Mbi plagjiaturën artistike të Edi Ramës me projektin e bojaxhinjve “Favelas Painting”
është vështirë për një të huaj, i cili vendos të vizitojë Shqipërinë, të mos zbarkojë në Tiranë dhe të ndeshet me diçka që ka parë në Brazil. Kuptohet vetiu se nuk është futbolli i ndeshjeve spektakolare të kampionatit të falsifikuar shqiptar, as ndonjë lojtar xhonglues si Ronaldinjo, por diçka më neveritëse, bile kllouneske që na bashkon në fasadat e pallateve të të dy kryeqyteve. Dhe fasada është një mekanizëm në art që e poshtëron përmbajtjen, identitetin shpirtëror, historik dhe kulturor. Fasadat e qytetit të Tiranës janë principi i shndërruar në demagogji, prej së cilës pritet vetëm fryti i përdorimit të përkohshëm dhe njëkohësisht nuk merret prej askujt në konsideratë dëmi.
është thënë shumë herë se Edi Rama nuk kishte vizion modern për ri-vitalizimin kapilar dhe sistematik të kryeqytetit, por u mjaftua mjerisht të rrënonte fasadat e ndërtesave të hirta të stilit stalinist të blloqeve me apartamente të Tiranës dhe i leu ato me ngjyra të ndezura, ngjyra karaibiane a holandeze, duke i shndërruar ndërtesat në mballosje blush, jeshilesh, portokallie, jargavanësh, të verdhash e të kuqesh, dhe e ktheu qytetin, pothuajse në një model të favelave periferike të Brazilit. Ishte një gjest ekstravagant, por Rama mendon përmes gjesteve ekstravagante sepse e vërteta është kështu: nëse shkohet në sajtin zyrtar të favelapainting.com mund të shohim një përngjashmëri të çuditshme me projektin e lyerjes së fasadave të Tiranës me ato të projektit holandez për të ri-vitalizuar periferitë e qytetit brazilian, Rio de Janeiro, çka do të bënte të dyshonte edhe më naivin në këtë vend. Si ka mundësi, që i njëjti projekt ndodhet edhe në favelas të Brazilit? Por ja që ka mundësi.
Ndonëse ka një ndryshim të qartë midis ereksioneve artistike të fasadave të pallateve në mes të Tiranës dhe kozmetikës së parafabrikateve trekatëshe në periferitë me (ose favelas-barake) të Brazilit, është e pashpjegueshme pse janë frymëzuar në të njëjtin projekt bazik holandez.
Sidoqoftë këtu kemi artistët Anri Sala e Edi Rama, kurse atje kemi artistët holandezë Jeroen Koolhaas dhe Dre Urhahn, me grupin e tyre të emërtuar Haas&Hahn. Ne nuk e dimë me siguri nëse Edi Rama dhe Anri Sala bëjnë pjesë në fondacionin holandezo-brazilian “Praça Cantão”, që ka në projekt “Favela Painting”. Ministria e Kulturës holandeze financon këto projekte në të gjithë botën, kurse nuk kemi transparencë nëse Edi Rama dhe Anri Sala bëjnë pjesë në këtë projekt për të lyer fasadat e periferive të botës, apo nëse Edi Rama dhe Anri Sala e kanë quajtur të denjë Tiranën për projektin “favelas painting”. Si ka mundësi që të jetë eksportuar apo importuar një art që është për të mbuluar mjerimin me një buzëkuq fytyrës së një qyteti?
Rasti i ballinave të Tiranës është ideal, sepse jo vetëm që është i kompletuar në këtë aspekt, por edhe sepse ofron mundësinë për të kuptuar sesi mund të përdhunohet një qytet. Dimensioni tjetër i kërcënuar prej kësaj filozofie të fasadës, është nihilizmi i vlerave arkitekturore dhe mohimi i gjithanshëm i harmonisë.
Sot fytyra e pallateve të ngjyrosura me aq dëshirë nga bashkia përfshi këtu edhe shiritat, ku kanë filluar të dalin boje nga dielli i nxehtë i verës dhe shirat e stinëve të ndryshme. Sot copëza të Tiranës kanë mbetur nga ajo që Rama ngriti para tri vitesh, një qytet që rritet çdo ditë dhe që pretendohet që ka rreth 1 milion banorë, i ngjan projektit holandez “favelas paintig” (ëëë.favelapainting.com)
Kryeqyteti laraman nga larg ngjan për bukuri, por edhe ky iluzion që dukej, shuhet menjëherë sa t’i shohësh nga afër. Bashkia pa ndonjë harxh të madhe ngjiti gjithandej ngjyrat që deri ishin përdorur vetëm në vizatimet e fëmijëve parashkollor.
Tirana është bërë e njohur në arenën ndërkombëtare për projektin e lyerjes së fasadave, të nisur nga Kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama, një ish-piktor dhe artist. Meqenëse citatet e huaja thonë se artistët e mirë kopjojnë, kurse artistët e shkëlqyer vjedhin. Në rastin e fasadave të Tiranës, ato janë dubluar po me të njëjtin konceptim në periferitë e Brazilit.