E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrantët largohen pas votimeve

 

KORÇE - Emigrantët e kthyer në Shqipëri për të votuar nisën dje rikthimin në vendet e tyre të punës. Burime pranë doganës së Kapshticës bënë të ditur se gjatë dy javëve të fundit, para 28 qershorit në vendin tonë kanë hyrë 42 500 emigrantë. Shumica e tyre deklaronin se vinin për të marrë pjesë në votime. Fill pas votimit mësohet se ka filluar edhe kthimi i tyre në vendet ku jetojnë dhe punojnë. Të dielën pasdite janë kthyer për në tokën helene rreth 20 autobusë të mbushur me emigrantë, të cilët kishin ardhur nga Greqia enkas për të votuar. Por me ta janë bashkuar edhe shumë të tjerë, që kishin udhëtuar me mjetet e tyre për këtë qëllim. Numri i emigrantëve të kthyer në Greqi është rritur gjatë dy ditëve të para të javës. Deri mëngjesin e djeshëm mësohet se kanë kaluar kufirin 9.700 emigrantë, një shifër kjo relativisht e ulët, krahasuar me atë të hyrjes para zgjedhjeve. Ndërsa gjatë ditës së djeshme kaluan edhe 2800 emigrantë të tjerë. Pritet që gjatë ditëve në vijim fluksi të pësojë rritje. E njëjta situata ka qenë dhe në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës. Fluksi i emigrantëve kishte të bënte me procesin e votimit, ndërsa në fund të muajit pritet të jetë mbërritja e tyre për pushimet verore. j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›