E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Kjo, dita më e madhe për shqiptarët, pas pavarësisë

Share

Në fjalën e tij që ka mbajtur gjatë festës së organizuar me rastin e 20-vjetorit të ardhjes në pushtet të PD-së, Berisha ka thënë se kjo është dita më e madhe për shqiptarët, pas pavarësisë.

Berisha ka thënë gjatë fjalës së tij, se këto 20 vjet ka mundur që të tranformojë Shqipërinë, duke e kthyer atë të lirë. Sipas tij, sot shqiptarët janë pjesë e NATO-së dhe lëvizin të lirë.

Sipas Berishës, Shqipëria është vendi ku të ardhurat janë rritur më shumë se asnjë vend në planet. Ai pohoi se Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe në Europë këto vite, ndërsa është shpallur, sipas tij ‘e bukura e dheut’.

22 marsi i vitit 1992, është ditë që nuk gjendet fjalë për tu përshkruar. Është dita më e bukur dhe më e madhe për shqiptarët, pas pavarësisë. Këto dy dekada janë kurorë e lirisë në ballin dhe zemrën e çdo shqiptari.

Unë ju ftoj sot të shprehim sot nderimin tonë të madh dhe të përulemi me respekt para atyre që shembën Murin e Berlinit me uraganin e lirisë dhe shpresës. Përmbysën me votën e tyre të lirë regjimin më barbar që shqiptarët dhe Europa kishin njohur në gjithë historinë e saj. Ndaj ju uroj gëzuar këtë ditë. Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja.

Në emër tuaj, që me votët e lirë shembët diktaturën enveriste, dua të përshëndes të gjithë ata që u ngritën në dekadat e lirisë. Ne 20 vjet më parë përmbysëm me votën tonë regjimin e bllokmenëve. Për ne liria dhe demokracia, ishin thjesht vlera për të cilat duhej luftuar.

Ju 20-vjeçarë jeni të lumtur, sepse nuk keni njohur urrejtjen dhe poshtërimin e atij regjimi. Ju jeni krenaria jonë, Zoti ju bekoftë ju.

22 marsi i vitit 1992 është dita e krenarisë, e guximit. Shqipëria sot është 20 vjet dritë më larg se sa Shqipëria që ne jetuam 20 vjet më parë.

Shqipëria e bllokmenëve ishte vendi i burgjeve, i ndalimit të Zotit, Krishtit, Muhametit, lirive.

Shqipëria që ne ndërtuam në 20 vjet, është atdheu i dinjitetit, i të drejtave të garantuara, i besimit.

Kosova sot është e lirë, të lirë janë të gjithë shqiptarët kudo. Kombi që 100 vjet më parë kishin menduar ta fshinin nga dheu, vjen sot krenar dhe i lirë, ka thënë Berisha gjatë fjalës së tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›