombëtarët. Pra Edi Rama kërkon “drejtësi” për të bërë “padrejtësi” me ligjin. Elektorati i majtë dhe shqiptarët në përgjithësi, tashmë janë lodhur me zhurmnajën “hapje dhe mbyllje kutish”, gjë që nuk është ligjërisht as në dorë të Sali Berishës dhe as të Edi Ramës. Mendoj se ajo që kërkojnë shqiptarët dhe elektorati i majtë në veçanti është një opozitë e fortë për rritjen e standardit të jetesës që përfshin; punësim, shërbim më të mirë shëndetësor, të kërkojë nga organet e drejtësisë zbatim të ligjit për qytetarët, luftë ndaj korrupsionit, moslejimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike, gjer kur të rritet më shumë niveli i jetesës, furnizimin me ujë, të kërkosh nga qeveritarët të ndihmojnë fermerët që të mos iu prishet prodhimi, dhe të gjenden mënyra për t’ia tregtuar prodhimin e tyre si dhe probleme të tjera që shqetësojnë qytetarin shqiptar...etj. Kur janë gjithë këto halle, me të cilat ndeshen qytetarët në jetën e përditshme, në këto momente të krijohet përshtypja se të gjithë janë kundërshtarë të Edi Ramës dhe natyrisht këtë përgjigje duhet ta japë vet Edi Rama, jo për Sali Berishën që ndodhet në fushën e lojës (Parlament), por për elektoratin e tij dhe të atyre miqve të tij ndërkombëtar, që duan ta shohin Partinë Socialiste një forcë serioze dhe të vijnë në pushtet sa më shpejt. Nëse Edi Rama nuk ka besim te vendimi i Kolegjit Zgjedhor? Nëse nuk ka besim t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese? Nëse nuk ka besim t’i drejtohet Prokurorisë dhe Prokurores së Përgjithshme? Nëse nuk ka besim te Presidenti i Republikës edhe si Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë? Nëse nuk ka besim te Këshilli i Evropës? Nëse nuk ka besim te Komisioni i Venecias? Nëse nuk ka besim tek OSBE/ODHIR? Atëherë nëse të gjithë këto Institucione janë “padrejtësisht” kundër Kryetarit të PS-së Edi Rama, atëherë ai duhet ta shikojë të keqen brenda vetes dhe stafit të tij!
Për mendimin tim, nëse Edi Rama vazhdon të drejtojë pa pasur një strategji dhe të drejtojë me kryeneçësi apo “sms” partinë, Ai natyrshëm do jetë përsëri në krye të Partisë, por Partisë Socialiste do t’i duhet shumë kohë për të ardhur në pushtet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›