E Shtunë, 31 Tetor 2026

Polonia, miqësorja kuqezi e muajit maj

Në arritjen e akordit të kësaj ndeshjeje ka ndikuar njohja e trajnerëve respektivë, të dy holandezë
"Zboristët" kuqezinj të Antalias janë kthyer dje në Shqipëri dhe u janë bashkuar skuadrave të tyre, në përgatitjet për rifillimin e kampionatit kombëtar. Dje, në orën 10:00, në Aeroportin "Nënë Tereza", pas grumbullimit 10-ditor në Antalia të Turqisë, kanë zbarkuar kanidatët e kombëtares kuqezi, të përzgjedhur nga kampionati shqiptar. Trajneri Han ka udhëtuar drejt Shtugarit, në pritje të fillimit të turit vëzhgues në disa vende të Europës, ku do të ndjekë nga afër lojtarët e ekipit kombëtar. Të gjithë lojtarët e grumbulluar në Antalia janë shprehur të kënaqur me përgatitjet në grumbullim, duke vlerësuar edhe punën e trajnerit holandez në seancat stërvitore. Ndërkaq, trajneri Han do të fillojë së shpejti përgatitjet për ndeshjen miqësore të 26 marsit ndaj Moldavisë. Kjo ndeshje do të jetë e para sfidë zyrtare nën drejtimin e holandezit të pankinës kuqezi. Nuk përjashtohet mundësia e zhvillimit të një ndeshjeje tjetër miqësore në muajin maj, me një nga skuadrat që tashmë janë të kualifikuara për në finalet e EURO 2008-ës. Edhe pse nuk ka datë të lirë të UEFA-s apo FIFA-s në këtë muaj për ndeshje të këtij lloji, duket se do të shfrytëzohet "liria" e futbollistëve kuqezinj, të cilët do t'i kenë përfudnuar angazhimet me klubet e tyre, edhe për faktin e fillimit të Kampionatit Europian. Burime konfidenciale pranë FSHF-së pohuan për "Sportin shqiptar" se emri i kundërshtarit në miqësoren e planifikuar për në maj të këtij viti është Polonia. Fakti që në krye të Polonisë, skuadër e kualifikuar për në finalet e Euro 2008, është një trajner holandez, me të cilin ka njohje Ari Han, duket se ka qenë vendimtar në këtë akord. Po kështu, Polonia ka interesin e saj në këtë miqësore, sepse teston veten dhe u jep dorën e fundit përgatitjeve të saj për në fazën finale të europianit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›