Bode: Reforma të duhura në liritë ekonomike

Ministri i Financave Ridvan Bode, në një konferencë për shtyp ka vlerësuar si arritje raportin e publikuar nga Fondacioni Heritage që theksonte se Shqipëria ka pasur përmirësim të lirisë ekonomike gjatë vitit 2009.
Ministri Bode pohoi se janë bërë reformat e duhura në liritë ekonomike. Sipas tij vendi ynë ka bërë përmirësim gjatë 2009-ës në liritë kundër korrupsionit, në nivelin prej 34%. Po ashtu, ministri theksoi se ka përmirësim në kriterin e të drejtës së pronësisë dhe të punës.
Sipas Bodes, ky raport do të ndikojë edhe më tej në zhvillimin e ekonomisë shqiptare dhe rritjen e investimeve të huaja në vend.
Në raport, në indeksin vjetor për Lirinë Ekonomike niveli i lirisë ekonomike është përmirësuar me 2.3 përqind gjatë vitit të kaluar. Sipas këtij indeksi të publikuar nga Fondacioni Heritage dhe gazeta" The Wall Street Journal", Shqipëria renditej në vendin e 53-të për nga liria ekonomike duke marrë 66 pikë. Vendi yne radhitet e 25-ta nga 43 vendet e Evropës dhe vlerësimi i përgjithshëm është mbi mesataren botërore.