E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Kabllogramet? Janë si akuzat e gazetave

Berisha për Wikileaks: “Kam gjetur aty një pasqyrë të shtypit të përditshëm shqiptar, të akuzave dhe ndërakuzave të ndërsjella që forcat politike adresojnë ndaj njëra-tjetrës. Unë qëndrimet e mia ndaj Wikileaks i kam shprehur”. Topi: “Për kabllogramet flasim ditët në vijim”

TIRANË Kabllogramet e ambasadës amerikane në Tiranë drejtuar Departamentit të Shtetit nuk janë gjë tjetër veçse një pasqyrë e shtypit të përditshëm shqiptar. Në këtë prizëm i ka parë kryeministri i vendit, Sali Berisha, kabllogramet e ambasadës amerikane botuar nga Wikileaks, teksa është pyetur dje nga media, gjatë një konference për shtyp të zhvilluar pas takimit me presidentin e Hondurasit, Porfirio Lobo Sosa.“Së pari, ajo që ju këshilloj është t’i lexoni sa më shumë. Së dyti, meqenëse më pyetët, kam gjetur aty një pasqyrë të shtypit të përditshëm shqiptar, të akuzave dhe ndërakuzave të ndërsjella që forcat politike adresojnë ndaj njëra-tjetrës. Unë qëndrimet e mia ndaj Wikileaks i kam shprehur. Ai është një Arsen Lupen i kohërave moderne, ka bërë një vjedhje dhe këtu nuk ndryshon qëndrimi im ndaj zotërisë, i cili nëpërmjet një operacioni të paligjshëm ka ndërhyrë në kodet e transmetimit të vendit më të madh e të fuqishëm të botës. Kjo përsa i përket atij, përsa i përket pjesës tjetër, ju them lexoni sa më shumë”, - tha dje Berisha. I gjendur në një pozicion jo shumë të përshtatshëm për të komentuar detaje delikate të publikuara në faqen e Wikileaks, Berisha shtoi sërish se ato janë thuajse plotësisht si pasqyra e shtypit shqiptar. “Ato, siç e keni parë, janë të gjitha një pasqyrë e përditshme e shtypit shqiptar, madje jo tërësisht e plotë, njëqind për qind, por aty afër”, - shtoi ai. Megjithatë, Kryeministri i vendit e bëri diferencën mes ish-ambasadorit Xhon Uidhers dhe atij aktual Aleksandër Arvizu. “Ju garantoj se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara janë të shkëlqyera, vlerësimi për ambasadorin Arvizu është i palëkundur. Ky vend mik e ka shumë të qartë qëndrimin e tij, mbështet shqiptarët e Shqipërinë dhe jo forca të caktuara politike. Tani, të komentoj për akuzat e mediave, ato janë komentuar shumë herë”, - tha ai. Ndryshe nga kreu i ekzekutivit, i cili e ka gjetur një përgjigje për kabllogramet, Presidenti i Republikës nuk ka pranuar t’i komentojë ato, të paktën për tani. “Besoj që takimi i sotëm është i tillë që na imponon që t’i largohemi me vullnet, që të mos përgjigjemi sot për këtë çështje, por duke lënë të hapur që në ditët në vazhdim të bëjmë komentet tona. Kështu që kërkoj dhe mirëkuptimin tuaj për shkak të këtij takimi që është shumë specifik me Presidentin e nderuar të Hondurasit”, - tha dje Topi, gjatë konferencës për shtyp të zhvilluar me Presidentin e Hondurasit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›