Gjysmë ore rrebesh përmbyt gjithë Tiranën
zirina llambro
Një rrebesh i paparë ndonjëherë këto vitet e fundit në muajin korrik. Brenda 30 minutave, Tirana u përmbyt tërësisht prej stuhisë që nisi krejt papritur. Rreth orës 15:10 gjithçka u nxi e më pas nuk mund të lëvizje, qoftë edhe disa metra. Shiu litar dhe era e fortë paralizuan gjithçka në kryeqytet. Të kaloje në bulevard, apo akse të tjera u bë e pamundur madje edhe me makinë. Te rruga e Kavajës, në qendër, te “Don Bosko” e sidomos te “Komuna e Parisit”, qytetarët u zhytën në ujë deri në gju për të kaluar nga një trotuar në tjetrin. Pemë të mbjella në rrugë u shkulën nga rrënjët, duke dëmtuar disa makina. Dhjetëra dyqane në kate të para e bodrume pallatesh u tejmbushën nga uji. Por pasojat në disa prej zonave e lagjeve të Tiranës ishin shumë më të rënda se kaq. Parkingu i Qendrës tregtare “ETC”, pranë rrugës së Elbasanit brenda gjysmë ore u kthye në një liqen disa metra të thellë. Dhjetëra makina u mbuluan totalisht nga uji. Deri në orën 22 të mbrëmjes, pompat e përdorura mezi arritën ta thithin e ta shkarkojnë në rrugë. Në rrethimin e parkimit ishin grumbulluar dhjetëra kalimtarë kureshtarë. Fjalia më e shpeshtë që të dëgjonin veshët, teksa shihje plot 22 makina, të gjitha tipe të reja e të shtrenjta ishte: ”Po tani kush do ja paguajë dëmin pronarëve?”. Nuk mungonin edhe komente të tipit “T’ua japë ai që ka parkingun, se për një orë të vetme të merr 1000 mijë lekë”.
Rrugët më problematike
Në rrugën “Karl Gega” në zonën e Frigoriferit, dy banesa u mbushën me ujë. Policia mbërriti në vendngjarje duke evakuuar banorët të cilët po përpiqeshin të mbanin ujin jashtë shtëpive. Përmbytje masive pati edhe në rrugën e Durrësit, në rrugën “Don Bosko” dhe në Laprakë, te “Jordan Misja” e ”Misto Mame”. Për fat të keq banorët e “Komunës së Parisit”, që këtë situatë e përjetojnë sa herë ka reshje të dendura shiu, edhe dje patën të njëjtat pasoja. Në garazhet e disa pallateve, uji arriti më shumë se gjysmë metri, duke u futur brenda makinave të parkuara. Në rrugicat e lagjeve ishte e pamundur të kaloje. I menjëhershëm ishte edhe reagimi i Bashkisë së Tiranës. Drejtuesi i punëve publike në këtë institucion, Arben Seferi, konfirmoi se situata në kryeqytet pasdite ishte vërtet shqetësuese por nuk ka ardhur për shkak të mosfunksionimit të Bashkisë së Tiranës. “Situata është shqetësuese, për shkak të reshjeve të shumta por kjo nuk është nga mos funksionimi i strukturave tona. Lumi i Lanës është plotësisht i mbushur, kanalizimet janë në gjendje pune por problem mbeten kolektorët e shkarkimit të ujërave”, theksoi Seferi. Sipas tij, pikërisht mbingarkesa e kolektorëve të cilët s’kanë mundur të përballojnë dot fluksin e ujit ka qenë shkaku i kësaj përmbytje. Situata u normalizua pjesërisht disa orë pas stuhisë, ku të paktën filloi sërish lëvizja e automjeteve dhe rrugët u bënë të kalueshme. U bënë gati dy javë që moti në Tiranë nuk i përkon aspak stinës ku ndodhemi. Ndërsa çdo vit tjetër në qershor dhe korrik termometri ka shënuar mbi 30 gradë, ditët e fundit po përballemi me temperatura pranverore. Është e vështirë të parashikosh sesi do të jetë dita, pasi në mëngjes zgjohesh me diell e befas në drekë ja kërcet breshëri. Sipas meteorologëve, dy ditët në vijim pritet që temperaturat të shënojnë një rritje prej 3-4 gradësh e të rikthehet sërish i nxehti.