E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Policët e komisariateve në Tiranë s’njohin ligjin e ri”

 

Armand Bajrami

Punonjësit e komisariateve të Tiranës nuk njohin ligjin e ri për "Policinë e Shtetit", konkretisht përmbajtjen për rastet e shoqërimit të qytetarëve. "Padituria" që është prezente tek punonjësit e policisë në Tiranë nuk rezulton e pranishme në policitë e rretheve, ku punonjësit njohin dhe zbatojnë ligjin e ri "Për policinë". Lajmi konfirmohet nga inspektimet e ekspertëve të Avokatit të Popullit në komisariatet e policisë nr. 1,2,3 dhe 4 në Tiranë dhe në disa rrethe të vendit. Inspektimet e kryera në 10 ditët e fundit të muajit tetor, nxorën në pah parregullsitë ligjore në trajtimin e personave të shoqëruar në komisariatet e policisë së Tiranës. Raporti i Avokatit të popullit konstaton shkelje flagrante të ligjit dhe mosrespektimin e të drejtave të personave të shoqëruar. Në rekomandimet e dërguara drejtorit të Policisë së Qarkut Tiranë, Hamdi Fjore, ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Ahmet Prençi, Dobjani ka kërkuar që efektivat e policisë së komisariateve të Tiranës të njihen me përmbajtjen e ligjit të ri, në mënyrë që ta zbatojnë atë. Parregullsitë dhe shkelja e të drejtave, janë gjetur në Komisariatin e Policisë nr. 3. "Në momentin që është kryer inspektimi, në dhomën e izolimit ndodheshin katër persona, të shoqëruar, tre prej të cilëve meshkuj dhe një femër", thuhet në raport. Në këtë komisariat është konstatuar se kishte "vetëm një dhomë shoqërimi, në katin e parë të ndërtesës me përmasa 3.5 x 2 m2 dhe një dritare 80x50 cm2 nga e cila nuk sigurohej ndriçim normal. Brenda dhomës nuk kishte stol për tu ulur dhe as tavolinë, kurse pastërtia linte për të dëshiruar. Dhoma të sigurisë ishin dy, e para me dimensione 4x3 m2 me dritare të vogël me dimensione 2.5x1.5cm2 dhe e dyta me dimensione 3x3.5m2 me dritare të vogël me dimensione 2.5x1.5cm2. Dhomat ishin pa ajrim, të papërshtatshme për qëndrim dhe nuk plotësonin standardet e nevojshme për jetesë. Dhomat kishin pajime si dyshekë e batanije, ndërsa pastërtia linte shumë për të dëshiruar". Shkelje flagrante është cilësuar nga ekspertët ora fiktive e përpilimit të procesverbaleve për kohën e arrestimit të qytetarëve. "Nga këqyrja e librit të personave të shoqëruar dhe praktikave të personave të ndaluar apo arrestuar vërehet, se të arrestuarve dhe të ndaluarve, në procesverbalet e arrestimit dhe të ndalimit u shënohet ora e përpilimit të këtyre dokumenteve dhe jo ora faktike, si çasti kur atyre iu është privuar liria. Gjatë kryerjes së veprimeve verifikuese nga punonjësit e policisë, shtetasit padrejtësisht trajtohen si të shoqëruar edhe në rastet e kapjes në flagrancë. Duke i trajtuar në këtë mënyrë, atyre nuk u llogaritet në kohën e paraburgimit dhe më pas edhe atë të vuajtjes së dënimit koha, gjatë së cilës bëhen verifikimet apo veprimet e ndryshme procedurale, kohë e cila mund të shkojë deri në 10 orë", thuhet në raport. Aty kritikohet edhe mbajtja në dhomat e paraburgimit e personave ndaj të cilëve ishte caktuar masa e sigurimit "arrest në burg" nga gjykata apo personave të ndaluar për ekzekutimin e vendimeve penale me burgim të formës së prerë. Kjo u justifikua nga policia me pengesat, që krijonte vazhdimisht Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, që nuk merr në dorëzim këta persona. Pas këtyre konstatimeve, Avokati i popullit i rekomandoi drejtuesve të policisë së Tiranës, policisë së shtetit dhe Ministrisë së Brendshme: Marrjen e masave për sigurimin e fondeve me qëllim krijimin sa më parë të ambienteve të dhomave të sigurisë dhe shoqërimit, për personat e mitur dhe femrat; Të merren masa të menjëhershme për njohjen e efektivave të policisë me ligjin e ri "Për Policinë e Shtetit"; Të kërkohet nga oficerët e policisë gjyqësore, të cilët bëjnë arrestime dhe ndalime, që të respektohen me korrektesë dispozitat ligjore të K.Pr.Penale, lidhur me shënimin në procesverbal të çastit (orës së saktë) të arrestimit apo ndalimit të shtetasve dhe të mos trajtohen ata fillimisht si të shoqëruar; Të merren masat e nevojshme për transferimin nga ambientet e policisë, në institucionet e paraburgimit dhe burgimit, në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të së gjithë të paraburgosurve ndaj të cilëve është vendosur masa e sigurimit "arrest në burg" dhe e të ndaluarve për efekt të ekzekutimit të vendimit penal të dënimit të tyre në mungesë me "burgim".

Efektivat s’njohin ligjine ri, ndaj nuk e zbatojnë

TIRANE - Ligji i ri "Për policinë e shtetit", i cili hyri në fuqi pak muaj më parë, parashikon procedura dhe standarde të reja për veprimet, që policia duhet të kryejë me qytetarët. Në këtë mënyrë, ligji i ri jo vetëm që parashikon një dallim të dukshëm mes rasteve të shoqërimit, ndalimit dhe arrestimit, por për secilin prej këtyre rasteve përcakton procedura të sakta dhe transparente për policinë, në përputhje me situatën ku ajo ndodhet. Gjatë inspektimeve të kryera në katër komisariate të policisë së Tiranës, referuar rregullave dhe procedurave që parashikon ligji i ri, specialistët e Avokatit të Popullit kanë vënë e se uniformat blu, jo vetëm që nuk zbatojnë paketën e re ligjore, por as nuk janë në dijeni të përmbajtjes së saj. Në këtë mënyrë, pas këtyre konstatimeve të përsëritura në katër komisariatet e kryeqytetit, Dobjani u rekomandon krerëve të policisë së Tiranës, Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme, të marrin masa në mënyrë që punonjësit e policisë të njihen me ligjin e ri e më pas ta zbatojnë atë me qytetarët. Kryeqyteti paraqitet problematik lidhur me punën e policisë, për shkak të numrit të lartë të popullsisë të përqendruar në Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›