Kalimashi, 4 korsi me urdhër gojor
Braçe tha se projekti parashikon dy korsi, ndërkohë që ai po ndërtohet me 4, sipas një urdhri me gojë nga Basha
TIRANË- Partia Socialiste ka vijuar dje denoncimin e abuzimeve që po bën qeveria, sipas saj, për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. Nënkryetari i grupi parlamentar të PS-së, Erion Braçe tha se, qeveria po vazhdon abuzimet me këtë rrugë dhe këtë herë pjesë e tyre është segmenti rrugor Kalimash-Kukës-Morinë. Për këtë segment, tha Braçe, që pretendohet të ndërtohet në 5 pjesë, tenderi është zhvilluar dhe projekti parashikon dy vija kalimi, ndërkohë që ai po ndërtohet me katër të tilla, sipas një urdhri të bërë vetëm me gojë nga ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha. Braçe tha se, një urdhër gojor për ndërtimin e rrugës me katër vija kalimi, bie ndesh me Ligjin për Prokurimin publik dhe ligjin për buxhetin e shtetit, pasi shtesë kontrate, edhe në mënyrë gojore siç e ka bërë Basha, bëhet vetëm për 30 për qind të punimeve. "Ministri shëtitës i Transporteve asaj kohe dhe tani i Punëve të Jashtme të Shqipërisë nën akuzë, i pandehur, ka urdhëruar firmat në mënyrë gojore, që të ndërtojnë rrugën me 4 vija kalimi. Është vetëm një kasetë filmike e ministrit tonë të Jashtëm, nën akuzë dhe i pandehur, që urdhëron gojarisht ndërtimin e rrugës me katër vija kalimi, duke shkelur ligjin për prokurimin publik, ligjin për buxhetin e shtetit",- tha Braçe, duke theksuar se firmat i janë bindur këtij urdhri, kanë shpenzuar paratë e tyre dhe tashmë i janë drejtuar Gjykatës së Tiranës për të marrë këto para. Por, shtoi nënkryetari i grupit të PS-së, kjo do të jetë e vështirë, për sa kohë nuk ka një dokument të shkruar për ndërtimin e rrugës me katër vija kalimi.
Hetimi i rrugës
Gjatë konferencës së djeshme për shtyp, Erion Braçe ka deklaruar se Kuvendi i Shqipërisë është duke penguar hetimin e rrugës Durrës-Kukës, duke mos përcjellë shkresat për kërkesë dokumentesh tek institucionet përkatëse, si Kryeministria dhe Ministria e Financave. Deputeti i PS-së akuzoi direkt Sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit, të cilin e quajti "një vartës të Sali Berishës në PD", se ka penguar dërgimin e shkresave në fjalë. "Kemi kërkuar nga zoti Kryeministër të na vërë në dispozicion të gjitha vendimet e qeverisë, lidhur me prokurimin dhe vendimin e segmentit Rrëshen-Kalimash. Shkresa e dytë i drejtohet ministrit të Financave, praktika e Thesarit, kërkesa e paraqitur, situacioni dhe pagesat e kryer për ndërtimin e rrugës Kukës-Morinë",- tha Braçe, duke shtuar se Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit i ka bllokuar të dyja këto shkresa. Por, pengesë në hetimin e rrugës Durrës-Kukës, sipas nënkryetarit të grupit kuvendor të PS-së, është bërë edhe Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, në drejtim të së cilës janë dërguar disa shkresa që në muajin dhjetor të vitit 2007, të cilat ende s'kanë mbërritur pranë komisionit hetimor të prokurimeve publike.