Vizita, Topi: Pavarësia e Kosovës, çështje orësh
"Çdo shtyrje e mëtejshme rrezikon paqen dhe sigurinë jo vetëm në Kosovë, por edhe në tërë rajonin"
"Kuvendi duhet të shndërrohet në laborator ligjesh, për të vënë në jetë parimet themelore të Planit Ahtisaari"
KOSOVË- Në ditën e parë të vizitës së tij në Kosovë, Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka deklaruar se pavarësia e Kosovës është vetëm çështje orësh. Pas takimit të zhvilluar me Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, kreu i shtetit tha se, pavarësia e Kosovës është çështje orësh gjatë këtyre momenteve të rëndësishme, delikate e historike. Kreu i shtetit shqiptar e siguroi presidentin Sejdiu gjithashtu për bashkërendimin e të gjitha veprimeve institucionale mes dy vendeve, në mënyrë që Kosova të jetë një vend integral, brenda kufijve të saj, me të gjitha standardet e kërkuara Euro-Atlantike, duke respektuar pakicat dhe të drejtat e tyre. Nga ana e tij, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu tha se Kosova është në kohën e një dinamike të shpejtuar të konsultave me aleatët e saj, deri te shpallja e pavarësisë së Kosovës. "Mendojmë se shumë shpejt do të jetë edhe momenti i marrjes së vendimit në Kuvendin e Kosovës dhe besoj se është çështje ditësh dhe çështje orësh. Me rëndësi është që këto veprime t'i bëjmë të koordinuara",- theksoi presidenti Sejdiu. Ndërsa në takimin me të dërguarin e Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, Joahim Ryker, presidenti Bamir Topi u shpreh se, zgjidhja e çështjes së statusit të Kosovës do të mundësonte që të gjitha e vendet e rajonit të linin pas përfundimisht të kaluarën e turbullt, ndarjen nga skenarët e luftës dhe idetë ultra-nacionaliste dhe të orientoheshin drejt së ardhmes së përbashkët Euro-Atlantike.
Fjalimi në Kuvend
"Të gjithë jemi të vetëdijshëm se më në fund, pas shumë përpjekjesh, vuajtjesh, lotësh dhe gjaku të derdhur, procesi i zgjidhjes përfundimtare të çështjes së Kosovës ka mbërritur në stacionin e tij të fundit",- u shpreh Topi gjatë fjalës së mbajtur dje në Kuvendin e Kosovës. Kreu i shtetit, ndër të tjera ka theksuar se potenciali i negociatave mes palëve është ezauruar tërësisht dhe se ka një rezultat të mirë dhe gjerësisht i pranuar: që është plani "Ahtisaari". "Në të tilla kushte, çdo zgjatje është e panevojshme dhe nuk i shërben aspak të ardhmes së rajonit tonë. Përkundrazi, shtyrje të mëtejshme rrezikojnë paqen dhe sigurinë jo vetëm në Kosovë, por edhe në tërë rajonin, duke vënë në pikëpyetje arritjet e këtyre viteve, si dhe vetë procesin e integrimit Euroatlantik",- tha ai. Duke vlerësuar procesin zgjedhor ne Kosovë, presidenti Topi theksoi se zhvillimi me qetësi, maturi dhe në unitet të plotë i këtij procesi, dëshmoi se ecuria e proceseve demokratike në Kosovë është e pakthyeshme, se arritjet e deritanishme janë të konsoliduara dhe se Kosova ka kapacitetet e duhura shtet-formuese. "Është pikërisht fryma e integrimit dhe e bashkëjetesës paqësore që duhet të rrezatojë ky Kuvend dhe veprimtaria juaj, si përfaqësues të të gjithë popullsisë që jeton në Kosovë. Ky forum duhet të shndërrohet në laborator ligjesh, për të vënë në jetë parimet themelore të planit "Ahtisaari", të cilat garantojnë plotësisht dhe në mënyrë të paprecedentë të drejtat e komuniteteve pakicë",- tha ai.
Presidentit Bamir Topi i jepet titulli "Honoris Causa" në një prej sallave të Universitetit të Prishtinës
Topi: Pavarësia, Shqipëria, ndër të parat që do e njohë
KOSOVË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka deklaruar dje në Kosovë se Shqipëria do të jetë ndër vendet e para që do të njohë pavarësinë e Kosovës. "Institucionet kosovare do ta shpallin atë në harmoni më ndërkombëtarët, kur ta konsiderojnë të arsyeshme",- sqaroi Topi, duke shtuar se vetëm me shpirt e me zemër, ata do të ishin të parët që do të njihnin Pavarësinë e Kosovës. Po dje, pas përfundimit të disa takimeve të rëndësishme, pasdite, në një prej sallave të Fakultetit Filologjik të Universitetit të Prishtinës u zhvillua edhe ceremonia e dhënies së titullit "Honoris Causa" për Presidentin shqiptar, Bamir Topi. Pas fjalimeve të mbajtura nga profesorë të Universitetit të Prishtinës, është lexuar edhe titulli: "Në bazë të nenit 49, Senati i Universitetit të Prishtinës mori vendim: Doktor Bamir Topit i jepet titulli "Doktor Honoris Causa, për atribut të jashtëzakonshëm dhe permanent në zgjidhjen e statusit të Kosovës". "Në këtë moment solemn jam shumë mirënjohës për vlerësimin që më bëtë, duke më dhënë titullin, që nuk është një titull personal, por një titull që vjen në vijim të bashkëpunimit që kemi pasur në politikë, në jetën e thjeshtë shoqërore, në këtë bashkëpunimin mes qytetareve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë. Ju falënderoj që më dhatë këtë titull. Kam kërkuar vetë, me ngulm, të bëj këtë vizitë në Kosovë",- tha ndër të tjera presidenti Topi gjatë fjalës së mbajtur pas marrjes së titullit. Topi vlerësoi edhe njëherë në deklaratat e mbajtura gjatë paradites se zgjedhjet në Kosovë treguan se, Kosova është e gatshme për të shpallur pavarësinë e për të funksionuar si shtet ligjor dhe i pavarur. Gjatë fjalimit të mbajtur në fillim të vizitës së tij në Kuvendin e Kosovës, Topi tha se përfundimi me sukses i procesit zgjedhor dhe i formimit të institucioneve të reja përfaqësuese, ishte shembulli më i prekshëm i progresit që ka bërë Kosova deri më sot.