Berisha: Ka një afat 2 javor për zgjidhjen, do respektohet kushtetuta dhe ligji

Kryeministri Sali Berisha zotohet për zgjidhje politike të ngërçit, në respekt me Kushtetutën dhe sipas kuadrit ligjor në fuqi. Kreu i qeverisë shqiptare tha se do të zbatohet me përpikmëri rekomandimi i ndërkombëtarëve, për gjetjen e një rrugë-zgjidhje brenda 2 apo tre javëve. Kryeministri Berisha bëri këto komente pas pjesëmarrjes në një konferencë për arsimin. “është lënë dy javë kohë për gjetjen e një zgjidhje. Deklaroj edhe njëherë se zgjidhja, duhet të jetë në respekt të plotë me Kushtetutën e vendit”- u shpreh shefi i ekzekutivit Berisha. “Pa diskutim ka një vendosmëri dhe vullnet të padiskutueshëm që në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe vendimet e gjykatave të këtij vendi , të cilat mundësojnë tu jepet përgjigje dinjitoze çdo force politike dhe çdo qytetari të Shqipërisë, çdo gjë është e mundshme. Unë mendoj se qeveria në përputhje me të gjithë përcaktimet kushtetuese ligjore të vendit është e gatshme për çdo kompromis, normal pa asnjë lloj hezitimi. Përveç Kushtetutës, ligjeve dhe vendimeve të gjykatave, unë lëshoj në çdo pikë. Unë nuk di ndonjë pikë, ku unë nuk mund të lëshoj. Në të gjitha sipas këtyre përcaktimeve. është normale. Siç e dini, nuk ka vakum ligjor. Gjërat janë qartësisht të përcaktuara. është shumë e rëndësishme që cilido që dëshiron të përfitojë nga hapësirat e mëdha që krijojnë ligjet e vendit, Kushtetuta e vendit, vendime të tjera. Unë kam besim se kjo do të ndodhë. Unë vlerësoj çdo përpjekje të cilitdo që të përfitojë nga ato çka garantojnë ligjet. Ligji garanton plotësisht dhe tërësisht shqyrtimin nga secili prej jush, nga secila forcë politike të materialit zgjedhor, të arkivuar sipas rregullave në arkiv dhe çdo të drejtë tjetër, të cilën ligji i njeh gjithkujt, unë kam provuar tu respektoj liritë dhe të drejtat e çdo njeriu. I respektoj ato me vendosmërinë më të madhe”- deklaroi kryeministri Sali Berisha. Vendosmërinë për zgjidhjen e menjëhershme të situatës politike kreu i qeverisë Berisha e shprehu dhe dje, menjëherë pas kthimit nga Strasburgu.
...