E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Punëve Publike: Njerëzit e Erion Velisë po përdhosin rrugët me reklama të paligjshme

Ministria e Punëve Publike nisi dje heqjen e tabelave të reklamave  përgjatë akseve rrugore kombëtare. Ky vendim është marrë në respektim të plotë të ligjit shqiptar, konkretisht të Kodit Rrugor, i cili ndalon vendosjen e cdo objekti në një distancë më të afërt se 25 metra, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Punëve Publike. “Të gjithë këta billbord-e janë ose pa leje, ose me procedura të paligjshme, të kryera nga komunat ku kalojnë akset kombëtare, ndërkohë që pronari i vetëm i rrugës dhe i territorit prej 25 metrash është Ministria e Punëve Publike. Çdo 99-sh dhe çdo 70 lekësh është i lirë të vendosë cdo lloj pankarte brenda oborrit të vet, duke marrë lejen përkatëse nga njësia e qeverisjes vendore, por nuk është  i lirë ta bëjë këtë në territorin që zotërohet nga Drejtoria e Rugëve, për më tepër në kundërshtim me ligjin. Për të shmangur cdo keqkuptim, ky operacion ka nisur pikërisht me heqjen e tabelave të atyre kompanive që kanë reklamuar fushatën elektorale të Ministrit Olldashi në vitin 2007. Dhe, do të vazhdojë deri në vendosjen e një situate tërësisht ligjore përgjatë akseve rrugore kombëtare”.

Ja edhe përmbajtja e Nenit 23 të Kodit Rugor të Republikës së Shqipërisë, i cili rregullon edhe kuadrin ligjor për këtë çështje

Reklamat në rrugë dhe mbi mjetet rrugore

1. Përgjatë rrugëve dhe në vende të dukshme nga mjetet që kalojnë në rrugë, është e ndaluar të vendosen shenja, parulla, impiante reklamimi etj., që për nga përmasat, forma, ngjyrat, pamja dhe vendndodhja mund të shkaktojnë konfuzion me sinjalizimin rrugor ose ta bëjnë të vështirë kuptimin, dallimin apo efikasitetin e tij, si dhe të shkaktojnë shqetësime pamore a të tërheqin vëmendjen e përdoruesve të rrugës me pasojë rrezikimin e sigurisë së qarkullimit. Në çdo rast impiante të tilla nuk duhet të formojnë pengesë apo gjithsesi vështirësi për qarkullimin e invalidëve. Janë, gjithashtu, të ndaluara tabelat dhe mjetet e tjera të ndritshme të reklamimit që mund të sjellin verbim për drejtuesit e mjeteve rrugore. Në ishujt e trafikut në kryqëzime është e ndaluar vendosja e çdo lloj instalimi të ndryshëm nga sinjalizimi rrugor i përcaktuar.
2. Vendosja mbi mjetet rrugore të shkrimeve a shenjave reklamuese të shndritshme ose reflektuese lejohet vetëm sipas kushteve të parashikuara në aktet në zbatim të normave të këtij Kodi, me qëllim që të përjashtohet çdo rrezik verbimi a hutimi për drejtuesit e mjeteve të tjera.
3. Përgjatë rrugëve, në mjediset ose afërsitë e vendeve të mbrojtura, për shkak të bukurisë së tyre natyrore dhe peizazhistike, ose të ndërtesave a vendeve me vlera historike e artistike, është e ndaluar vendosja e tabelave ose mjeteve të tjera reklamuese.
4. Për vendosjen e tabelave ose të mjeteve të tjera reklamuese gjatë rrugës apo në vende të dukshme nga rruga duhet autorizimi i entit pronar të rrugës që lëshohet, duke respektuar këto norma. Në brendësi të qendrave të banuara kompetenca është e komunave dhe bashkive, të cilat janë të detyruara të marrin miratimin teknik të entit pronar të rrugës, kur rruga është shtetërore apo e rrethit.
5. Kur tabelat apo mjetet e tjera reklamuese janë të dukshme nga një rrugë tjetër që i përket një tjetër enti pronar rruge, autorizimi kushtëzohet me miratimin paraprak nga ky i fundit. Tabelat ose mjetet e tjera reklamuese të vendosura përgjatë linjave hekurudhore dhe kur janë të dukshme nga rruga, janë subjekt i dispozitave të këtij neni dhe vendosja e tyre bëhet me autorizim të entit hekurudhor, duke marrë miratimin paraprak të entit pronar të rrugës.
6. Aktet në zbatim të këtij Kodi përcaktojnë normat për përmasat, karakteristikat, vendvendosjen e mjeteve reklamuese përgjatë rrugëve, pjesëve që i përkasin rrugës dhe në stacionet e shërbimit dhe furnizimit me karburant.
7. Është e ndaluar çdo lloj reklame përgjatë ose e dukshme nga itineraret ndërkombëtare, autostradat, rrugët interurbane kryesore dhe hyrjet e tyre. Në këto rrugë lejohet reklamimi vetëm në zonat e shërbimit ose parkimit, kur për këtë është marrë autorizimi nga enti pronar i rrugës, si dhe kur kjo reklamë nuk është e dukshme nga rruga.
8. Është njëlloj e ndaluar çdo formë reklamimi mbi mjete rrugore që ka një përmbajtje, domethënie apo synim të kundërt me normat e këtij Kodi.
9. Përshtatja e formave të reklamave ekzistuese me normat e këtij Kodi, pas hyrjes së tij në fuqi, parashikohet në aktet në zbatim.
10. Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse mund t’u shpërndajë enteve pronare të rrugëve udhëzime për zbatimin e dispozitave të këtij neni dhe të akteve në zbatim të tij, si dhe urdhëron, nëpërmjet organeve të saj, kontrollin e respektimit të këtyre dispozitave.
11. Cilido që shkel dispozitat e këtij neni dhe të akteve në zbatim të tij, si dhe kushtet e autorizimeve të parashikuara nga ky nen gjobitet me një shumë nga njëzet e pesë mijë deri njëqind mijë lekë dhe zbatohen masat plotësuese administrative që e detyrojnë autorin e shkeljes të heqë, me shpenzimet e tij, të gjitha veprat, tabelat, parullat dhe çdo tip impianti e formë reklame.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›