E Diel, 1 Nëntor 2026

Nano: Opozita aktuale nuk krijon dot mazhorancë

20/05/2009  Kritika dhe akuza të drejtpërdrejta, ditën e shpalljes së listave sulmohet Rama

Ish-lideri socialist, Fatos Nano, rishfaqet kritik dhe mjaft i ashpër ndaj lidershipit aktual të Partisë Socialiste. Kështu, ish-kreu socialist zgjodhi afatin e fundit ligjor sa i takon dorëzimit në Komisionin Qendror Zgjedhor të listës së kandidatëve për deputetë të PS-së, për të shpalosur idenë dhe këndvështrimin e tij mbi atë çfarë ka ofruar deri më sot kjo parti nën drejtimin e pasardhësit të tij, Edi Rama. Konkretisht, ish-kryetari Nano nuk ka kursyer gjuhën e ashpër ndaj kreut aktual të PS-së, Edi Rama, mbi mënyrën sesi ka drejtuar përgjatë këtyre viteve, por më tepër për veprimet e ndërmarra prej tij në këtë moment në të cilin ndodhet sot klasa politike, e që lidhet me zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Në gjykimin e tij, në gjendjen aktuale në të cilën ndodhet sot PS-ja nuk mund të flitet për një fitore të kësaj partie. Një parti pa identitet, përfaqësues pa memorie politike dhe për më tepër një opozitë e përçarë, ishin disa nga etiketimet e ish-liderit socialist, Fatos Nano për atë çfarë përmban sot PS-ja. I ftuar në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, Nano ka fajësuar në mënyrë të drejtpërdrejtë Ramën, për atë katandisjen, siç e cilësoi ai, të PS-së në një parti pa identitet, për shpërbërjen e familjes socialiste, e cila nuk do të arrijë të triumfojë në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. “Kjo që po ndodh me listat është i vetmi akt i vërtetë i politikës okulte të mbyllur pas perdes së interesave aspak përfaqësuesve, që Rama ka bërë në PS deri sot. Fakti që procesi është shtyrë deri në minutat e fundit, ku nuk po bëhet detyra politike e partisë më të madhe opozitare, fakti që dhe në këto minuta të gjitha selitë e PS-së në rrethe janë në kaos të vërtetë, kjo e marrë nga socialistët e vërtetë që janë në lidhje me kryetarin e tyre historik, tregon qartë atë çfarë përfaqëson sot PS”, theksoi Nano gjatë fjalës së tij, duke iu referuar pikërisht përpilimit të listës së kandidatëve për deputetë të kësaj partie. Madje, duke i mëshuar këtij momenti, Nano nënvizoi se “tani po vijnë produktet e Ramës në listë dhe kjo do sjellë pasoja negative, PS-ja hyn në zgjedhje në pozita kaotike”.

Reformimi i PS

Ish-kreu socialist Nano ka paralajmëruar dje se në rast humbje në zgjedhjet e 28 qershorit, Partia Socialiste do të nisë reformimin e saj në 29 të po atij muaji. “Opozita nuk është në gjendje triumfojë e përçarë për shkak të kursit të politikës së re, duke mos qenë në gjendje të krijojë një mazhorancë. Në rast se kjo gjendje nuk do ti çojë në mazhorancë qeverisës, kjo është detyre e 29 qershorit, pra reformimi i PS. Kjo është një ushtri e shpartalluar e paorganizuar dhe e demotivuar, nuk flas për spektakle tribunash”, u shpreh Nano.

Modeli Rama

“Publiku sheh modelin bashkiak të kreut Rama, që pretendon ta shtrijë në të gjithë vendin. Askush nga socialistët nuk ka përfituar apo ka kontribuar në këtë model, por ai solli ekipin e vet që nuk ka lidhje me PS, është ekip teknokratësh që punojnë në mënyrë klienteliste. Modeli i Bashkisë së Tiranës nuk jep asnjë mesazh pozitiv për karrierën e ekspertëve, po vetëm me projekte nga zyra e kryetarit, duke mos qenë model i qeverisjes së socialistëve, i cili është provuar tashmë. Model i pafrytshëm për të qeverisur vendin”, vlerësoi ish-kreu socialist, Nano.

Përfaqësimi në listë

“Listat e PS karakterizohen nga dy lloj përfaqësuesish, nga njerëz që kanë turp nga e kaluara e tyre politike, dhe kategoria tjetër nga njerëz që janë viktima apo promotorë interesash afariste dhe private me të cilat përpiqen të manipulojnë demokracinë e PS. Në kategorinë e parë po përfshij shumicën e bashkëpunëtorëve të mi në parti dhe qeverisje, të cilët nuk guxojnë nuk pranojnë nuk u lejohet të vlerësojnë atë çfarë bëri PS gjatë këtyre viteve. Pra, Rama ka bërë një fshirje të memories politike”, deklaroi Nano.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›