Ministria e Bujqësisë, kontroll për vajin e importuar nga Greqia
Ministria e Bujqësisë nisi dje inspektimin ushqimor që do të verifikojë dhe kontrollojë sigurinë e të gjitha importeve të vajit që kanë hyrë në tregun vendas muajt e fundit. Sipas MBUMK-së, në tregun ushqimor shqiptar nuk ka hyrë asnjë sasi vaji i ndotur, jo vetëm nga Ukraina, por nga asnjë shtet tjetër. Duke iu referuar faktit se dy ditë më parë autoritetet greke bllokuan në Selanik, një sasi vaji të importuar nga Ukraina, që dyshohet të jetë i papërdorshëm, burime të MBUMK-së njoftuan dje se, "në doganat shqiptare të gjitha importet ushqimore, duke përfshirë dhe vajin, u nënshtrohen kontrollit dhe analizave. Vetëm pasi garantojnë parametrat e sigurisë dhe cilësinë ushqimore, ato lejohen të hyjnë në tregun shqiptar”. Ky dikaster, shpjegoi se sasia e vajit të bllokuar nga Sektori i Kontrollit Ushqimor (EFET) pranë Ministrisë greke të Zhvillimit, kishte përmbajtje të lartë të lëndës së dioksinit dhe ishte importuar nga Ukraina dhe kishte destinacion vendet e Europës Juglindore, veçanërisht Shqipërinë dhe Greqinë. Ministria e Bujqësisë greke bllokoi dje rreth 1.182 tonë vaj luledielli, i cili në përbërjen e tij kishte përqindje tepër të lartë dioksinës, pasi ka rezultuar se është përzier në sasi të mëdha me vaj lubrifikant automjetesh. Në listën e 16 kompanive tregtare që kanë shpërndarë këtë vaj në treg dhe që u publikuan nga gazeta “Ethnos” ndodhet edhe emri i kompanisë shqiptare “Dessina Balkan” nga Korça.
10 Maj 2008