E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turi, Rama: Duhet një solidaritet tejpartiak

TIRANË- Kreu i PS-së, Edi Rama ka vijuar dje "Dialogun me Shqipërinë" në Jug të vendit, ku është ndalur në Gjirokastër, Delvinë, Ksamil dhe Sarandë. Në të gjitha takimet, është diskutuar lidhur me problemet sociale me të cilat përballen banorët e këtyre zonave. Gjatë fjalës së mbajtur në Gjirokastër, Rama është shprehur se: "Dialogu me Shqipërinë" është vetëdija e thellë se politika duhet të dalë nga duart e një grushti njerëzish, të cilët e kanë ndarë Shqipërinë artificialisht, majtas dhe djathtas, duke ngritur midis shqiptarëve një barrikadë dhe duke i sunduar ata shumë lehtë. Ky realitet, sipas Ramës, mund të ndryshojë vetëm në rast se të gjithë gjejnë fuqitë për të bashkuar energjitë, kontributet, forcat në funksion të nxjerrjes së Shqipërisë nga rrethi i mbyllur i trancizionit. "Ne duhet të gjithë bashkë të kontribuojmë për t'i dhënë jetë një politike të re dhe për ta mbyllur kapitullin e politikës së vjetër dhe të së shkuarës. Ne duhet që të gjithë bashkë të kontribuojmë, që kufijtë që na ndajnë të bëhen inekzistentë dhe mes shqiptarëve që vuajnë njësoj errësirën, etjen, papunësinë, varfërinë, injorancën, korrupsionin, të krijohet një solidaritet i ri. Një solidaritet tejpartiak, një solidaritet qytetaresh dhe qytetarësh, që në radhë të parë mendojnë për fëmijët e tyre dhe në radhë më të fundit të mendojnë për flamujt e partive",- tha Rama, duke theksuar se Partia Socialiste duhet të bëhet zëdhënëse e kësaj vetëdijeje të re. Ndërkohë, në bashkëbisedimet me banorët në Delvinë, Ksamil dhe Sarandë, Rama është shprehur se, ai nuk vjen tek ta për të kërkuar votën, por për të dëgjuar problemet e tyre dhe për të programuar mundësitë e zgjidhjeve të tyre. Banorët që morën fjalën në takime nënvizuan problematikat e mprehta, si pensionet e ulëta, flakja në rrugë e inteligjencës dhe mosrespektimi i statusit të nëpunësit të administratës, indiferenca në zgjidhjen e problemeve të pronësisë, etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›