Topi: Kuvendi, jo shtojcë e qeverisë, të mos kthehet në një gjyq politik
Mesazhi i Topit: Palët politike kanë përgjegjësinë që të krijojnë klimën e besimit e të mos aplikojnë praktika denigruese dhe izoluese për pakicën, për të injoruar mendimin ndryshe apo për axhenda politike personale, të mos e kthejnë në asnjë rast e për asnjë arsye Parlamentin në gjyq politik, të mos përdorin tribunën parlamentare për të denigruar individë e familje, kategori e shtresa të popullsisë
TIRANË Edhe pse nuk ka pranuar që ta përcjellë personalisht në sallën e Kuvendit, presidenti i Republikës, Bamir Topi, nuk e ka cilësuar mesazhin e tij drejtuar Kuvendit për sesionin e ri parlamentar, një rutinë kushtetuese. Përmes një mesazhi të bërë publik në faqen zyrtare të Presidencës, kreu i shtetit, Bamir Topi, i është drejtuar dje ndërgjegjes së çdo deputeti, duke theksuar që në fillim të mesazhit, se Kuvendi është mjedisi ku më së pari presupozon pjesëmarrje si detyrim kushtetues, politik e institucional. “Për këto arsye, apeloj partitë parlamentare të heqin dorë përfundimisht nga çdo formë e bojkotit parlamentar, me pasoja të rënda për demokracinë, integritetin e Parlamentit, për qytetarët dhe për vendin! Prania aktive në Parlament kërkon klimë pozitive dhe respekt për mendimet e shprehura”,- thuhet në mesazhin e Presidentit. Presidenti i Republikës apelon gjithashtu për përgjegjësi nga politika. “Palët politike kanë përgjegjësinë që të krijojnë klimën e besimit, e të mos aplikojnë praktika denigruese dhe izoluese për pakicën, për të injoruar mendimin ndryshe apo për axhenda politike personale, të mos e kthejnë në asnjë rast e për asnjë arsye Parlamentin në gjyq politik, të mos përdorin tribunën parlamentare për të denigruar individë e familje, kategori e shtresa të popullsisë”, - shprehet ai. Për Presidentin e Republikës, qytetarët kanë nevojë të shohin një Kuvend “që bën pak propagandë dhe shumë punë, që miraton ligje kushtetuese në dobi të qytetarëve, që kontrollon qeverinë dhe nuk është shtojcë e saj, që respekton pa imponim institucionet kushtetuese, që bëhet promotor e jo pengesë për integrimin, dhe kështu, përcjell vlera e jo mosbesim te qytetarët”. “Parlamenti ynë i ka të gjitha mundësitë të shndërrohet në një zëdhënës të mirë të sovranitetit të popullit dhe tempull i demokracisë. Aty ka deputetë me përvojë parlamentare, ka personalitete akademike e shkencore, ka të rinj të diplomuar në universitete perëndimore, ka politikanë që votohen rregullisht, siç ka edhe individë me dinjitet e përkushtim. Unë kam besim dhe mbi këtë bazë dhe inkurajoj këto potenciale të veçanta parlamentare të marrin përgjegjësinë për ta shndërruar sesionin e ri parlamentar në një periudhë reformash demokratike dhe integruese”, - thuhet në mesazhin e Presidentit. Kreu i shtetit kujton gjithashtu se vetëm dy vjet më parë, Kuvendi miratoi ligjin e fundit me votim të cilësuar me konsensus midis mazhorancës dhe opozitës. “Në pjesën tjetër të aktivitetit parlamentar nuk kemi pasur më rastin të shohim bashkëpunim dypalësh dhe reforma që burojnë prej tij. Për pasojë, Shqipëria politike, tashmë anëtare në NATO, ka humbur dy vjet në një ngërç politik permanent, të lidhur me zgjedhjet e fundit parlamentare; vetë qytetarët dhe vendi kanë humbur dy vjet në përpjekjet e tyre për marrjen e ftesës drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Sot sfida është e qartë: ne kemi përpara 12 kritere politike të BE-së, të gjitha të lidhura me Parlamentin dhe ushtrimin cilësor të funksioneve të tij. Në emër të qytetarëve dhe të ndërgjegjes kombëtare, ju ftoj t’i shndërroni këto pika në prioritete të axhendës dhe aktivitetit parlamentar”, - shprehet ai. Presidenti i Republikës kujton se Shqipëria ka nevojë për dialog të qëndrueshëm, për bashkëpunim afatgjatë dhe të efektshëm midis palëve politike. “Ligje e sfida me rëndësi presin shqyrtimin e votën tuaj. Të tilla janë reforma e premtuar për kufizimin e imuniteteve kushtetuese përballë nevojës për drejtësi dhe luftë ndaj korrupsionit, reforma e premtuar në sistemin gjyqësor, ligji për funksionimin e Konferencës Gjyqësore dhe miratimin e vënien në funksion të Gjykatës Administrative, reforma e premtuar territoriale dhe lokale, reforma e premtuar e zgjidhjes së drejtë e përfundimtare të çështjes së pronësisë mbi tokën, reforma e premtuar për garantimin real të pavarësisë së administratës publike, reforma e premtuar në administrimin cilësor e profesional të Radio-Televizionit Publik Shqiptar dhe institucioneve të tjera publike, reforma e premtuar shëndetësore dhe disa fusha të tjera me ndikim direkt në jetën qytetare dhe organizimin politik e kushtetues të vendit”, - thuhet në mesazhin e Presidentit. Kreu i shtetit sjell në vëmendje faktin se retorikat politike antikorrupsion dhe ato për kufizimin e imunitetit nuk kanë vlerë ligjore, ndërkohë që, sipas tij, vendi ynë vijon të ketë ende probleme të mëdha korrupsioni. “Politika duhet të japë vetë shembullin e saj dhe kufizimi kushtetues i imunitetit është hapi i parë serioz në këtë drejtim”, shprehet Topi. Një këndvështrim i ri parlamentar nevojitet, sipas tij, edhe në raport me detyrimet ndaj institucioneve të tjera kushtetuese. “Praktika të tilla, të vonesës mëse njëvjeçare të vendimmarrjes parlamentare për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, të vonesës selektive në zëvendësimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese e Gjykatës së Lartë, nuk janë në nderin e Parlamentit dhe as në interesin e demokracisë në vend. Asnjë ndasi partiake, asnjë interes elektoral, asnjë kalkulim afatshkurtër apo afatgjatë politik, nuk duhet të pengojë Parlamentin të përmbushë detyrimet e veta në zgjedhjen e organeve kushtetuese dhe udhëheqjen politike të institucioneve politike”, - thuhet në mesazhin drejtuar Kuvendit.
N.P