E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Gara e hapur, nuk do lejojmë grusht shteti

 

Aristir Lumezi

Kreu i Partisë Socialiste ka përsëritur thirrjen ndaj Kryeministrit, për të mos penguar procesin e numërimit në Fier. Rama theksoi se procesi po degjeneron nga ora në orë ndërsa nënvizoi se gara mbetet e ende e hapur dhe se PS do të bëhet garant i votës së qytetarëve. “Nuk ka forcë që përmbys me dhunë e kërcënime atë që kanë vendosur shqiptarët në datën 28 qershor” u shpreh Rama. Duke marrë në konsideratë situatën e krijuar në qarkun e Fierit, Rama i ka bërë thirrje Kryeministrit të mos vërë dorë mbi votën e zgjedhësve dhe ta tjetërsojë atë. “Jam këtu për të ritheksuar atë që është theksuar dy herë sot. Berisha të largojë duart nga një proces, i cili po degjeneron nga ora në orë dhe po merr përmasat e një torture nga njerëzit që po qëndrojnë për të nxjerrë vendimin e popullit. Berisha duhet të bëjë garantin e rendit dhe të qetësisë” u shpreh Rama. Kreu socialist deklaroi se gara nuk ka mbaruar ende dhe se partia që ai drejton është e vendosur të mbrojë vendimin e popullit. “Nuk ka forcë që përmbys me dhunë e kërcënime atë që kanë vendosur shqiptarët në datën 28 qershor”. I pyetur për situatën në qarkun e Beratit, Rama u shpreh se Partia Socialiste ka marrë votat e duhura për mandatin e 5-të në këtë qark. “Berati për ne ka 5 mandate dhe ne do ta kërkojmë këtë mandat deri në fund, në rrugë ligjore pasi votat për mandatin e 5-të janë në kutitë e votimit dhe ne nuk do të lejojmë që mandati i 5-të të merret dhe të kalojë në krahun tjetër” theksoi kreu socialist. “Partia Socialiste do të mbrojë të gjitha votat dhe do t’i prijë shqiptarëve në përpjekjet për të garantuar se këtu nuk do të ketë një grusht shteti për përmbysje rezultati, duke futur duart në kutitë e votimit”, - nënvizoi Rama, përpara gazetarëve. Kreu socialist iu përgjigj dje Kryeministrit Berisha. “Kryeministri sot ka dhënë një shfaqje, e cila është në vazhdimësinë e trysnisë mbi procesin zgjedhor dhe në vazhdimësinë e një përpjekjeje për t’i vendosur shqiptarët përpara faktit të kryer, duke u munduar që të grabisë ç’mund të grabitet në këtë periudhë të dytë të procesit që ka të bëjë me numërimet dhe me procesverbalet, sepse shqiptarët nuk e kanë mandatuar Sali Berishën për të udhëhequr vendin për katër vitet e ardhshme dhe unë garantoj se ne jemi të vendosur që të mbrojmë të gjitha votat dhe njëkohësisht t’i prijmë popullit shqiptar në përpjekjen për të garantuar se këtu nuk do të ketë një grusht shteti me përmbysjen e rezultatit, duke futur duart në kutitë e votimit dhe duke ndryshuar përfundimet e numërimeve në një sërë kutish votimi”, tha Rama. Kreu socialist u shpreh se do të ankimojë në rrugë ligjore çdo rast që përbën shkelje të procesit zgjedhor. “Ne sigurisht do ta bëjmë këtë në rrugë ligjore, do ta bëjmë këtë deri në fund që populli shqiptar të shohë me sytë e tij se çfarë ka në kutitë e fshehta. I kemi të gjitha instrumentet që na jep ligji dhe jemi të gatshëm, të vendosur, të përgatitur, që në këtë betejë ne të bëjmë gjithçka është në detyrimin tonë për ata njerëz që në një shumicë dërrmuese na kanë dhënë një mbështetje spektakolare”, tha Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›