E Diel, 1 Nëntor 2026

Përllaku: "Goditjen ndaj gjeneralëve e bënë Enver Hoxha, Mehmet Shehu e Hysni Kapo!"

Leci Nr.5 / (Për botim)
Arkivat
Fortifikimi. Në gjithë vendin, 360 000 qendra zjarri
Prishja me Bashkimin Sovjetik dhe ngushtimi i izolimit të vendit, sipas arkivave, çoi në ndryshime strukturore të Forcave të Armatosura dhe organizimin e fortifikimit në çdo metër katror të vendit. Por shumë kuadro madhorë që projektuan e hartuan kursin e ri të Ushtrisë e Mbrojtjes së vendit, përfshi dhe realizimin e fortifikimit, shpejt do të ndëshkoheshin nga regjimi i kohës.
Referuar arkivave (AQSH dhe ato të Ministrisë së Mbrojtjes) intensiteti më i lartë i fortifikimit në Shqipëri ishte në vitet 1975-1983, ku u përfshi gjithë territori i Republikës, sipas një ideje të qartë nga ana ushtarake, me një organizim e disiplinë të lartë. Fortifikimi vazhdoi 7 vjet, aq sa vazhdoi fortifikimi i vijës "Mazhino" dhe jo 13 vjet, sa vazhdoi fortifikimi i vijës "Monerheim". Fortifikimi ynë, që nga projektimi, në realizim e deri në funksionim, krahas eksperiencës së huaj, ka origjinalitetin shqiptar. Ky fortifikim, sipas projektuesve e realizuesve mund t'u rezistojë të gjithë kalibrave të Artilerisë dhe bombave të aviacionit me peshë deri 500 kg.
Ato vite janë ndërtuar të paktën 9 qendra zjarri për skuadër, dhe afërsisht ishin 6750 skuadra, baras me 60.750 qendra zjarri (QZ). Këto vetëm për repartet permanente në rajonet e detyrave luftarake dhe vetëm për këmbësorisë. Llogaritë përafërsisht ishin bërë edhe në lëvizjet nga një rajon në tjetrin, pra, tre herë më shume se kaq. Në Batalionin e Këmbësorisë, sipas drejtimeve dhe sipas organikës së tyre specifike ishin llogaritur afërsisht 350-450- QZ për çdo batalion këmbësorie. Të tillë kishim 280 x 350 = 98 000; 120.000 QZ x 3 = 360 000. Pozicione zjarri (PZ) për artilerinë 272 grupe x 12 gryka zjarri = 3264 PZ.
Në fortifikimin e vendit morën pjesë dhe e drejtuan kuadrot më të përgatitur të ushtrisë në këtë fushë, një pjesë e të cilëve nuk i shpëtuan ndëshkimit të rëndë, kryesisht ushtarakët e përfshirë në "grupet armiqësore" të zbuluara e të dënuara në vitet 1974 dhe 1982. Në studimin e Kolonel Lecit, rreth fortifikimit të vendit dhe gjyqit farsë që dënoi gjeneralët, sillen dëshmi interesante dhe gjykime të protagonistëve të kohës.
Kujtim Boriçi
Ekskluzive/ Në këtë numër, studiuesi Elmas Leci, nëpërmjet dokumenteve arkivore e dëshmive të Rrahman Përllakut, Elami Hados e Ernest Jakovës, sjell momentet e rënda e tepër kritike për ushtrinë e vendin, pas prishjes me Bashkimin Sovjetik deri tek akuzat e stisura në gjyqin farsë ndaj gjeneralëve.
 
 
(Vijon nga numri i kaluar)
Gjyqi ndaj gjeneralëve Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako (të pushkatuar), Rrahman Përllakut, Halim Ramohitos etj., sipas arkivave të kohës dhe dëshmive të të dënuarve me burgime të rënda, ishte thjesht një gjyq politik. Kjo, pasi asnjëherë nuk u vërtetuan akuzat e formuluara ndaj gjeneralëve si pjesëmarrës në "grupin armiqësor", sabotim në mbrojtjen e vendit, "agjentë të rusëve e zbulimeve të tjera të huaja"... Por prishja me aleatin e madh, ish-Bashkimin Sovjetik, krahas izolimit të mëtejshëm të vendit, solli aventura të njëpasnjëshme, si "mbjellja" e vendit me qendra zjarri, shtimi i reparteve e njësive të armatosura, vënien në zbatim të parullës "Gjithë populli ushtar" etj., ndërmarrje që krahas të tjerave, kishin dhe një kosto të madhe financiare. Pas kaq vitesh, krahas dëshmive arkivore, e vërteta e atyre viteve të vështira sillet dhe nga kujtimet e ushtarakëve madhorë, që në atë kohë u dënuan me vite të shumta burgim, por që fatmirësisht i shpëtuan pushkatimit, si Balluku, Dume e Çako.
