Kriza dhe sfidat e financave publike
Adrian CIVICI
Në këto 2-3 javët e fundit, debatet dhe shqetësimet për krizën financiare globale, duket se po spostohen në një drejtim tjetër. Nëse kriza e tregjeve dhe institucioneve financiare duket e tejkaluar, apo më e pakta nën kontroll, në horizont duket se ka lindur një shqetësim i madh dhe një sfidë e re që duhet përballuar: disekuilibri i financave publike. Viti 2010 ka filluar me një dinamikë e me pikëpyetje të reja. Pikërisht, investimet dhe ndërhyrjet e mëdha publike, instrumenti që ndihmoi për të luftuar krizën financiare, duket se tani po bëhet pengesë për të nxitur rritjen ekonomike dhe rigjallëruar sektorët më të rëndësishëm prodhues të ekonomive evropiane e botërore. Në fillim të krizës u mendua se skenari më i mundshëm ishte ai i ndërhyrjes dhe mbështetjes me fonde publike të bankave dhe tregjeve financiare, i mbështetjes po nga këto fonde të degëve të caktuara të industrisë apo biznesit në përgjithësi, etj. Të gjithë dukeshin të bindur se faza tjetër “post-krizë” do të menaxhohej duke pasur një trend pozitiv të rritjes ekonomike, riekuilibruar këto fonde publike dhe pranuar një inflacion të kontrolluar jo shumë të rrezikshëm.
E njëjta logjikë dhe argument mbizotëron aktualisht edhe në Shqipëri. Të paktën nga Qeveria dhe një pjesë e analistëve ekonomikë, vlerësohet se kriza tashmë ka kaluar dhe 2010 e 2011 pritet të jenë vitet e rigjallërimit të shpejtë ekonomik. Përmirësimi i shumë treguesve makroekonomikë, përfshirë këtu edhe reduktimin e shpejtë të deficitit buxhetor mendohet se janë lehtësisht të mundshme në 1-2 vitet e ardhshme. Shkurtimi me rreth 30 miliardë lekë i të ardhurave dhe shpenzimeve në buxhetin e vitit 2010 dhe rishikimet në parashikimet buxhetore 2011-2013, duket se synon hapur kontrollin e gjendjes së deficitit buxhetor nga ana e Qeverisë. Megjithatë, realiteti evropian dhe ai ndërkombëtar duket se po ofron një skenar tjetër më të vështirë dhe më të paparashikuar në gjithë dimensionet e tij. Një skenar që duhet ndjekur me kujdes e kuptuar qartë, sepse direkt apo indirekt mund të ndikojë edhe në ecurinë e ekuilibrit të financave publike në Shqipëri.
Kriza greke, e shprehur totalisht si krizë e financave publike dhe vështirësitë që duket se po shtohen çdo ditë e më tepër për ta kaluar sa më shpejt atë, hapi “kutinë e Pandorës” për një fenomen delikat që dukej i tejkaluar, sidomos në vendet e BE-së që vepronin nën survejimin e rreptë të kritereve të Manstrihtit. Por, po të bëhej fjalë vetëm për Greqinë, Prodhimi i Brendshëm Bruto i së cilës zë më pak se 3% të atij evropian, çështja ishte më e lehtë për t’u zgjidhur. Ndërkohë, çdo ditë e më tepër po evidentohet se edhe borxhi publik i Italisë, Spanjës, Portugalisë, Irlandës, etj., është në nivele shqetësuese. Pjesa më e madhe e vendeve të zonës euro ndodhen aktualisht me një borxh publik më të madh se 60% të PBB-së, që është dhe “tavani” i përcaktuar në Paktin e Stabilitetit të BE-së. Por edhe vende jashtë zonës euro si Britania e Madhe, Japonia, e cila e ka borxhin publik në shifrat 200% në raport me PBB të saj, apo 33 vendet e OECD që kanë një borxh publik në shifrat e 90% të PBB të tyre, etj., duket se po bëhen gati të përballen me domosdoshmërinë e politikave drastike për reduktimin e deficiteve të financave publike.
