Deputeti Hoxha: U deformuan ligjet me burgosjen e 24-vjeçarit Karaj
TIRANE - Vetëvrasja e studentit 24-vjeçar Mihallaq Karaj, në qelitë e paraburgimit 313 në prill të dy viteve më parë u bë objekt debatesh edhe në parlament. Deputeti i Përmetit Flamur Hoxha, e ngriti si shqetësim faktin se jeta në burgjet shqiptare ishte e pasigurt, duke sulmuar prokurorinë dhe gjykatat që kërkuan dhe vendosën masën ekstreme ndaj të riut. Deputeti Hoxha duke pohuar, se raste të tilla duhet të parandaloheshin tha se gjatë një vizite të bërë në familjen e të ndjerit, prindërit e studentit i kishin pohuar, se nëse djali i tyre kishte bërë një faj për të cilin do të vepronin ligjet e shtetit, donin që të zbardhej e vërteta për ngjarjen, pasi mediat dhe versionet e servirura prej tyre u kishin krijuar bindjen, se diçka duhej riparuar nga organet tona legjislative për parandalimin e ngjarjeve të tilla. Deputeti Hoxha pohoi mes tjerash se prindërit e studentit e kishin pyetur: "Si është e mundur të bëheshin veprime pa dijeninë dhe prezencën e avokatit të tij, ndërkohë që janë konstatuar shkelje flagrante procedurale në qelitë e burgut? Si ka mundësi që vjedhja e një kompjuteri të bëhet shkak i vetëvrasjes së një djali në moshë studentore? Kaq rrezikshmëri shoqërore sillte ky akt i palejueshëm për shoqërinë në tërësi?" deputeti socialist Hoxha pohoi më tej se: "Me përgjegjësi morale dhe politike, kam detyrimin të denoncoj përpara Kuvendit deformimin e zbatimit të ligjeve në fuqi nga prokuroria, gjykata dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, të cilët kanë çuar në vetëvrasjen e 24-vjeçarit Karaj, në dhomat e paraburgimit 313". Po kështu ish-ministri i atëhershëm i Drejtësisë, Aldo Bumçi, pohoi se ngjarja e ndodhur në paraburgim ishte tragjike dhe se masat e sigurisë përcaktohen me kërkesë të prokurorit, me vendim të gjykatës. Sipas tij, administrata e burgut nuk ishte përgjegjëse për caktimin e masës së sigurisë, por për trajtimin e tij në qeli. Kryeministri Berisha në fjalën e vet është shprehur se ishte dakord me pretendimin deputetit Hoxha, duke e klasifikuar ngjarjen si të rëndë dhe se sipas tij, nëpër burgje duhet të funksiononte shërbimi psikologjik. fa.ma