PD në Kuvend: Rama, një puçist i madh
Mazhoranca sulmoi ashpër kreun e opozitës nga salla e Kuvendit, duke deklaruar njëzëri se tentativat e Edi Ramës i ngjajnë një puçi të madh. Deputetët e Partisë Demokratike, por edhe ministrat e kabinetit deklaruan se Rama po mban peng opozitën për qëllime të errëta mafioze. Deputetët e PD-së shtuan se kundër çdo logjike politike, por edhe ligjore, opozita e vendit është sot jashtë orbite. “Ta kam thënë se je duke përdorur mashtrimin e radhës, duke u thënë shqiptarëve se lufta jote është si “Revolucioni i kadifenjtë”, apo “Revolucioni Portokalli”. Unë e kuptoj tundimin tënd për të përftuar nga lavdia e atyre që u bënë aktorë të këtyre lëvizjeve simbolike. Por, unë dhe shumë të tjerë e dimë mirë që në mendjen dhe veprimet e tua dhe të klanit rrethues projektohen vetëm pasionet dhe aspiratat që provokohen nga një tjetër lloj lëvizjeje politike, ajo e një puçi të madh politik, sikundër ka qenë “Revolucioni i tetorit””, - deklaroi në Kuvend ministri Genc Ruli. Ai shtoi më tej se Rama po u bën dëm interesave të të gjithë shqiptarëve.
I ashpër në fjalën e tij ishte edhe ministri i Mbrojtjes, Arben Imami. Ai tha se veprimet e Edi Ramës nuk kanë asnjë logjikë politike. “Zoti Rama dhe shpura e tij duan të kapërcejnë vendimet e gjykatave. Ligjet e Kodit Zgjedhor janë shkruar bashkërisht, duke krijuar mundësi dhe garanci të barabarta, që pasi të mbyllet procesi zgjedhor, palët të mos i bëjnë zgjedhjet një agoni të pafund”, - tha Imami. Ai u shpreh i gatshëm, që të ngrihet një komision hetimor parlamentar për të hetuar zgjedhjet, por Imami shtoi se mbi vendimet e gjykatave nuk mund të dilet.
Bregu, Ramës: Çrregullimi i rezistencës së qëllimshme ndaj rendit
Ministria e Integrimit, Majlinda Bregu, deklaroi në Kuvend se Rama vuan nga një çrregullim mendor. Referuar një këshille të një psikiatri, Bregu pohoi se Rama vuan nga një “çrregullim i rezistencës së qëllimshme ndaj rendit”. “Lideri i opozitës po paraqet simptoma të çrregullimeve mendore. Sindroma quhet “çrregullimi i rezistencës së qëllimshme ndaj rendit”, që prek më së shumti jetën shoqërore të individit. Si diagnozë ka humbjen e durimit, fyerjen e të tjerëve dhe refuzimin e dialogimit”, - tha Bregu. Sipas saj, individi me këtë diagnozë “shpeshherë refuzon që të flasë dhe të dialogojë, por edhe të bjerë dakord për rregulla të caktuara. Mërzit të afërmit dhe mallkon gjithmonë dështimet dhe gabimet e të të tjerëve, por asnjëherë të vetes. Ka sjellë denigruese dhe hakmarrëse”. Deputetë të tjerë të mazhorancës akuzuan më tej Ramën. Edi Paloka, Mesila Doda, Aldo Bumçi, Flamur Noka etj., lëshuan akuza të ashpra ndaj kreut të opozitës.
Basha: Kauza e vetme e Ramës, mbrojtja e mafies
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, deklaroi dje në Kuvend se kauza e vetme e Edi Ramës është mbrojtja e mafies. Duke folur për rëndësinë e projektligjit antimafie që u miratua dje në Kuvend, Basha tha se ky ligj do të sjellë një etapë të re në luftën kundër kësaj mafie, që sipas tij, së fundi iu zbuluan 1 miliard euro. “I kanë thënë jo bojkotit dhe u kanë thënë atyre të kthehen në Kuvend. Edi Rama nuk ka kauzë politike. Ky ligj është pjesë e kauzës së re, por edhe të vjetër të Ramës. E vetmja kauzë e tij është kauza mafioze. Kauza e tij është 500 mijë metra katrorë. Janë 1 miliard euro. Kjo është kauza e vërtetë e Edi Ramës, por paratë e mafies nuk e blenë dot votën e shqiptarëve”, -deklaroi Basha në Kuvend. Më tej, ai garantoi se do të vijojë lufta kundër krimit të organizuar. Basha tha se në katër vitet e para të mandatit, u arrestuan ushtarë të mafies dhe sipas tij, radha do i vijë edhe kupolës së mafies. “Është pjesë e një ere të re, një etapë të re në luftën kundër krimit të organizuar. Në katër vitet e kaluar pamë përgjigjen për 250 banda në të gjithë territorin por edhe jashtë. Bandat janë vetëm ushtarë të mafies ekonomike. Aty në burg ata mbeten ushtarë, derisa mekanizmi i tyre vijon të paguajë për ta apo për familjet e tyre”, - deklaroi Basha.
Berisha: Deputetëve të PS-së u është vënë revolja pas veshit
Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje në Kuvend se deputetëve të Partisë Socialiste u është vendosur revolja pas koke për shkak se kanë mendim ndryshe. Duke folur për ligjin e ri antimafie, Berisha akuzoi deputetin e PS-së, Tom Doshi, se ka drejtuar armën nga deputetë të tjerë të PS-së. “Opozita dhe deputetët e saj janë të nderuar, por jo ata që u vënë revolen pas veshit. Ata janë mafie dhe përballja e ta është jetike për këtë vend. Ky ligj do të ndihmojë mbarë vendin. Revolja pas veshit nuk i është vendosur në ndonjë skutë, por në prani të gjithë grupit Parlamentar”, - deklaroi Berisha. Kreu i qeverisë tha se ligji i ri do të godasë tentakulat e krimit të organizuar. “Nga ky ligj do të trembet vetëm mafia, do të tronditet vetëm mafia. Ligji garanton çdo biznes shqiptar nga kthetrat e pamëshirshme dhe tentakulat e mafies. Ai garanton lirinë e tregun dhe jo pushtimin e tij, siç ka ndodhur në Bashkinë e Tiranës, ku 70 për qind të lejeve i marrin vetëm 2 studio. Lufta kundër krimit të organizuar nuk do të njohë ngjyra politike. Jam i bindur se ky ligj është interesi më i mirë i çdo qytetari shqiptar”, - tha më tej Berisha. Duke iu drejtuar Edi Ramës, Berisha tha se ligji do të veprojë me të gjithë forcën pa asnjë ngjyrë ekonomike. Më tej, Kryeministri tha se edhe imuniteti parlamentar do të hiqet edhe për anëtarët e kësaj mazhorance, pa përjashtim.