E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha-Karzait: Bursa për studentët afganë

 Kryeministri takon edhe Sekretarin e Jashtëm të Britanisë së Madhe
TIRANË- Qeveria shqiptare do të ofrojë bursa studimi për studentët që vijnë nga Afganistani. Të paktën kështu është shprehur dje kryeministri Sali Berisha, gjatë një takimi të zhvilluar me Presidentin e Afganistanit, Hamit Karzai, gjatë qëndrimit në Davos të Zvicrës. Siç bëhet e ditur nga Zyra e Shtypit e Kryeministrit, Presidenti i Afganistanit i ka kërkuar Berishës të shohë mundësinë që studentët afganë të vijnë dhe të studiojnë në Shqipëri, kërkesë që është mirëpritur nga ai, duke u shprehur se do të ofrohen edhe bursa për këta studente. Gjatë këtij takimi, Berisha dhe Presidenti afgan janë përqendruar edhe në marrëdhëniet mes dy vendeve, ku Hamit Karzai ka shprehur gatishmërinë dhe interesin e tij, për vendosjen dhe thellimin e bashkëpunimit në sektorë me interes të përbashkët për të dy vendet. Gjatë qëndrimit në Davos, kryeministri Berisha ka pasur një takim të shkurtër me Sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Miliband. Gjatë këtij takimi, sekretari Miliband ka shprehur mbështetjen e tij, që vendi ynë të jetë anëtar i Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe vlerësoi një bashkëpunim mjaft të mirë institucional mes partive politike në Shqipëri. Gjithashtu, Miliband tha se, Britania e Madhe vlerëson dhe mbështet fuqimisht reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare. Çështja e Kosovës ka qenë një tjetër temë bisede mes Berishës dhe Sekretarit të Jashtëm, David Miliband, ku ai ritheksoi edhe njëherë qëndrimin e Britanisë së Madhe për një zgjidhje sa më shpejtë të statusit të Kosovës. Nga ana e tij, Berisha i shprehu mirënjohjen e qeverisë dhe shqiptarëve për vendosmërinë e qeverisë britanike për të zgjidhur sa më parë statusin e Kosovës, duke besuar se kjo i hap edhe perspektiva të reja Serbisë dhe krejt rajonit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›