Berisha: Koalicioni i PD do zgjerohet
ADI SHKEMBI
Kryeministri Sali Berisha paralajmëroi dje zgjerimin e koalicionit të djathtë, i cili tre ditë pas zgjedhjeve ka 70 mandate parlamentare. Pak orë pasi zëdhënësja e fushatës elektorale të PD-së, Majlinda Bregu shpalli fitoren e “Aleancës së ndryshimit”, kreu i demokratëve thirri mbledhjen e radhës së qeverisë, ku nuk munguan edhe detyrat për ministrat deri në shtator, kur të konstitohet parlamenti i ri. Por kreu i qeverisë la të kuptohet dje se forca të tjera që kanë mandate parlamentare, mund t’i bashkohen PD-së kur ajo të shkojë në Kuvend për t’u miratuar. “Ndaj dhe unë, ju ftoj ju, zotërinj ministra – natyrisht koalicioni do të zgjerohet – por ju ftoj ju zotërinj ministra, që, së bashku me bashkëpunëtorët tuaj, me administratën, të intensifikojmë të gjitha përpjekjet dhe, në rast se ndonjë detyrë e cila mund të ketë pësuar ndonjë shtytje, ndonjë shmangie, për shkak të fushatës zgjedhore, të vendoset në axhendë dhe të funksionojmë normalisht”, u shpreh Kryeministri Berisha. Duke iu referuar Kushtetutës, qeveria e re duhet të presë vetëm muajin shtator për t’u votëbesuar në Parlament. Kjo për shkak se në fillim të muajit shtator përfundon mandati i Parlamentit aktual dhe vetëm atëherë Presidenti mund të mbledhë Kuvendin e ri, në të cilin paralelisht me qeverinë votohet edhe programi i saj. Por sipas Berishës, deri në shtator, qeveria duhet të vazhdojë me reformat dhe kërkesat e BE-së, të shprehura me anë të Progres raportit. “Kushtetuta e ka të përcaktuar se Parlamenti i ri mblidhet ditën që skadon mandati i Parlamentit tjetër, ndërkohë që mandati i Parlamentit tjetër skadon ditën që ai është mbledhur. Pra, nga data 3 ose 4 shtator. Në këtë kontekst, thirrja ime për ju është që të funksionojmë si qeveri. Unë nuk kam ndërmend të përdor variantin e ecjes së punës me zëvendësministrat, një praktikë kjo sporadike. Jo. Unë kam ndërmend të vazhdoj me intensitet reformat deri ditën e krijimit të qeverisë së re”, u shpreh më tej kreu i qeverisë. Kjo deklaratë e tij duket se ka prishur planet e ministrave për disa ditë pushimi, pas 30 ditësh fushatë elektorale dhe zgjedhjeve të 28 qershorit. Gjatë mbledhjes së qeverisë, Berisha i kërkoi ministres Bregu të rivlerësojë detyrimet e vëna nga Bashkimi Evropian, për t’i pasur si përparësi gjatë këtyre dy muajve. Megjithëse koalicioni i djathtë ka 70 mandate të sigurt, kreu i PD-së nuk ka preferuar të komentojë rezultatin, duke theksuar sërish se do të flasë pasi KQZ-ja të shpallë rezultatin përfundimtar. “Qytetarët duhet ta dinë se zgjedhjet kanë përfunduar. Rezultati nuk është akoma përfundimtar, por së shpejti do të bëhet publik. Është fakt i pamohueshëm që në këto zgjedhje qytetarët shqiptarë vlerësuan dhe votëbesuan maxhorancën dhe reformat e saj. Por rezultati nuk është i shpallur. Ashtu siç jam shprehur edhe më parë, për t’u prononcuar për rezultatin, unë do të pres Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”, theksoi Berisha.