Berisha-Karamanlis: S’ka asnjë çështje pezull mes dy vendeve

Konfirmohet niveli i lartë i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë. Kryeministri Karamanlis inkurajon bizneset greke të shtojnë investimet greke në Shqipëri, ndërkohë që emigrantët shqiptarë në Greqi dhe minoriteti grek këtu mbeten pikat lidhëse mes dy vendeve. Në axhendën e bisedimeve nuk flitet për çamët dhe zgjidhjen e problemeve të tyre me pronat e sekuestruara në Greqi.
Kryeministri i Greqisë, Kostas Karamanlis nisi sot në mesditë një vizitë zyrtare njëditore në Tiranë, me ftesë të Kryeministrit shqiptar, Sali Berisha. Vizita e kryeministrit grek nisi me një pritje në selinë e qeverisë shqiptare, për të vijuar më pas me një takim kokë më kokë me homologun e tij, Sali Berisha, mes të cilëve pati bisedime zyrtare dhe një konferencë të përbashkët për shtyp. Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se "mes Shqipërisë dhe Greqisë nuk ka çështje të mbetura pezull, përkundrazi ato janë zgjidhur nëpërmjet dialogut dhe bashkëpunimit". Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun e tij grek, Kostas Karamanlis, i cili ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare, Kryeministri Berisha vlerësoi mbështetjen e fuqishme të Greqisë për anëtarësimin e vendit tonë në NATO, si dhe në procesin e integrimit europian të Shqipërisë. "Ne kemi pasur gjatë këtyre viteve mbështetjen më të fuqishme dhe solidaritetin më të madh nga Greqia dhe vendet e tjera mike, pa të cilat progresi i Shqipërisë në drejtim të NATO-s dhe procesi i saj drejt integrimit europian do të ishte i pamundur", tha Kryeministri Berisha. Duke vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera politike mes dy vendeve, z. Berisha u shpreh se "dy vendet po bashkëpunojnë ngushtë në të gjitha fushat, ndërkohë që Greqia po inkurajon investitorët grekë për të investuar në Shqipëri". "Më shumë se 1 bilionë dollarë amerikanë janë investuar në Shqipëri nga investitorët grekë dhe këto investime janë kryer në disa fusha, si telekomunikacion, arsim, kujdes shëndetësor, miniera etj", tha Kryeministri Berisha. Në këtë drejtim, ai shprehu mirënjohjen për financimin që po i bëhet nga pala greke, disa projekteve në infrastrukturë në vendin tonë dhe konkretisht segmentit rrugor Konispol-Sarandë. Kreu i Qeverisë shqiptare vuri në dukje se dy vendet tona po luftojnë me sukses krimin e organizuar, ndërkohë që ekziston edhe një bashkëpunim tepër i rëndësishëm në fushën e energjisë. "Ne po luftojmë për të krijuar projekte të përbashkëta të energjisë", tha Kryeministri Berisha. Kryeministri Berisha informoi homologun grek se "Shqipëria do të aplikojë për statusin e vendit kandidat e ftuar nga Presidenca Çeke". Në këtë drejtim, z. Berisha siguroi se "Shqipëria do t'i plotësojë të gjitha standardet për zgjedhje të lira dhe të ndershme". Lidhur me integrimin e Shqipërisë në BE, Kryeministri grek, Karamanlis, siguroi Kryeministrin Berisha se "Greqia do ta mbështesë procesin e integrimit të Shqipërisë në BE". Kreu i Qeverisë shqiptare informoi mediat se "ministritë përkatëse të dy vendeve do të marrin në shqyrtim çështjen e siguracioneve të shqiptarëve që punojnë në Greqi dhe anasjelltas, shtetasve grekë që punojnë në Shqipëri". "Në bisedimet tona ne diskutuam për minoritetin grek në Shqipëri dhe emigrantët shqiptarë në Greqi. Në këtë drejtim, unë sigurova mbështetjen që qeveria shqiptare do t'i japë minoritetit grek", tha Kryeministri Berisha. Në përfundim, Kryeministri Berisha falënderoi qeverinë greke për investimet që ka bërë në zonat minoritare dhe në zona të tjera në Shqipëri.