Gjyqi ndaj gjeneralëve, gjyq farsë
Rrahman Përllaku: "Pra i gjithë gjyqi është krejt i ndërtuar mbi materialet e Partisë, fjalimet e Enver Hoxhës dhe akuzat që ka çuar Mehmet Shehu si kryeministër. Të gjitha ishin antiligjore e antiparimore, sepse në atë kohë Partia e Punës nuk ishte me Kushtetutë forca drejtuese në pushtet. Nga ato që u thanë në plenum apo nëpër gjyqe sajesë, nuk ka asgjë të vërtetë. E vërteta është se puçi u bë nga vetë Enver Hoxha me Mehmet Shehun e Hysni Kapon, kundër gjeneralitetit shqiptar. U tha që "puçistët" janë agjentë sovjetikë, janë agjentë jugosllavë, janë agjentë të NATO-s, të Traktatit të Varshavës. Nga ato akuza asnjë prej tyre nuk u vërtetua, për arsye se për të qenë agjent duhet të akuzoheshe mbi bazën e një dokumenti, ose të dilte dikush e të thoshte se "X-i" më ka thënë këtë e atë. Kjo akuzë as në gjyqe nuk ka dalë, se nuk kishte dokumente. Ato ishin sloganet e Enver Hoxhës nga akuzat e bëra publike për propagandë e terror psikologjik ndaj popullit.
Akuzat e ngritura në procesin tonë, ishin pa baza ligjore, të pavërtetuara, por vetëm të mbështetura në fjalimet e diktatorit. Në gjyqet e atëhershme nuk kishte e nuk erdhën specialistë ushtarakë që të vërtetonin bërjen e antitezave. Së dyti, për akuzën e sabotimit të veprave mbrojtëse, se nuk shkuan punimet operative në shkallën e kërkuar, ne ia thoshim këto gjëra njëri-tjetrit. Ne bënim diskutime se si gjërat të na shkonin më mirë, evidenconim dhe të metat, por nuk besonim se ato një ditë do të ishin material në duart e treshes Hoxha, Shehu, Kapo, për të na akuzuar si agjentë e tradhtarë. E treta, agjitacioni e propaganda. Për mua personalisht, ishte se kam përkthyer literaturë revizioniste. Akuza konkrete ishte se paskam dërguar një oficer të zbulimit, për të gjetur materiale (literaturë) ushtarake në Itali e Francë. Është e vërtetë, sipas kompetencave, unë e kam dërguar oficerin, sepse ne u shkëputëm nga Bashkimi Sovjetik, literaturën e tij e hodhëm poshtë, por ushtria kishte nevojë të njihej me literaturën e huaj, me teknikën dhe armatimet e ushtrive të vendeve të tjera. Ky ishte qëllimi i asaj pune. Kur më arrestuan, grumbullimin e literaturës teknike të ushtrive të tjera për interesin e mbrojtjes sonë, ma quajtën shkelje dhe më akuzuan për agjitacion e propagandë imperialiste. Këto ishin akuzat tona".
Prishja me rusët, pikënisja e ndëshkimit të gjeneralëve
Prishja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, nga Aleati i Madh, ku dhe ishin shkolluar gjeneralët dhe gjithë oficerët madhorë të ushtrisë, sipas dokumenteve arkivore e dëshmive, shënon periudhën e lëkundjes së besimit nga Enveri tek drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes, gjë që çoi deri në zbulimin e "grupeve armiqësore" njëri pas tjetrit dhe goditjen më të rëndë ndaj ajkës së Ushtrisë e Mbrojtjes së vendit. Po si u stisën akuzat dhe u dënuan me e pa gjyq ushtarakët madhorë? Ja dëshmitë e njërit prej ushtarakëve të dënuar:
Elami Hado: "Pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, gjithçka që ishte ndërtuar e krijuar nga eksperienca sovjetike dhe shkenca ushtarake e atij vendi të madh dhe ushtrisë së tij me eksperiencë, u deklaruan armiqësore. Lindi nevoja të përpunohej Arti Ushtarak Shqiptar. Dihet që vija politike e çoi vendin aty ku e çoi. Afro 50 vjet punuan njerëzit me duar e me thonj, vetëm për të ngrënë një copë bukë dhe ai (diktatori) më së fundi e izoloi, e futi në rresht dhe rrezikoi edhe pavarësinë e vendit.
