Topalli bën bashkë festat fetare dhe ato politike
Sot bektashinjtë festojnë Sulltan Novruzin. Me këtë rast, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, zhvilloi një vizitë në selinë e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, ku u takua me kreun e kësaj selie Haxhi Baba Edmond Brahimaj.
Dhe, siç ndodh rëndom, kur politikanët tanë nuk mund të rrinë dot pa folur për politikë, edhe në raste festash fetare, Jozefina Topalli ka thënë se sot ka dy festa të rëndësishme.
Në këtë ditë të vaçantë, dua të uroj besimtarët bektashianë, por këtë urim dua t`ia bëj çdo shqiptari kudo që ndodhet. Zoti e ka bërë që kjo ditë e bukur pranvere të konçidojë edhe me festën e demokracisë së Shqipërisë, në 20- vjetorin e kësaj feste të madhe ne kemi rastin për të festuar, tha Topalli.
Më tej ajo ka vijuar duke thënë se në këto 20-vite të demokracisë liria ka funksionuar në të gjitha drejtimet: Liria vërtet ka funksionuar, në lirinë e të gjitha besimeve fetare, në lirinë ekonomike dhe në një jetë më të mirë për shqiptarët.