Trukimi i ndeshjeve, dënim me 7 vjet burg
Gati ndërhyrjet në Kodin Penal të SHqipërisë, ku shitblerja e ndeshjeve do të konisderohet krim
Shitblerja e ndeshjeve në sportin shqiptar, ose e quajtur ndryshe trukimi i tyre, shumë shpejt do të konsiderohet vepër penale, pra krim. Kjo do të sanksionohet në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë. Nëse organet e drejtësisë do të verifikojnë se do të konsumohet kjo shkelje, shumë shpejt ligjore, kanë të drejtë t'i dënojnë autorët deri në 7 vjet burg. Gjithçka pritet të bëhet fakt i kryer pas shtesave që do t'i bëhen Kodit Penal, me procedurë të përshpejtuar në Kuvendin e Shqipërisë. Pas një konsultimi juridiko-profesional, Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve, Shoqata e Prokurorëve të Shqipërisë, të mbështetur nga MTKRS-ja, kanë arritur në përfundimin se paracaktimi i rezultateve në garat sportive shumë shpejt mund të bëhet tejet evident, kështu që, për t'i paraprirë kësaj situate, është bërë gati një projekt-ligj për disa shtesa në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë. Duke parë se kjo marrëdhënie e kundraligjshme nuk parashikohet deri më tani si vepër penale, propozohet që ky projekt-ligj të përfshihet në kreun 3, seksioni 8 i Kodit Penal të Shqipërisë. Duhet nënvizuar se ky projekt-ligj nuk ka lidhje vetëm me sportin e futbollit, ku zërat për trukime janë të shumta, por do të ketë në fokus të tij edhe sportet e tjera. Dispozita është e ndarë në dy paragrafë. Në paragrafin e parë parashikohet se paracaktimi (trukimi) i rezultateve në garat sportive përbën vepër penale dhe dënohet deri në 2 vjet burg. Ndërkohë, në paragrafin e dytë të këtij projekt-ligji, parashikohet se në rast të paracaktimit të rezultateve në garat sportive, me qëllim pasurimi pasuror, përbën krim dhe dënohet me burgim nga 2 deri në 7 vjet, shoqëruar me gjobë nga 1 deri në 3 milionë lekë të reja. Tashmë, projekt-ligji i propozuar nga Shoqata e Prokurorëve Shqiptarë dhe Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve është në zyrat e MTKRS-së, e cila, sipas zv.ministrit Ekrem Spahiu, i pranishëm në konferencën e djeshme për shtyp në "Rogner", ku u publikua nisma e mësipërme, do të kalojë shumë shpejt për miratim në Kuvendin e Shqipërisë. Në startin e këtij projektligji, dy shoqatat iniciuese të tij e quajtën atë "ligji për këmbët e pastra". Për Shoqatën e Prokurorëve, veçanërisht drejtimi i skuadrave të futbollit nga njerëz të dyshimtë është arsyeja më e madhe që futbolli shqiptar përfshihet në pazare për shitblerjen e ndeshjeve dhe fiksimin e rezultatit. Për ta, përmirësimi i kuadrit ligjor në fushën e llotarive sportive do të ndihmonte për të shmangur përbaltjen e përfaqësueseve të sportit shqiptar, të cilat njëkohësisht janë edhe simbole të kombit.