Në qoftë se i bëjmë një ndarje vijës politike, që të shikojmë në vijim vartësinë e vijës ushtarake nga e para, mund ta ndajmë në dy etapa. Etapën e parë, mund ta quajmë si etapa e nënshtrimit ndaj të huajve. Dihet, çfarë thoshin jugosllavët, bënte atëherë Enver Hoxha, çfarë thoshin sovjetikët, më pas bënte Enver Hoxha dhe çfarë thoshin kinezët në vitet '70-të bënte Enver Hoxha. Ishin në çdo kohë këshilltarët ata që i jepnin tonin. Çfarë thoshin ata, bëhej. Dhe Enver Hoxha ishte bërë, si të thuash, një papagall i tyre. Lëri pastaj lajkat që u bënte se "pa Bashkimin Sovjetik, nuk ka Shqipëri", etj., etj. Si ai nuk gjendej njeri t'i bënte. Kjo ishte etapa e nënshtrimit. Më pas vjen etapa tjetër, që mund ta quajmë etapa e aventurizmit politik. Lindin pyetjet: A mos Enver Hoxha ishte budalla?! Nuk është e vërtetë. E vërteta është se Enver Hoxha, në politikën që ndiqte, shikonte vetëm interesin e sundimit. Ai e futi në qorrsokak strategjinë dhe politikën e mbrojtjes dhe ajo nuk u shërbeu interesave të Shqipërisë, përkundrazi, ajo e ekspozoi vendin para rreziqeve, para armiqve të mundshëm. Sigurisht, këtu nuk është fjala për ato që thoshte Enver Hoxha, se ishim në rrezik nga sulmet prej koalicioneve armike. Në çështjen e koalicioneve, ai shfrytëzonte sloganet se "jemi të rrethuar", "jemi në bllokadë", "do na ndodhë kështu e ashtu".
Me një ekspoze të një situate të tillë, nuk mund të pajtoheshin kuadrot e ushtrisë. Dua të dal në një konkluzion: Cilat ishin shkaqet e përplasjeve? Kuadrot udhëheqëse, drejtuese e komandues të ushtrisë e dinin më mirë se kushdo gjendjen, vlerësonin më mirë situatën në të cilën e kishte futur vendin Enver Hoxha nga pikëpamja e mbrojtjes".
Jakova: "Ja pse Enver Hoxha qe frikacak!"
Referuar dokumenteve arkivore të kohës, del se në goditjen ndaj gjeneralëve dhe ushtarakëve të tjerë madhorë të vendit, veçanërisht pas prishjes me ish-Bashkimin Sovjetik, Enver Hoxha është mbështetur nga dy bashkëpunëtorët e tij më të afërt në atë kohë, Hysni Kapo dhe Mehmet Shehun. Edhe pse ky i fundit, vite më vonë do të pësonte fatin e ish-kolegëve, gjithmonë ka qenë në krah të Enverit për ndëshkimet në ushtri. Këtë fakt e pohojnë pas vitesh dhe ish-ushtarakë madhorë të dënuar në atë kohë.
Ernest Jakova: "Për Enver Hoxhën, nuk janë lënë shprehjet më të mira, që janë përdorur sa ishte gjallë ai dhe sistemi socialist. Pas vdekjes, pas dimensionimit të shoqërisë, çfarë nuk është thënë për të si diktator. Do të përpiqem, pa pasion, ta portretizoj. Në politikë Enver Hoxha ishte aventurier: Projugosllav, antijugosllav, prosovjetik, antisovjetik, prokinez, antikinez. Dhe pastaj izolim total. Si ushtarak, i paaftë. Si luftëtar, frikacak. Përse? Në Operacionin e Dimrit '43-'44, në kulmin e tij, kur Brigada e 3-të ishte afër dhe Brigada e 2-të edhe Enver Hoxha ishin aty pranë. Pra kishte dy brigada, të cilat i braktisi, i la të shpartallohen, la edhe ushtrinë pa drejtim dhe shkoi e u fsheh në malet e Çermenikës dhe të Martaneshit. A mund t'i themi këtij lloj njeriu se ishte ushtarak i zoti?! Në asnjë mënyrë! Ta marrim Enver Hoxhën si njeri. Ishte jo njeri, por përbindësh! Edhe kafshët më të egra nuk e hanë shoqin e vet, kurse Enver Hoxha i burgosi shokët, i vrau. Ta marrim si atdhetar. Ai atdhetar nuk mund të diskutohet, del tradhtar! Shumë tradhti i ka bërë këtij vendi e populli, por tri janë ato më themeloret. E para, lënia e Kosovës në duart e serbëve. E dyta, përgatitja e Shqipërisë për ta bërë Republikë e 7-të e Jugosllavisë. E treta, mohoi fitoret demokratike të Luftës Nacionalçlirimtare dhe e zëvendësoi me diktaturën e tij komuniste, nga e cila vuajti kaq shumë populli shqiptar".
(Vijon nesër)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›