Karamanlis inkurajon shtimin e investimeve greke në Shqipëri
Kryeministri i Greqisë, Kostas Karamanlis, inkurajoi investitorët grekë që të vijnë të investojnë në Shqipëri, duke kërkuar nga qeveria shqiptare që të krijojë lehtësirat e nevojshme në këtë drejtim. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun Berisha, Kryeministri grek theksoi nivelin e marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve, duke vlerësuar se "minoriteti grek në Shqipëri është një nyje tepër e fuqishme lidhje mes dy vendeve tona". "Ne kemi nënshkruar sot në Tiranë marrëveshjen e delimitimit të Shelfit kontinental dhe zonës detare mes dy vendeve. Disa muaj më parë kemi nënshkruar edhe marrëveshjen e varrezave për ushtarët grekë në Shqipëri. Këto dy marrëveshje sjellin një hap më cilësor në marrëdhëniet mes dy vendeve", tha Kryeministri Karamanlis. Duke u ndalur te marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve, Kryeministri Karamanlis u shpreh se "marrëdhëniet e mira në nivelin politik çojnë detyrimisht edhe në marrëdhënie tepër të mira tregtare mes dy vendeve tona". Në këtë kuadër, Kryeministri grek nënvizoi kontributin që japin emigrantët shqiptarë në Greqi, të cilët, sipas tij, "kontribuojnë si për zhvillimin e shtetit grek, ashtu edhe në sjelljen e remitancave në shtetin mëmë, Shqipëri". Kryeministri Karamanlis inkurajoi gjithashtu iniciativën e Shqipërisë për të qenë pjesëmarrëse në atë që quhet iniciativa e Athinës për sa i përket një tregu energjetik Ballkanik.
Shqipëria dhe Greqia nënshkruajnë marrëveshjen për ndarjen e ujrave detare
Shqipëria dhe Greqia nënshkruan sot marrëveshjen për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe të zonave të tjera detare, që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare. Marrëveshja mes dy vendeve u nënshkrua në selinë e Kryeministrisë, nga Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha dhe Ministrja e Jashtme e Greqisë, Dora Bakoyanis, në prani të Kryeministrit Sali Berisha dhe kryeministrit grek, Kostas Karamanlis, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë. Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë miratoi 5 ditë më parë, marrëveshjen me shtetin fqinj, e cila konsiston në përcaktimin e Shelfit Kontinental dhe të hapësirave të tjera detare mes dy vendeve. Baza ligjore për nënshkrimin e kësaj marrëveshje, e cila i shërben forcimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, është Kushtetuta e Shqipërisë dhe ligji "Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare"
Profili i kryeministrit grek Kostas Karamanlis
Karamanlis u zgjodh Kryeministër i Greqisë më 10 mars 2004, pas fitores së bujshme të partisë së tij konservatore ''Demokracia e Re'' në zgjedhjet parlamentare të 7 marsit 2004. Ai është lider i partisë së djathtë konservatore ''Demokracia e Re'', e themeluar nga xhaxhai i tij, Konstantin Karamanlis. Kostas Karamanlis fitoi një mandat të dytë pas zgjedhjeve parlamentare të 16 shtatorit 2007. Karamanlis u lind më 14 shtator 1956 dhe studioi në Universitetin e Athinës për Drejtësi dhe në kolegjin privat ''Deree''. Më pas ai kreu studime pasuniversitare në ''Fletcher School of Law and Diplomacy'' në SHBA, ku mori master në shkencat politike, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe historinë e diplomacisë. Karamanlis ka shërbyer edhe si zëvendëspresident i Partisë Popullore Evropiane gjatë viteve 1999-2006. Karamanlis është i pari kryeministër grek i lindur pas Luftës së Dytë Botërore. Ai është i martuar me Natasha Pazajtin, me të cilën ka dy fëmijë binjakë, një djalë dhe një vajzë.
...