E gjithë kjo situatë problematike e financave publike mund të shpjegohet apo interpretohet edhe si reagim ndaj krizës financiare dhe “masave speciale” të ndërmarra për përballimin e saj. Edhe në Shqipëri, ishin investimet e mëdha publike, të realizuara kryesisht gjatë gjashtëmujorit të parë të 2009, ato që në një farë mënyre e zbutën efektin e krizës globale financiare, por duke krijuar të njëjtin precedent me financat publike. Në fund të vitit 2009, ne rezultuam me një deficit buxhetor rreth 70-80% më të madh se deficiti i planifikuar, duke u detyruar të bëjmë “manovrime” të shumta, për të rezultuar me një buxhet sa më të ekuilibruar. Ndërkohë që për vitin 2010 kemi varur shumë shpresa tek emetimi i eurobondeve dhe sigurimin e një borxhi shtetëror prej rreth 300-350 milionë eurosh, si pasojë e këtij mekanizmi. Problemi kryesor nuk qëndron te realizimi i këtij operacioni, aq më tepër që pritet të asistohemi nga dy banka prestigjoze ndërkombëtare “JP Morgan” dhe “Deutche Bank”, por te destinacioni i përdorimit të tij. Ne deklarojmë se mbi 200 milionë euro të pritshme nga emetimi i eurobonove do të shkojnë menjëherë për shlyerjen e kredisë sindikale, të marrë në maj 2009 për financimin e rrugës Durrës-Kukës, ndërsa 150 milionë të tjera për nevojat e buxhetit. Në teorinë dhe praktikën ekonomike të shumë vendeve konsiderohet me risk “marrja e borxheve të reja për të shlyer borxhet e vjetra”, si dhe “përdorimi i borxheve të marra në monedha të forta për rritjen e shpenzimeve qeveritare apo për politika të mbështetjes sociale”. Në ekonomitë e vogla dhe në ato të vendeve të varfra apo në zhvillim, borxhet e marra në një monedhë të fortë të krijojnë për një periudhë afat-shkurtër imazhin e një zhvillimi të shpejtë ose të një gjendje të kënaqshme ekonomike, por në një periudhë afat-mesme e afat-gjatë, kur duhet të fillojë shlyerja e tyre, situata financiare mund të komplikohet nëse vendi rezulton me një deficit të lartë tregtar, me deficit në bilancin e pagesave, me borxh të brendshëm të lartë dhe me një ekonomi jo kompetitive në tregjet ndërkombëtare. Sa më shumë që një ekonomi bie në këtë rreth vicioz, aq më problematike bëhet ajo në menaxhimin e financave publike, duke shtuar nivelin e riskut dhe duke qenë e detyruar që jo vetëm të vazhdojë të marrë borxh për të shlyer borxhet ekzistuese, por edhe që të pranojë norma interesi gjithnjë e më të larta nga kreditorët ndërkombëtarë, duke e rritur shumë faturën dhe koston e borxhit.
Forumi Ekonomik Botëror, në raportin e janarit 2010 nënvizonte dukshëm se “nëse nuk tregohet vëmendje dhe kujdes maksimal, borxhet publike kolosale, të përkeqësuara akoma më shumë nga planet dhe politikat e shpëtimit anti-krizë, mund të jenë në origjinë të një krize të re ekonomiko-financiare”. Si veprimi më urgjent për shumë Qeveri të botës duket se është “reduktimi i deficiteve fiskale dhe një qëndrim sa më i përmbajtur në kërkesat për borxh shtetëror”. Edhe FMN, në një dokument të saj të publikuar para disa ditësh, të titulluar “Dalja nga politikat e ndërhyrjes kundra krizës”, propozon një seri masash të domosdoshme për shëndoshjen e financave publike të çdo vendi. Sipas saj, në vitet në vazhdim, në nivel botëror “borxhet publike pritet të arrijnë në 109% të PBB”. Në këtë kuadër, FMN rekomandon që çdo Qeveri të tentojë ta ulë nën 60% borxhin e saj publik në 3-4 vitet në vazhdim, deficitin buxhetor nën 3.7%, të reduktojë shpenzimet publike, sidomos shpenzimet qeveritare dhe ato që nuk konsiderohen prioritare, të stabilizojë shpenzimet për shëndetin dhe mbrojtjen sociale.
Situata e re që duket në horizont ka bërë që në nivelet më të larta të hapet një debat i ri teorik dhe doktrinar, në lidhje me vlerësimin për nivelin e pranuar të inflacionit. Dogma e bankave qendrore se “inflacioni është burim instabiliteti dhe frenues i rritjes ekonomike”, apo siç quhet ndryshe në këto 25 vitet e fundit edhe “slogani i shenjtë” i makroekonomisë, mund të rivihet në diskutim në kërkim të përballimit dhe daljes sa më të shpejtë nga kjo situatë e ekonomisë dhe financave. Këtë debat e rihapi së fundi një nga drejtuesit më të lartë të FMN O.Blanchard, i cili theksoi se “vendimmarrësit duhet të pranojnë një normë më të lartë inflacioni, në mënyrë që të zmadhojnë mundësinë e manovrimit të politikave monetare”. Me fjalë të tjera, krijimi i më shumë mundësive për politikat monetare që të mbështesin rritjen ekonomike dhe punësimin në rastet e krizave të ngjashme financiare si kjo aktuale. Në kushtet e sotme, kur shumë banka qendrore i kanë çuar pothuajse afër zeros normat e tyre të interesit, ato ndihen të çarmatosura në armën e tyre kryesore, “manovrimin me normën bazë të interesit”, duke qenë të detyruara të luftojnë kundër spiraleve deflacioniste dhe uljes së çmimeve, të cilat dekurajojnë investimet dhe konsumin. Kundër këtij qëndrimi shprehet e vendosur Banka Qendrore Evropiane, e cila konfirmon se objektivi i mbajtjes nën kontroll të inflacionit, sipas kritereve të Manstrihtit ,është i padiskutueshëm për momentin. Nga ana e tij, O.Emminger, ish-president i Bundesbank e përmbledh në mënyrë lakonike pozicionin evropian, “kush flirton me inflacionin, mund të gjendet shpejt i martuar me të”. Por ka edhe mendime të kundërta, siç është rasti i V.R.Flores, drejtore ekonomike për Evropën në Bankën Societe Generale, që thotë se “pranimi i një norme më të lartë inflacioni është e keqja më e vogël, për të arritur që të zvogëlojmë borxhet publike n.q.s nuk duam të biem në një skenar të tipit japonez në një luftë kronike kundër deflacionit”. Hapja e këtij debati, të konsideruar prej më shumë se 30 vitesh si “tabu” në shkencat ekonomike, tregon se situata post-krizë kërkon ndryshime rrënjësore si në konceptet teorike, ashtu edhe në politikat konkrete ekonomike e financiare në të gjitha rangjet dhe nivelet.