Berisha: Kemi ulur shifrën e varfërisë

Kryeministri Sali Berisha deklaron se statistikat e varfërisë flasin në favor të rënies së saj, por që gjithsesi lufta kundër saj mbetet angazhimi më serioz i qeverisë së tij. Kjo gjë është pohuar nga kryeministri Sali Berisha në workshop-in "Lëvizja gjithëpërfshirëse e biznesit social në Shqipëri", iniciuar nga qeveria shqiptare dhe Grameen Creative Lab. Sipas kryeminsitrit Berisha, varfëria në vendin tonë është rreth 12 për qind, ndërkohë që varfëria ekstreme ka pasur një rënie edhe më të madhe. Ndërkaq hemeluesi i Grameen Creative Lab, z. Hans Reitz tha se qeveria shqiptare ka bërë në këto vitet e fundit një punë vërtetë shumë të mirë në drejtim të luftës kundër varfërisë.
Grameen Creative Lab është një iniciativë në fushën e biznesit social, e frymëzuar nga zoti Mohammad Yunus, një personalitet i njohur në botën e financës, i cili është nismëtari i revolucionit financiar të mikrokreditimit, promotor kryesor i biznesit social dhe luftëtar i madh i një bote pa varfëri. Ai ka themeluar edhe Grameen Bank, e cila në këto vite ka ndihmuar dhe përkrahur me mikrokredi me mijëra e mijëra njerëz në mbarë botën. Ky Fondacion në Shqipëri do të ketë një veprimtari të ngjeshur, e cila do të konsistojë në mikrokreditë në zonat e varfra, për familjet e varfra, për bizneset sociale në këto zona, etj.