Koha e grevës/Shkuan për lesh e dolën të qethur
Rrëmujë e shkuar rrëmujës, o Perëndi. Pa feksur sabahu nisin haberet e TV-ve të kryeqytetit. Dhe as që dihej nëse kjo opozitë do të vinte një ditë në binarë. Kishin humbur qentë tek hani i “Dy Dashëve”. Kishin humbur hartat e ca shesheve të ndërtimit. Kishin humbur rrugës për në seli Taulanti tabutgjati. Kur mbërriti, dëgjoi zëra që thoshin: “Këtu është qendra e botës së parasë”. “Jo thoshte tjetri, këtu është qendra që ka mbledhur të gjithë të korruptuarit e botës” dhe bam, i binte tokës me këmbë. As të shesheve të ndërtimit, as të korrupsionit, por të drogës dhe prostitucionit, që i paçim uratën, hidhej i treti, dhe bam, edhe ai - jo me çizme, por me këpucë fine. Këto e të tjera si këto tregoheshin në ditët e fundprillit në kafenetë e vetme të kryeqytetit. Rrëfeheshin gjithfarë lajmesh. Ca thoshin se Edi më në fund e kishte ndarë mendjen, do të dilte malit. Hidhej një i tretë dhe thoshte: “Jo, po nuk gjeti hartat e humbura dhe vulat e sheshit të Skënderbeut, Edi do qëndrojë, është ende në dilemë”. Ca thoshin se ishte gjetur edhe ndërmjetësi që kërkohej për të mos lejuar Edin të shkonte në mal. Ca thoshin se ishte spanjoll, të tjerët e bënin gjerman, kishte që ngulnin këmbë që thoshin se ishte francez, grek e deri në Zululand, por ama se ishte njeri i fisëm.
Por sado që kishte mendime të ndryshme, për një gjë ishin në një mendje të gjithë: Opozita shqiptare ishte kthyer në një taborr luftarak, që po shkonte mish për top, për kryetarin dhe kryetarin e asamblesë. Taborri i deputetëve të saj kryq e tërthor nga njëri cep në tjetrin, po shkonte për lesh, por dilte i qethur deri në rrënjë.
Thanë gojët e liga se të veshur e kishin parë. Thanë më tej se e kishin parë me ca djem me brilantinë. “Nuk po ja pres veshin, por ishte një plakë e xhivarit tonë. Gjithë nur ishte, tha plaka kishte mbathur poture”. Gjerdanët me vezme, thanë gojët e liga, se vulën nuk kishin harruar ta vendosnin tek plaçkat në çantën e fushimit. Ku shkojnë këta levendë? Nuk e di nëna, malit do të shkojnë. -U nisëm për terr e bëmë terr/politikë, moj kuçkë, na bëre beterr...
Ishte në të zënë të hënës. Dhe taborri e shtyn daljen në mal në fund të prillit. Dikush u tha se janë plakat e prillit dhe moti mund të mbajë anën e Sali Berishës. E shtynë sërish daljen, diku aty nga maji. është maji - se kush tha - dhe na e zë Berisha. Taborri u kthye në të errur, në ca mullarë matanë rrugës kryesore pas kodrave për të kaluar natën. Si i vajti filli këtij rrugëtimi kaçakësh?
Thanë se ishte një këngë si zanafillë që e kishte bërë njeriun e Salarisë të ngrinte veshët përpjetë. Dua armë e municion se do shkoj... Mirëpo sa e kishte dëgjuar Edi kishte thënë: “Duhet krijuar grupi i malit”. Erdhën shoqet. Morën kapele, gjerdanë dhe vezme. Përbri në një sallë të vogël, kori i çetës filloi provat. Kënga që kishte zgjedhur celula e qytetit ishte: “Nëno moj, do dal malit” dhe përvijonte më tej: Dua armë e municion se do të shkoj/E urrej dhe unë armikun, do luftoj/Jam një vajzë deputete, vajzë mali/E kam dëshirën dhe gjoksin si të djalit. Rrobat si të Gramozit do t’i vesh/do marr belçikun që këndon vençe do ta ngjesh...
Mirëpo grupi i ndërpreu provat rreth mesnatës, pas një ankese që bëri kursi i menaxhimit të milionave për shkakun se nuk i linte të bënin për së mbari llogaritë nga sheshet e ndërtimit. Ndërkaq në seli pati zëra se në hanin e Dy Dashëve ishin parë spiunë. Ishin të veshur me zhgunë murgu. ç’duan murgjit këtej, s’ka as kometë. Ka plasur sheshit kjo puna e spiunllëkut, tha Gramozi. Nga iridet e syve, solli lotin; nga buzët dëshpërimin; nga zemra, rruzuj mallkimi. Mallkuar qofsh kush e shpiku. Orë e trishtuar, orë!
Thonë se kanë parë Takun me leshra përpjetë të mbante konferencë matanë fshatrave të rrugës kryesore. Dy gishta lart, një pëllëmbë poshtë. Duhet të jenë simbole, se kush thirri, se ky Taku që ta merrni vesh, as dy vjet nuk qëndron në një parti. Fërc andej e fërc këtej.
Këtu nuk jemi të sigurt, shkojmë në Pezë, propozoi Edi. Më parë duhet hetuar puna e atyre spiunëve tek “hani i dy Dashëve”. Duhet dërguar njeriu i Salarisë që ja di mirë këtyre marifeteve të armikut. Nëse nisemi, që me natë tha Edi, bën vaki që të piqemi në të feksur të diellit me trupat e Haxhi Qamilit andej nga Dumreja. ç’haber kemi nga trupat e T. tabugjatit. Hiçmosgjë. Pikë e zezë, se kush tha. Pastaj nën zhurmën e lodrave, britmave u dëgjuan ca thirrje “Dum Babën ...”, domethënë kohën e babës së Edvinit. Nisën të këndonin ca këngë të zymta: Për xhenet u nisëm sosëm në xhehenem/ me 130 milion euro/PS kur s’more pushtetin/na bëre verem...
Me sy të trishtuar, Edi i dëgjonte të gjitha këto. Erdhi haberi nga hani i “Dy Dashëve”:
“Kishin qenë siç e parashikuan ata, spiunë. U gjetën në mëngë të dhënat që kishin marrë për taborët e Edvinit, numrin e forcave, hartat e shesheve të ndërtimit, shumat nëpër llogari bankare. E nga të mos e merrte mendja, tha Lamçja, se çfarë bëjnë deri këtu arrijnë. Taborri e mbajti frymën në Pezë. U dëgjua kënga e luftëtarëve që ishin shtrirë nëpër mullarë”.
Për xhenet u nisëm/sosëm në xhehnem/ me 130 milion euro ne xhep?pse nuk fitove Edi, na bëre verem/Pesëdhjetë vjet rehat, doni more djem/Pse nuk fitove, na bëre verem/Rrëmbe andej/vidh këtej/pse nuk fitove, na bërë verem/Thuaj sikter Europës, si denbabaden/Në s’u bëfsh vakëf, u kthefsh në xhehenem/Pse nuk fitove, na bëre verem.......